Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor Eufori e (pa)justifikuar?

Elementet kryesore

Strategjia e titulluar si “Perspektivë e besueshme e zgjerimit dhe angazhim i forcuar i BE-së në Ballkanin Perëndimor”, që u miratua sot nga Komisioni Evropian, ka tri pika kyçe: 1) të dërgojë mesazh politik se zgjerimi edhe më tej gjendet në agjendën e BE-së; 2) bën përpjekje të rrisë besueshmërinë e perspektivës të anëtarësimit të regjionit në BE, duke ofruar data indikative  për shtetet që kanë shënuar përparimin më të madh në proces; dhe 3) të sistematizojë nismat e shumta paralele dhe rezultatet e procesit të Berlinit në kuadër të procesit të zgjerimit.

Së pari, Strategjia thekson se “perspektiva e fortë e anëtarësimit e Ballkanit Perëndimor e bazuar në merita”, është në përputhje me interes politik, të sigurisë dhe ekonomik të BE-së dhe paraqet një investim gjeostrategjik. Në të njëjtën kohë, politika e zgjerimit paraqitet si pjesë e një strategjie më të madhe për forcimin e Bashkimit Evropian deri në vitin 2025. Me këtë, Komisioni po përpiqet të ndikojë mbi qytetarët e BE-së dhe mendimin e tyre mbi zgjerimin, që është një risi pozitive ndryshe nga praktika e deritanishme e nxjerrjes në pah të mungesës së mbështetjes për zgjerimin në vendet anëtare të BE-së.

Së dyti, nëpërmjet veçimit të Malit të Zi dhe Serbisë, si vende që janë më të përparuara në negociatat dhe me aluzionin e një date të mundshme për pranimin e tyre, Komisioni kërkon të rivendos besueshmërinë e procesit të zgjerimit. Megjithatë, në disa raste, KE thotë që këto data janë një perspektivë realiste, jo një qëllim në vetvete.

Së treti, KE ka vënë në dukje 6 nisma për angazhim të shtuar në të gjitha vendet në rajon, të cilat në masë të madhe sistematizojnë proceset e shumta paralele të filluara në vitet e fundit, ndërkohë që zgjerimi i BE-së ka qenë në plan të dytë[1]. Fushat nuk janë befasi: sundimi i ligjit, siguria dhe migracioni, zhvillimi socio-ekonomik, koneksioni, axhenda dixhitale, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Lidhur me pikën e parë, paralajmërohen plane veprimi për Kapitullin 23 – Drejtësi dhe të Drejtat Themelore dhe Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave të sundimit të ligjit.

Ku qëndron Republika e Maqedonisë?

Në Strategjinë vendin kryesor midis kandidatëve në procesin e pranimit e mbajnë Serbia dhe Mali i Zi, për të cilat jepet kornizë indikative e pranimit. Megjithatë, Strategjia lë hapësirë ​​për vendet e tjera që të përparojnë në të njëjtën mënyrë ose më shpejt. Republika e Maqedonisë përmendet dy herë në tërë dokumentin, në kontekstin se “Komisioni është gati të rekomandojë fillimin e negociatave në bazë të kushteve të përmbushura” – në të njëjtën pako me Shqipërinë. Ajo që vijon është miratimi i pakos së zgjerimit në prill 2018. Është shansi ynë t’i japim Komisionit argumente për rekomandimin e fillimit të negociatave dhe për të përfituar nga avantazhet e Maqedonisë, siç është harmonizimi me legjislacionin evropian. Përveç theksimit se të gjithë anëtarët e ardhshëm të BE-së duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe, Strategjia nuk thekson drejtpërdrejt mosmarrëveshjen rreth emrit.

Përveç kësaj, Republika e Maqedonisë u përmend në mënyrë të tërthortë në aspektin e pajtueshmërisë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Mogerini theksoi se për momentin vetëm Mali i Zi dhe Shqipëria janë plotësisht në përputhshmëri me Bashkimin Evropian në aspektin e politikës së tyre të jashtme, kryesisht duke iu referuar sanksioneve kundër Rusisë. Duke pasur parasysh se “anëtarësimi në BE është një zgjedhje”, Strategjia thekson se vendet kandidate duhet të mbrojnë vlerat e përbashkëta të BE-së në të cëlin duan të jenë anëtarë.

“Përgaditje” për persepktivën e re financiare?

Me këtë Strategji, Bashkimi Evropian nuk siguron më shumë para për të mbështetur rajonin, por rialokon fondet tashmë ekzistuese për të mbështetur prioritetet e reformës sipas Strategjisë. Megjithatë, KE njoftoi se për të realizuar perspektivat dhe premtimet, si dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për cilësinë e qëndrueshmërinë e reformave, do të duhet të sigurohen më tepër fonde për perspektivën të re financiare, e cila do të mbulojë periudhën 2021-2027. Duke u bazuar në përvojat e mëparshme, ndihma dypalëshe do të kushtëzohet nga përmbushja e objektivave të Strategjisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

 


[1] Procesi i Berlinit, me dimensionin e tij politik dhe ekonomik, dhe nisma të ngjashme, të tilla si e Fundamenatl First (e para themelore), vendosen për të përgatitur vendet për anëtarësim.

Post by epiadmin

Comments are closed.