Serbia dhe Kosova midis SHBA-së dhe BE-së
Marrëveshja, ose siç e quan BE, “dokumentet e dakorduara” midis Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësim nga Presidenti i SHBA Tramp, në fillim të këtij muaji, shkaktoi një sërë reagimesh në komunitetin ndërkombëtar. U parashtruan pyetje nëse ishte e mundur të flitej për ndonjë marrëveshje dhe cila do të ishte vlefshmëria e saj. Nga ana tjetër, rajoni nuk mbeti pa komentuar fotot e Shtëpisë së Bardhë në formë të anekdotave, me një dozë të konsiderueshme të jugo-nostalgjisë.
Këtu e shqyrtojmë vetëm rëndësinë e marrëveshjes, përkatësisht “dokumentet e dakorduara” për procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe Kosovës.
Tre ditë pas nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, më 7 Shtator të këtij viti, Vuçiq dhe Hoti u takuan me Komisionerin e BE-së për politikë të përbashkët dhe të jashtme Borel në Bruksel. Nga takimi doli një deklaratë e shkurtër e përbashkët e Vuçiqit dhe Hotit, qysh para takimit, ndërsa deklarata bënë edhe Komisioneri Borel dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak. Prej tyre mund të nxirren dy mesazhe kryesore të BE-së.
E para: dialogu Beograd-Prishtinë të kthehet nën udhëheqje të Evropës. Për këtë arsye në deklaratën e përbashkët, Vuçiq dhe Hoti “ia kanë konfirmuar komisionerit” se për ta “prioriteti më i lartë është integrimi në BE dhe vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë, i lehtësuar nga BE, si një element vendimtar i rrugëve të tyre përkatëse në BE.”
Zyrtarët e BE madje shmangën përmendjen e “dokumentit” të nënshkruar në Shtetet e Bashkuara. Ata ia lanë këtë Vuçiqit dhe Hotit, të cilët në një deklaratë të përbashkët i referohen jo së “marrëveshje”, por “dokumente të dakorduar para pak kohe në Uashington DC”. Për më tepër, ata i vendosin këto “dokumente” në kontekstin e vazhdimësisë së dialogut “i cili mund të japë një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”. Kjo tregon qartë se BE e trajton marrëveshjen si të detyrueshme juridikisht, duke lënë hapësirë për Vuçiqin dhe Hotin për ta relativizuar atë.
Sidoqoftë, është një fakt që për një kohë të gjatë, për ta thënë butë, nuk ka koordinim të fortë midis SHBA-së dhe BE-së në dialogun Beograd-Prishtinë. Nevoja për ta mohuar këtë në fillim të vitit tregoi qartë se kishte mosmarrëveshje dhe një garë për epërsi. Konkurrenca e tillë nuk i ndihmon as Beogradit as Prishtinës – si brenda dhe jashtë, dhe nuk i dërgon mesazh inkurajimi për rajonin.
Mesazhi i dytë është se Serbia dhe Kosova pritet të bashkërenditen me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Në një deklaratë të përbashkët, Vuçiq dhe Hoti u zotuan që të “dyfishojnë përpjekjet e tyre për bashkërenditje të mëtejme me BE-në në përputhje me angazhimet e tyre”. Sigurisht, kjo frazë mund të lexohet shumë përgjithësisht – harmonizimi me të gjithë acquis e BE-së, përkatësisht atë që është pjesë e Marrëveshjeve për stabilizim asociim. Sidoqoftë, në këtë kontekst, fraza i referohet harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së ose Kapitullit 31 të negociatave për aderim në BE. Si Serbia, ashtu edhe Kosova, nën Marrëveshjet e tyre për stabilizim asociim me BE, janë zotuar të “rritin harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE”.
Kjo do të nënkuptonte se BE pret të korrigjohen ose të mos zbatojë ato elemente të “dokumenteve” që janë në kundërshtim me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Në këtë rast, është para së gjithash detyrimi i Serbisë për të zhvendosur ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem dhe njohja de facto e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. BE ka pozicion të përbashkët (i cili është pjesë e legjislacionit të Bashkimit) me të cilin mbështet “zgjidhja me dy shtete”, përkatësisht BE konsideron se Jerusalemi duhet të jetë kryeqyteti edhe i Izraelit edhe i shtetit të ardhshëm Palestinez. Nëse zhvendos ambasadën e saj në Izrael nga Tel Aviv në Jerusalem, Serbia do të ishte vendi i parë evropian që e bën këtë, duke shkelur detyrimet e saj ndaj BE-së. Çështja tjetër është shpallja e Hezbollahut si tërësi organizatë terroriste ndaj së cilës Serbia dhe Kosova janë angazhuar në Shtëpinë e Bardhë, në përputhje me pozicionin e SHBA. Dallimi është se BE e konsideron krahun ushtarak të Hezbollahut organizatë terroriste, por jo edhe krahun politik.
Sidoqoftë, për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për vendet tjera në rajon, çështjet e politikës së jashtme në të ardhmen mund të jenë shumë më të komplikuara sesa duken në shikim të parë.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.