Treg i përbashkët ballkanik via Berlin, çfarë përfiton Maqedonia?

Më në fund këtë vit procesi i Berlinit mund të mburret me rezultate konkrete. Dy vjet pas nënshkrimit të Deklaratës për Tregun e Përbashkët Rajonal në Sofje, me një angazhim të madh nga pala gjermane, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor arritën t’i nënshkruajnë tre marrëveshje teknikisht të harmonizuara më parë. Tashmë dihet se pengesat për nënshkrimin e tyre ishin kryesisht politike.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me:

  • njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë;
  • lëvizjen e lirë në rajon me letërnjoftime;
  • njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët.

Rikujtim: Tregu i përbashkët rajonal ka katër fusha:

  1. fushën e tregtisë;
  2. fushën e investimeve;
  3.  fushën digjitale;
  4. industriale dhe inovative.

Të gjitha këto marrëveshje janë nga njëra fushë – ajo e tregtisë, dhe atë në një nga pjesët e katër lirive – lëvizjen e lirë të njerëzve. Tre të tjerat janë: mallrat, shërbimet dhe kapitali. Në përgjithësi, duke gjykuar nga Raporti i fundit i Këshillit rajonal për zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, progresi në të gjitha fushat është i ngadalshëm dhe këto tre marrëveshje janë arritja e parë e madhe.

Para se të shohim se për çfarë më konkretisht është rënë dakord, të theksojmë parimin bazë – që gjatë negocimit të rregullave për rajonin duhet të respektohen standardet e BE-së për çështjet të cilat ato i rregullojnë. Dhe kjo është plotësisht logjike nëse ekziston dëshira që bashkëpunimi rajonal të jetë komplementar me integrimin në BE dhe jo të distancohet nga standardet evropiane. Prandaj, fakti që marrëveshjet nuk i mbulojnë plotësisht fushat në të cilat zbatohen standardet ekzistuese evropiane, tregon se në pjesët e mbetura ka problem sa i përket përputhjes me standardet e BE-së.

Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë i referohet kualifikimeve të fituara në universitetet publike të gjashtë shteteve të Ballkanit, si dhe titujve të doktoraturës, por duhet punuar më tej për njohjen e kualifikimeve nga universitetet private. Marrëveshja shkurton afatet dhe heq shpenzimet e procedurës së njohjes. Pritet që kjo gjë të rrisë lëvizshmërinë në rajon të kuadrove me arsim të lartë.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndoshta do të sjellë rezultatin më të dukshëm deri më tani, si për qytetarët ashtu edhe për sektorin e biznesit. Përveç kësaj me atë do të hiqen edhe restrikcionet e vizave që kanë mbetur në rajon, siç është regjimi i vizave mes Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.

Pritet që marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët të mundësojë lëvizshmëri më të madhe të këtyre profesioneve në rajon. Me marrëveshjen nuk janë përfshirë katër profesione të tjera që në BE janë të rregulluara – infermieret, mamitë, farmacistët dhe veterinerët.

Mirëpo nuk ka marrëveshje për krijimin e një sistemi të përgjithshëm për njohjen e kualifikimeve profesionale të bazuar në direktivën përkatëse të BE-së. Përveç kësaj shtrohet edhe pyetja se cili do të jetë ndikimi real i kësaj marrëveshjeje në një situatë kur largimi i këtyre profesioneve kritike bëhet kryesisht në një drejtim – drejt BE-së dhe atë në kushte kur nuk po bisedohet për njohjen e kualifikimeve me BE-në, që përndryshe është objekt i marrëveshjeve për stabilizim dhe asocim.

Në një kohë kur BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një nevojë tejet të madhe për të treguar njëfarë progresi në rrugën drejt integrimit evropian, ekzistojnë dy rreziqe kundërthënëse – që këto marrëveshje të glorifikohen dhe të paraqiten në një dritë shumë më pozitive se ajo reale dhe e dyta – që të nënvlerësohen. Vlerësimi real mbase do ishte diku në mes.

Marrëveshjet janë të rëndësishme si një përparim pas bllokimit të agjendës rajonale dhe si një dëshmi se bllokimet politike mund të kapërcehen. Mirëpo kjo nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e fuqishëm të BE-së dhe sidomos atë të palës gjermane, gjë që flet për nevojën për presion të vazhdueshëm. Nuk duhet nënvlërësuar as presioni i vazhdueshëm i brendshëm – nga palët e interesuara në rajon, e që do duhet të rritet.

Sfidë do jetë ruajtja e dinamikës jo vetëm për të përfunduar rregullimin e fushave që janë objekt i këtyre marrëveshjeve, por për të bërë një përparim në të gjitha fushat e tregut të përbashkët rajonal, për çka duhet të ketë një vullnet të vazhdueshëm politik.

Nga ana tjetër duhet pranuar se konkurrenca e cila u krijua nga iniciativa „Ballkani i Hapur” e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, me të gjitha kritikat e arsyeshme dhe jo të arsyeshme, në mënyrë tipike ballkanike, kontribuoi për përshpejtimin e procesit për Tregun e Përbashkët Rajonal, si një proces i cili i përfshin të gjitha vendet në rajon.

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Comments are closed.