Njëzet vjet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit: mundësitë e shfrytëzuara dhe të humbura
20 vjet më parë, Republika e Maqedonisë, e para nga vendet në rajon, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe vendet e tij anëtare. Në atë kohë, pritjet ishin që rruga jonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian të ishte më e shkurtër dhe se do të sillte ndryshime të shpejta, për të mirën e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit. Njëzet vjet më vonë, fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE është ende i pasigurt.
Edhe në ditët e sotme, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mbetet korniza themelore ligjore që rregullon marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij. Prandaj, duket e nevojshme t’i rikthehemi mundësive të saja (të shfrytëzuara dhe të humbura).
Së pari, Marrëveshja dha një kontribut të jashtëzakonshëm në nivelin ekzistues të lartë të harmonizimit të legjislacionit maqedonas me acquis evropiane. Praktikisht, procesin e përfarimit juridik e drejtuan prioritetet mbi harmonizimin legjislacionit të përcaktuara në MSA. Përafrimi me acquis në tregun e brendshëm, konkurrencën, prokurimet publike, pronën intelektuale, standardizimin dhe akreditimin, mbrojtjen e të dhënave personale ishte thelbësore në fazën e parë të MSA-së, ndërsa përafrimi në fusha të tjera të tregut të brendshëm vazhdoi me fillimin e fazës së dytë – shërbimet, lëvizja e lirë e kapitalit. Faza e dytë filloi më 4 dhjetor 2018.
Arritja e dytë është dialogu institucional në strukturat e MSA-së. Në to u zhvillua dialogu për përmbushjen e kritereve/standardeve (benchmarks) për fillimin e negociatave të pranimit. Brenda strukturave të MSA-së, vazhdimisht kërkohej dhe inicohej dialogu për liberalizimin e vizave, përfshi zbatimin e marrëveshjes së riatdhesimit, e cila u zhvillua pa pengesa, megjithëse ishte shumë e kontestuar gjatë negociatave për Marrëveshjen. Pjesëmarrja në programet e bashkësisë rregullohet nga një protokoll i MSA-së. Dialogu mbi akumulimin diagonal të origjinës së mallrave u zhvillua gjithashtu brenda strukturës institucionale të MSA-së dhe u rregullua nga një protokoll i MSA-së. Prandaj, lirisht mund të përfundojmë se në rastin e Maqedonisë – një kandidaturë pa negociata, – struktura institucionale e MSA-së ishte dhe do të mbetet në qendër të dialogut me Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, bllokimi i hyrjes në fazën e dytë të MSA-së dhe statusi i një vendi kandidat pa negociata që zgjati më shumë se një dekadë lanë gjurmë të thella në të dy aspektet e diskutuara më sipër. Për sa i përket përafrimit, analiza jonë gjatë dekadës së kaluar tregon se rasti i Maqedonisë po ngec në nivelin e vitit 2011, i cili ende na vë përpara të tjerëve në rajon. Së dyti, mungesa e negociatave së bashku me të gjitha trazirat politike në administratë kanë rrënuar kapacitetin dhe njohuritë e strukturave institucionale.
Sidoqoftë, nuk duhet të neglizhojmë përvojën njëzet vjeçare në zbatimin e Marrëveshjes që i jep vendit tonë – institucioneve të saj, qeverisë dhe sektorit joqeveritar – një themel të vlefshëm për ndërtimin e marrëdhënieve të mëtejshme me Bashkimin Evropian. Ne presim që kjo përvojë të jetë thelbësore nëse vendi fillon negociatat e anëtarësimit në përputhje me metodologjinë e re të Bashkimit Evropian që sjell strukturat institucionale më afër negociatave në përputhje me MSA-në.
Për më shumë informacion, shihni analizat e zgjedhura të EPI për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më poshtë:
- Efektet e Procesit të Stabilizim-Asociimit në integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal të BP6: Arritje dhe udhërrëfyes për të ardhmen, korrik 2018
- Dokument për diskutim PËR AKTIVITETET DHE ECURINË, prill 2011