Tranzicion energjetik në Ballkan po shkon ngadalë dhe vështirë, përderisa BE-ja po na jep para
Shumë gjëra në Ballkan ndodhin në momentet e fundit. Me ftohjen e motit takimet dhe premtimet për një tranzicion energjetik të gjelbër në Ballkanin Perëndimor bëhen më të shpeshta. Brenda vetëm një muaji u njoftua një ndihmë urgjente nga Komisioni Evropian për tejkalimin e krizës energjetike, më pas u publikua një deklaratë e re për një tranzicion të gjelbër në kuadër të procesit të Berlinit dhe u mbajt një takim rajonal në Beograd. Ajo që është e përbashkët për këto është qasja e përforcuar rajonale, edhe pse edhe kjo nuk është asgjë e re.
Është fakt se deri më tani planet për një tranzicion energjetik të gjelbër në rajon, që mbi të gjitha nënkupton zëvendësimin e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri me burime të rinovueshme, nuk janë realizuar. Ekspertët e pavarur theksojnë se një nga problemet kryesore është mungesa e një vizioni për tranzicionin energjetik të vendeve të rajonit. Për fat të keq, edhe në analizë, por edhe në planifikim dhe në zbatim, përfshirë këtu edhe financat, rajoni është tërësisht i varur nga ndihma e huaj. Vonesa ka si në planifikim ashtu edhe në zbatim.
Sipas raportit të rrjetit të pavarur CAN (Climate Action Network – Rrjeti për Veprim Klimatik), vetëm dy shtete (Maqedonia dhe Shqipëria) i kanë dorëzuar në Komunitetin e Energjisë planet e tyre kombëtare për energjinë dhe klimën. Në këtë drejtim vetëm plani i Maqedonisë i ka zbatuar pjesërisht rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, por edhe në këto dy plane duhet të punohet edhe më tej.
Nga miratimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor e deri më sot gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Agresioni rus në Ukrainë ka çuar deri në një ndryshim urgjent të agjendës së gjelbër të BE-së me planin e ri “RePower EU”, i cili ka përshpejtuar dinamikën me qëllimin për të hequr sa më shpejt dhe plotësisht varësinë nga gazi rus deri në vitin 2030. Pritet që së shpejti ky të rrumbullakohet me një kornizë përkatëse legjislative. Për fat të keq as në këtë plan nuk ka një trajtim të veçantë për Ballkanin Perëndimor.
Por vlerësohet se futja e mekanizmit për përshtatje të karbonit në kufijtë (CBAM) e planifikuar nga Bashkimi Evropian për vendet e treta do të ketë implikime financiare negative për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Me pak fjalë me këtë mekanizëm propozohet vendosje e një takse për produktet e importuara në BE në prodhimin e të cilave përfshihet ndotje me karbon, ndërsa ky mekanizëm kërkon edhe përgatitje dhe procedura serioze administrative. Në Deklaratën e fundit të Procesit të Berlinit për Sigurinë Energjetike dhe Tranzicionin e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor kërkohet që të shmanget futja e CBAM dhe në vend të kësaj të shkohet drejt zbatimit të Sistemit Evropian të Tregtimit të Emetimeve. Mbetet për t’u parë nëse kjo kërkesë është realisht e realizueshme, duke qenë se korniza legjislative tashmë është në fazën përfundimtare.
Dhe përderisa në rajon po rinovohen diskutimet për planet afatgjata për tranzicionin energjetik me shpresën se ato do prodhojnë rezultate më konkrete dhe më shumë vizion dhe vullnet politik në rajon, më urgjente është pyetja se si ta mbijetojmë dimrin që vjen. Padyshim që në funksion do të vihen të gjitha burimet në vend, ndërsa braktisja e qymyrit si burim do të jetë në planet për disa kohë më të mira. Në buxhetet kombëtare po ndahen më shumë mjete për ta evituar goditjen e çmimeve të larta të energjisë elektrike. Sipas vlerësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, mendohet se këto vende për t’i kapërcyer efektet më urgjente të krizës energjetike do shpenzojnë rreth 200-260 milionë euro secili.
Sigurisht që ndihma vjen nga Bashkimi Evropian. Ajo është e mirëpritur, por të shohim se çfarë do të thotë. Nga gjithsej 1 miliard eurot e premtuar, 500 milionë euro janë ndihmë emergjente. Çdo vend në rajon do të marrë nga 70 deri në 165 milionë euro si një injeksion direkt në buxhet ose në formë të granteve (shuma për Malin e Zi mbetet e panjohur). 500 milionë eurot e tjera janë mjete për projektet e parapara në Planin Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nuk u tha nëse këto do të jenë mjete të reja, kështu që është pothuajse e sigurt se ato janë nga mjetet ekzistuese të IPA.
Një çështje më vete është edhe se për çfarë shpenzohen mjetet nga Plani Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor. Projektet më të njohura dhe të padiskutueshme janë sigurisht ato të tipit të termocentraleve fotovoltaike Oslomej dhe Manastir, apo investimet në efiçencën energjetike në më shumë vende të rajonit – për shembull në shkollat në Shqipëri. Megjithatë, disa projekte të mëdha janë investime në gazsjellës, gjegjësisht në lidhjen e tyre. Shumë organizata joqeveritare nga rajoni së bashku me rrjetin “Bankwatch” kanë reaguar qysh në pranverë se Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë për përforcimin e infrastrukturës së gazsjellësit, duke pasur parasysh se varësia e tij nga gazi është shumë më e ulët se ajo e Bashkimit Evropian. Për më tepër, alternativa për gazin rus – gazi azerbajxhanas – nuk është shumë e sigurt, duke marrë parasysh jo vetëm nevojat për investime shtesë, por edhe rrethanat politike. Sidoqoftë, BE këtë verë bëri një marrëveshje që dyfishoi furnizimin e BE-së me gaz nga Azerbajxhani.
Energjia e hidrogjenit në Ballkanin Perëndimor ende është një temë hapja e të cilës po bëhet me ngurrim dhe kjo është një nga fushat në të cilat BE-ja ka ndarë mjete të konsiderueshme për hulumtim dhe zhvillim, ndërsa shtetet anëtare kanë zhvilluar edhe strategji për përdorimin e saj. Ekspertët tashmë po paralajmërojnë se infrastruktura e planifikuar e gazsjellësit në Ballkan do të duhet të përshtatet edhe për përdorimin e hidrogjenit.
Na mbetet vetëm të shpresojmë se liderët e rajonit në krizën e këtij viti do ta shohin dhe do ta shfrytëzojnë mundësinë për një vështrim më afatgjatë drejt sigurisë energjetike të secilit vend në veçanti dhe të rajonit.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.