Raporti në hije për Kapitullin 23 për periudhën tetor 2021 – shtator 2022
Ky raport në hije bashkon në një tërësi të vetme koherente të gjitha gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet që dolën nga monitorimi i fushave të përfshira në Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Ky është raporti i shtatë i tillë i publikuar nga Instituti për Politika Evropiane (EPI) – Shkup, duke marrë parasysh komentet dhe opinionet e organizatave joqeveritare. Gjashtë periudhat e mëparshme mbulojnë periudhat në vijim: tetor 2014 – korrik 2015, korrik 2015 – prill 2016, maj 2016 – janar 2018, qershor 2018 – mars 2019, prill 2019 – mars 2020 dhe prill 2020 – shtator 2021.
Rraporti mbulon periudhën nga fillimi i tetorit 2021 deri në fund të shtatorit 2022. Në raportin jepen të dhëna që janë të relevante edhe para tetorit 2021, kur nevojiten për kontekstualizimin apo sqarimin e risive nga periudha aktuale raportuese, të cilat janë të rëndësishme për periudhën raportuese. Periudha raportuese e raportit korrespondon me periudhën raportuese të Komisionit Evropian (KE) për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky raport ndjek strukturën e Kapitullit 23, sipas raportit të KE-së. Në fund të çdo fushe, në kornizë janë ndarë rekomandimet dhe konkluzionet kryesore.
Gjatë periudhës raportuese, vendi filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, pas heqjes së bllokadës bullgare dhe pranimit të “propozimit francez” me miratimin e kornizës negociuese. Më pas, më 27 shtator 2022, në Bruksel u mbajt takimi shpjegues për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, duke përmbyllur skriningun shpjegues për grupin e parë, “Themelet”. Skriningu dypalësh i Kapitullit 23 u zhvillua më 1 dhe 2 dhjetor 2022, kur Maqedonia e Veriut prezantoi shkallën e harmonizimit me drejtësinë e BE-së, strukturën institucionale për zbatimin e ligjeve të harmonizuara, planet për harmonizim të mëtejshëm, ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe TI për zbatimin e standardeve evropiane. Në periudhën e ardhshme do të jetë e nevojshme të ndërmerren aktivitete të dukshme që do të japin rezultate të matshme.