Konferenca: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit MK-BE -njëzet vjet më vonë
Instituti për Politikë Evropiane ju fton në konferencën virtuele “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit MK-BE – njëzet vjet më vonë”, e cila do të mbahet më 28 Prill (e Mërkurë) nga ora 10:00 në platformën Zoom.
Konferenca mbahet me rastin e 20-vjetorit të nënshkrimit të MSA midis Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian (9 prill 2001).
Në të njëjtën kohë, Instituti për Politikë Evropiane (EPI) po shënon edhe përvjetorin e 10-të të themelimit të tij. Aktiviteti i parë i EPI dhjetë vjet më parë ishte pikërisht Konferenca me rastin e 10-vjetorit të nënshkrimit të MSA-së.
Në historinë më të re të Maqedonisë, në vitet e para të dekadave kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme. Kështu, këtë vit, vendi ynë shënon 30 vjet pavarësi dhe 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Më në fund, një vit më parë, vendi ynë, tani si Maqedonia e Veriut, u bë anëtare e NATO-s.
Republika e Maqedonisë ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi dhe vendi nga rajoni që ka statusin më të gjatë të kandidatit – për 16 vjet. Pavarësisht ndryshimit të emrit për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, BE-ja nuk i hapi negociatat me vendin tonë, siç pritej, për shkak të bllokadës së pabazuar nga Bullgaria, megjithëse kishte hyrë në fuqi një metodologji e re dhe më komplekse e aderimit.
Në ndërkohë, u paraqitën iniciativa për forma të tjera të bashkimit të vendeve të rajonit dhe BE-së si një alternativë për anëtarësim – të tilla si Zona Ekonomike Evropiane, të cilat u refuzuan nga udhëheqësit rajonalë dhe publiku i gjerë, duke këmbëngulur për anëtarësim. Sidoqoftë, nuk kishte një debat më gjithpërfshirës mbi këto ide.
MSA mbetet baza ligjore për marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Marrëveshja e përkohshme mbi tregtinë dhe çështjet tregtare hyri në fuqi në qershor të vitit 2001, ndërsa MSA-ja hyri në fuqi më 1 prill 2004. Korniza institucionale e vendosur me MSA-në mbetet korniza kryesore institucionale e marrëdhënieve midis vendit tonë dhe BE-së.
Në kushte të tilla, dhe veçanërisht duke marrë parasysh procesin më të ngadaltë dhe më kompleks të anëtarësimit, si dhe “idetë e reja” për alternativat e anëtarësimit, më e rëndësishme është t’i kthehemi MSA-së dhe vlerësimit të përfitimeve dhe mundësive të saj.
Pikërisht për këtë, Konferenca ka për qëllim:
- t’i analizojë përfitimet, por edhe mundësitë dhe potencialet e pashfrytëzuara të MSA-së në marrëdhëniet me BE-në dhe
- t’i adresojë udhëzimet për zbatimin e Marrëveshjes në të ardhmen.
Analiza të përzgjedhura të EPI kushtuar Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit:
- Еfektet e procesit të stabilizim-asociimit në integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal të BP6: Arritje dhe udhërrëfyes për të ardhmen, korrik 2018
- Dokument për diskutim PËR ANGAZHIMIN DHE PULSIN, prill 2011