A do ia dalë mbanë BE-ja të parandalojë një “Kembrixh Analitika” të re?
Më 13 dhjetor në Këshillin për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian ministrat diskutuan edhe për transparencën dhe marketingun politik dhe përforcuan qëndrimin e tyre para negociatave për këtë çështje me Parlamentin Evropian. Kjo pikë nuk tërhoqi shumë vëmendje, mbase sepse nuk është as fillimi, por dhe as fundi i punës. Më shumë mund të thuhet se është diku në mes. Paketa për transparencën dhe marketingun politik është pjesë e zbatimit të Planit Evropian të Veprimit për Demokraci të propozuar në nëntor të vitit 2021. Propozimi kryesor është Rregullorja e re për transparencën dhe targetimin në marketingun politik. Krahas kësaj propozohen edhe tekste të reja të rregullores për partitë politike evropiane, si dhe direktivat për të drejtat e votuesve mobil për zgjedhjet në Parlamentin Evropian dhe zgjedhjet komunale në shtetet anëtare.
Motivi kryesor i cili nxiti harmonizimin e ligjit në këtë fushë në BE ishte teknika e zhvilluar për targetimin e votuesve nga Kembrixh Analitika (ndër të tjera e përdorur edhe në fushatën presidenciale të Trump-it dhe në referendumin për Brexit-in). Me pak fjalë, targetimi është një teknikë të cilën e përdor sponsori i reklamave për të përcaktuar personat tek të cilët dëshiron të arrijë – në varësi të përmbajtjes së faqes së internetit të cilën qytetari e shfleton ose në varësi të karakteristikave të tij/saj personale. Përdorimi dhe përpunimi i një sasie të madhe të të dhënave personale në këtë mënyrë paraqet një rrezik të madh për manipulimin e proceseve zgjedhore dhe në përgjithësi edhe të hapësirës publike.
Rregullorja e propozuar i referohet transparencës dhe marketingut politik, duke përfshirë këtu edhe targetimin. Ajo nuk synon harmonizimin e kushteve dhe kërkesave të tjera thelbësore të procesit zgjedhor, të cilat janë ekskluzivisht nën kompetencë të shteteve anëtare.
Rregullat kombëtare ekzistuese janë shumë të fragmentuara. Të gjithë anëtarët kanë njëfarë rregullash, por që janë shumë të ndryshme sa i përket marketingut politik, madje kanë edhe përkufizime të ndryshme. Sa i përket hapësirës online, vetëm 17 vende anëtare kanë rregulla dhe vetëm 3 prej tyre kanë rregulla të veçanta për marketingun politik online. Intervenimi i BE-së shpjegohet me gjendjen e fragmentimit të tregut të brendshëm, sigurinë e zvogëluar ligjore për ofruesit e shërbimeve të marketingut politik, barrierat ekzistuese për lëvizjen e lirë të shërbimeve të ngjashme dhe konkurrencën e çrregulluar në tregun e brendshëm. Nga ana tjetër, vlerësohet se masat aktuale të vetërregullimit në nivel të BE-së nuk po i japin rezultatet e nevojshme.
BE-ja fillimisht e trajton këtë fushë nga aspekti i lirisë së ofrimit të shërbimeve, por edhe nga aspekti i mbrojtjes të të dhënave personale. Natyrisht, implikime ka edhe ndaj të drejtave themelore.
Rregullorja parashikon një sërë detyrimesh për transparencë të ofruesve të shërbimeve të marketingut. Çdo reklamë politike do të duhet të identifikohet qartë si e tillë dhe duhet të shënohet sponsori, por edhe të përmbajë ose ta bëjë lehtësisht të qasshme të ashtuquajturën shpallje për transparencë, e cila duhet të sigurojë një kuptim të kontekstit më të gjerë dhe qëllimit të reklamës. Ndër të tjera, ajo do të duhet të ketë informacion për kontakt me sponsorin, periudhën e reklamimit, si dhe për fondet e shpenzuara.
Rregullorja e propozuar i tangon ofruesit e shërbimeve të marketingut, si dhe subjektet politike – partitë politike, kandidatët, fondacionet, por edhe organizatat civile që përdorin reklama. Është pikërisht kjo e fundit ajo që shkakton dilema për shkak të rrezikut të kufizimit të reklamimit të organizatave të shoqërisë civile për avokimin e qëllimeve legjitime të politikave me interes publik, por edhe nevojës për të parandaluar abuzimin e organizatave joqeveritare nga subjektet politike.
Ky propozim parasheh që zbatimi të bëhet në nivel kombëtar. Disa kritikë e parashtrojnë pyetjen e efikasitetit të kësaj qasjeje, veçanërisht sepse, edhe pse parashihet detyrimi për shtetet anëtare për të parashikuar sanksione, nuk përcaktohet një sanksion minimal.
Kritikat më të mëdha për këtë propozim kanë të bëjnë me targetimin. Edhe propozimi origjinal i Komisionit u vlerësua si nga mjaft i moderuar deri në joefektiv. Për shembull, mendimi i Mbikëqyrësit Evropian për mbrojtjen e të dhënave është se propozimi aktual nuk ofron më shumë mbrojtje sesa legjislacioni ekzistues për mbrojtjen e të dhënave, duke u zotuar për një ndalim gjithëpërfshirës të mikro-targetimit. Të fuqishëm janë edhe zërat për një ndalim gjithëpërfshirës të mikro-targetimit në Parlamentin Evropian. Diskutimi pritet të intensifikohet me kalimin e propozim-rregullores në fazën e bisedimeve mes Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Miratimi i saj është planifikuar për në pranverën e vitit të ardhshëm.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.