Qytetarët nga rajoni i Pollogut diskutuan për zhvillimet e reja gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në Maqedoninë e Veriut

Sot në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, qytetarët e rajonit të Pollogut diskutuan për zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në Maqedoninë e Veriut në kuadër të projektit “Inkurajimi i analizës së politikave dhe debatit publik” i zbatuar nga EPI dhe i mbështetur nga NED.

Sipas tyre, kryesimi i OSBE-së do të kontribuojë që vendi të tregohet si pjesëmarrës i rëndësishëm në ngjarjet botërore dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në vend. Qytetarët patën qëndrim pozitiv edhe ndaj Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik me SHBA-në, nga e cila presin të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë, si dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Pjesëmarrësit në diskutim thanë se qytetarët janë të prekur nga kriza energjetike dhe ekonomike, prandaj nevojiten faktorë ndërkombëtarë për tejkalimin e tyre.

 

Pas diskutimit, qytetarët pëtgatitën pyetje që dolën nga diskutimi dhe ia drejtuan ministrit për punë të jashtme dhe krzesuesit te OSBE, z. Bujar Osmani dhe rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore, Abdulmenaf Bexhetieti, në pjesën e dytë të eventit.

Ata thanë se Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë mundësinë dhe pozitat e ndryshuara gjeopolitike në Evropë për të arritur anëtarësimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në këtë mënyrë të zhvillojë tregtinë dhe ekonominë së bashku me partnerët tanë nga BE-ja.

Ata e vlerësuan partneritetin strategjik me SHBA-në si garanci stabiliteti dhe prosperiteti dhe theksuan se çdo sukses i madh i vendit në 30 vitet e fundit ka vulën e SHBA-së apo BE-së.

Ky diskutim ishte i pari në kuadër të projektit “Inkurajimi i analizës së politikave dhe debatit publik” të cilin Instituti për Politikë Europiane – EPI e realizoi me mbështetjen e National Endowment for Democracy nga SHBA. Diskutimi në Tetovë, së bashku me ngjarjet e tjera debatuese që do të organizohen në qytete të tjera, do të jenë bazë për organizimin e Anketës Debatuese Kombëtare në vitin 2024.

Comments are closed.