Renome-ja Suedeze dhe sfidat e kryesimit me BE-në
Prioritetet e kryesimit Suedez nuk janë befasi. Ato janë vazhdimësi e prioriteteve të kryesimit Çek, sigurisht me ngjyrë të theksuar Suedeze. Programi konciz paralajmëron një angazhim të fokusuar të aparatit administrativ dhe diplomacisë me përvojë të këtij vendi nordik. Megjithatë, nuk pritet që kryesimi të kalojë pa sfida. Disa nga ato vijnë nga vetë konstelacioni politik brenda Suedisë, ndërsa më së shumti – nga konstelacionet ndërkombëtare dhe gjendjet në BE.
Qeveria minoritare e të djathtës qendrore Suedeze e ka mbështetjen e demokratëve Suedez të djathtë të skajshëm, kështu që analistët parashtrojnë pyetjen se në çfarë mase kjo do të ketë ndikim mbi presidencën, kundrejt garancive të Kryeministrit Kristerson se ndikimi i kësaj partie do të mbetet në kuadër të çështjeve të brendshme politike suedeze.
Sfida më e madhe sigurisht është lufta në Ukrainë dhe prej aty prioriteti i parë i programit është “Siguri-unitet”. Vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare prej 18 miliardë eurosh, është një nga detyrat e para. Nga ana tjetër, çështja e konfiskimit të mjeteve të ngrira ruse do të jetë një “gështenjë e nxehtë”. Edhe vetë Kryeministri suedez e pranon se disa aspekte të këtij prioriteti janë të paparashikueshme, por disa të tjera – si vetë rrjedha e luftës – nuk janë. Kështu, Suedia paralajmëron gatishmëri edhe për menaxhimin me kriza të cilat mund të imponohen nga lufta. Duhet të merret parasysh edhe se në tryezë është e kandidatura e Suedisë për anëtare të NATO-s, e cila ende është nën bllokadën turke. E dukshme është se Programi ka edhe një shikim para mbi krizën në Ukrainë, përgatitje për periudhën e pasluftës drejt “rikonstruimit dhe reformës për eurointegrim”, duke e theksuar nevojën e një platforme ndërkombëtare për koordinim të rikonstruimit.
Sfida kyçe për prioritetin e dytë “Konkurenca” janë këndvështrimet e ndryshme brenda Unionit, posaçërisht në drejtim të përgjigjeve të mundshme ndaj mbështetjes së fuqishme buxhetore amerikane ndaj kompanive të tyre, me pasoja të të mundshme të fuqishme mbi tregtinë me BE-në. Presidenca suedeze do të vendoset para kërkimit të kompromiseve midis qasjes suedeze në tregun e hapur, forcimit të konkurencës dhe risive kundrejt përpjekjeve franceze dhe italiane që ndaj sfidës amerikane të përgjigjen me masa adekuate (mbrojtëse).
Prioriteti i tretë është tranzicioni i gjelbërt dhe energjetik. Nga Suedia, si lider në këtë fushë, pritet një angazhim i fortë dhe kredibil. Edhepse nuk parashihen gjendje të reja urgjente në fushën e energjetikës, realizimi i këtij prioriteti nuk do të jetë i lehtë, sepse në këtë periudhë gjashtë mujore duhet të përfundojnë negociatat ndërinstitucionale për paketën e masave legjislative të Programit “Të gatshëm për 55”.
Së fundi, prioriteti i katërt dhe i pritshëm, janë vlerat demokratike dhe sundimi i të drejtës. Është theksuar lufta kundër krimit të organizuar, por edhe çështja e imigracionit.
Me siguri që nëpërmjet prizmës të këtij prioriteti të fundit do të vlerësohen edhe marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, siç është shënuar dhe në program. Përndryshe, Programi është relativisht koprrac në fjalë në lidhje me zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor, duke thënë se do ta vazhdojë “procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, me mbështetje ndaj reformave në procesin e qasjes, sigurisht duke i dhënë prioritet gjyqësisë dhe sundimit të së drejtës. Mirëpo, si edhe shumë herë deri tani, aktiviteti i ardhshëm i kryesuesit nuk mund të parashihet vetëm nëpërmjet koprracisë ose pasurisë së premtimeve, por edhe nëpërmjet hapave konkretë. Kështu që, mund të pritet kujdes, por edhe qëndrueshmëri. Suedia ka strategji të qartë për mbështetjen e reformave në rajon dhe është fuqishëm e pranishme nëpërmjet përfaqësive të saj diplomatike dhe implementimit të Programit të veçantë për mbështetjen e reformave – SIDA. Kështu, presidenca aktuale me BE-në është edhe njohëse e mirë e gjendjeve në Ballkan. Edhe në makinerinë e saj profesionale të angazhuar për Presidencës ka diplomatë me përvojë që e njohin Ballkanin, e midis tyre edhe sekretari shtetëror për çështjet evropiane Kristian Danielson, midis tjerash, edhe si drejtor i mëparshëm gjeneral në Direktoratin Gjeneral për zgjerim.
Edhe pse analistët vlerësojnë se Ballkani Perëndimor do të jetë në hije të luftës së Ukrainës edhe këto gjashtë muajt në vijim, Suedia do të duhet të përballet edhe me krizat që vazhdojnë të digjen në Ballkan, ndërsa BE-ja tashmë më gjatë kohë është në atë modusin e “fikjes së zjarreve”, para së gjithash – gjendjeve në veriun e Kosovës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.