Raporti i pestë i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit, i pari me shtetet kandidate
Shansë për integrim përmes dialogut
Më 24 korrik, Komisioni Evropian publikoi Raportin e tij të pestë për sundimin e ligjit, që për herë të parë përfshin edhe disa shtete kandidate – Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kjo u bë e ditur në kuadër të masave për integrimin gradual të vendeve kandidate. Për vitin e ardhshëm paralajmërohet përfshirje e vendeve të tjera kandidate.
Ky raport vjetor e vlerëson gjendjen e sundimit të ligjit në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe synon t’i mbështesë vendet kandidate në përpjekjet e tyre për reforma. Ndryshe nga instrumentet e tjera të sundimit të ligjit – procedura e shkeljes dhe neni 7 i TEU-së për pezullim, ky instrument kryesisht përdor dialogun si metodë dhe synon ngritjen e kulturës për sundimin e ligjit në shtetet anëtare përmes ndërgjegjësimit.
Jo rastësisht me Raportin publikohen edhe rezultatet e Eurobarometrit special për sundimin e ligjit. Ky hulumtimi i opinionit publik në BE, i cili fatkeqësisht nuk përfshin vendet kandidate, tregon se qytetarët e saj çmojnë shumë vlerat thelbësore të BE-së – 89% thonë se është e rëndësishme për ta që të gjitha vendet anëtare të BE-së të respektojnë vlerat thelbësore të BE-së, duke përfshirë të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe demokracinë. E rëndësishme është që 72% e evropianëve besojnë se BE-ja luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen sundimit të ligjit në vendin e tyre.
Sundimi i ligjit është përcaktuar si thelbësor për vlerat demokratike, të drejtat individuale dhe zhvillimin social dhe ekonomik, veçanërisht në kontekstin e sfidave të ndryshme sociale si dhe tensionet gjeopolitike
Ashtu si në vitet e mëparshme, raporti fokusohet në katër shtylla kryesore:
- Sistemet gjyqësore
- Kornizat kundër korrupsionit
- Liria dhe pluralizmi i mediave
- Çështjet lidhur me kontrollin dhe balancin institucional.
Sipas fjalëve të nënkryetares së KE-së, Vera Jurova, për vlerat dhe transparencën ka progres, por ka edhe stagnim, madje edhe regres në disa vende dhe në disa fusha.
Ka dallime të mëdha ndërmjet shteteve anëtare, nëse gjykohet nga niveli i zbatimit të rekomandimeve të vitit të kaluar, që është dukshëm kriteri më i matshëm. Komisioni Evropian thekson se 68% e rekomandimeve nga viti 2023 janë zbatuar (65% vitin e kaluar). Megjithatë, kjo përqindje jep një pasqyrë mjaft pozitive, duke pasur parasysh se Komisioni i konsideron të gjitha notat përveç “pa përparim” dhe “pa përparim të mëtejshëm” si veprime. Vlerësime të tilla janë: “përparim i caktuar”, “përparim”, “përparim i caktuar i mëtejshëm”, “përparim i konsiderueshëm” dhe “plotësisht e realizuar”.
Për dallim nga shtetet anëtare, për vendet kandidate nuk janë dhënë rekomandime, që do të thotë se vitin e ardhshëm as nuk do të mund të jepet vlerësim për zbatimin e tyre. Kjo redukton ndjeshëm krahasueshmërinë me shtetet anëtare, por gjithashtu tregon hapësirë për përmirësim në “integrimin gradual”.
Nota për Maqedoninë e Veriut
Për autoritetet maqedonase, por edhe më gjërë, për të gjitha subjektet relevante, është jashtëzakonisht e rëndësishme të njohin mesazhet e këtij Raporti, i cili publikohet vetëm tre muaj para raportit të rregullt vjetor për vendin dhe menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re. Edhe pse rezultate të mëdha nuk janë të mundshme, është shumë e rëndësishme se në cilin drejtim do të zhvillohen aktivitetet, si dhe cilësia e dialogut – të brendshëm dhe me BE-në.
Në këtë analizë fillestare, ne përqendrohemi në disa pika kryesore, kryesisht në elementet më të theksuara dhe më të reja në këtë raport në lidhje me Raportin Vjetor të Nëntorit 2023.
Raporti ofron një sërë argumentesh dhe dëshmish në mbështetje të vlerësimit se “pavarësia e gjyqësorit dhe kapacitetet institucionale mbeten çështje shqetësimi”. Raporti thekson masat e marra në lidhje me situatat shqetësuese të vlerësuara më parë të Këshillit gjyqësor. Paralajmërimi kryesor ka të bëjë me “shpërbërjen” e Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve publik të shpallur nga Qeveria e re: (me të drejtë) shkakton “shqetësim serioz” pasiqë do të cenonte pavarësinë e gjyqësorit.
Ndryshe, në anën pozitive janë miratimi i Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin dhe Planit të Veprimit, themelimi i Këshillit për Reforma, Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Misionit të TAIEKS për Këshillin gjyqësor, si dhe masat për përmirësimin e transparencës të marra nga kryetarët e Gjykatës së lartë dhe të Këshillit gjyqësor.
Shqetësuese është edhe tendenca e theksuar e uljes së efikasitetit të gjyqësorit – gjë që ka qenë pika e fortë e tij vitet e fundit. Është e qartë se mungesa kronike e burimeve financiare dhe njerëzore po e bën të vetën.
Ka një vonesë të konsiderueshme në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për luftën kundër korrupsionit, ndërsa veçanërisht kritik është rishikimi i ndryshimeve të vitit të kaluar në Kodin penal. Për faktin se rreziqet e larta të korrupsionit vazhdojnë, veçanërisht në sektorin e prokurimit publik dhe punësimeve në sektorin publik. Në raport thuhet se: “Mungon një qasje sistematike në trajtimin e korrupsionit për të adresuar emëruesit e përbashkët të faktorëve të rrezikut”. Fatkeqësisht, nuk mund të identifikojmë sinjale të reja që do të çonin në zgjidhjen e “emëruesve të përbashkët”, të identifikuar tashmë në Skrining Raportin, si për shembull “ndikimi i fortë politik në sektorin publik; shkalla e ulët e sanksionimit të sjelljeve korruptive; rregulloret jokonsistente; niveli i ulët i zbatimit të masave të integritetit; transparenca; sistemi mbikëqyrës dhe mekanizma kontrolli të pamjaftueshëm në sektorin publik”.
Përsëriten sfidat në lidhje me transparencën e pronësisë së mediave. Raporti shpreh shqetësim për rikthimin e reklamave mediatike të financuara nga shteti, duke përmendur paralajmërimet nga entitetet kombëtare për përçarje të mundshme të pluralizmit mediatik, si dhe keqpërdorim politik të financimit. Gjithashtu, megjithëse janë forcuar garancionet ligjore për mbrojtjen e gazetarëve, janë regjistruar kërcënime dhe raste të dhunës verbale dhe fizike ndaj gazetarëve dhe punonjësve në media.
Për sa i përket sistemit të kontrolleve dhe balancave, duhet marrë seriozisht kritikat e qarta për përdorimin e procedurave të shkurta, si dhe për cilësinë e ulët të sistemit të politikëbërjes, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i bazuar në dëshmi. Organizatat civile punojnë në një mjedis përgjithësisht favorizues, por konstatimet negative lidhur me zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit vazhdojnë, si mosfunksionimi i Këshillit për bashkëpunim me organizatat civile. Një nga treguesit në Raport është numri dhe veprimi në bazë të të ashtuquajturve “gjykime udhëheqëse” të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat u rritën në 17 gjykime më 1 korrik të këtij viti. Mungesa e burimeve dhe mosveprimi sipas rekomandimeve të Avokatit të Popullit janë gjithashtu objekt i kritikave.
Sfidat kryesore për qeverinë e re janë mënyra se si do t’i përgjigjet trendet negative dhe si do të reagojë ndaj “shqetësimeve serioze”. Nga ajo pritet të vazhdojë, gjegjësisht të avancojë dhe inkurajojë trendet pozitive dhe të ndërmer masa të mirëmenduara dhe efikase për të ndalur trendet negative. Dhe, sigurisht – për ta bërë këtë përmes një procesi të dialogut, të bazuar në argumente.
Didier Rejnders, Komisioneri për Drejtësi, në prezantimin e Raportit tha se pesë vitet e Raportit të BE-së kanë treguar se dialogu mund të ndihmojë për të arritur përparim të rëndësishëm. Prandaj shprehu besim se Raporti do të vazhdojë të jetë një rast për inicimin e debateve në nivel kombëtar dhe do të ndihmojë në inkurajimin e agjendave kombëtare të reformave..
Na mbetet të shprehim po të njëjtën siguri për “të ardhurit” në Raport – vendet kandidate.