Debata nacionale për reformat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut: Reformat zgjedhore përmes prizmit të perceptimeve qytetare
Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë themeli i shoqërisë demokratike, ku interesat e qytetarëve përfaqësohen dhe jepet llogari për to. Maqedonia e Veriut ka pësuar shumë cikle reformash zgjedhore që nga pavarësia e saj, megjithatë ato kryhen më shpesh në prag të zgjedhjeve të radhës, duke kufizuar hapësirën dhe kohën për një debat publik gjithëpërfshirës dhe transparent. Duke synuar të kapërcejë hendekun e dialogut të copëzuar dhe jo-përfshirës mbi reformat zgjedhore, Instituti i Politikave Evropiane zhvilloi Debatin Kombëtar mbi Reformat Zgjedhore në maj dhe qershor 2022, për të hedhur dritë mbi rezultatet e mundshme të ndryshimeve në modelin zgjedhor që janë diskutuar nga partitë politike dhe aktorët e politikës në vend.
ebati Kombëtar u organizua duke ndjekur metodën e sondazhit dliberativ, të zhvilluar në Qendrën për Demokraci Deliberative në Universitetin e Stanfordit. Sondazhi deliberativ është një formë unike e konsultimit politik që kombinon teknikat e anketimit dhe diskutimit publik, ku pjesëmarrësit anketohen mbi çështjet e synuara para dhe pas përfshirjes në dialog me ekspertë dhe figura politike. Ndryshimet në opinion para dhe pas debatit pasqyrojnë preferencat e qytetarëve, nëse ata do të kishin mundësi të informoheshin më shumë dhe të angazhoheshin më shumë në çështjen(et). Qëllimi kryesor i Debatit Kombëtar ishte rritja e përfshirjes së qytetarëve në reformën e ardhshme të sistemit zgjedhor, nëpërmjet një dialogu gjithëpërfshirës, objektiv me ekspertët përkatës dhe vendimmarrësit.
Sondazhi fillestar u krye në maj dhe përfshinte pyetje rreth njohurive dhe opinioneve/qëndrimeve. Përpara ngjarjes, pjesëmarrësit u pajisën me materiale informuese të balancuara, të shqyrtuara nga ekspertët përkatës për të siguruar informacion të paanshëm dhe objektiv, i cili shërbeu si bazë për diskutimet me ekspertët dhe figurat politike. Pas ngjarjes, pjesëmarrësve iu bë i njëjti sondazh, për të matur ndryshimet në perceptimet e tyre mbi temat e diskutuara. Rezultatet e të dy sondazheve u analizuan duke përdorur testin ANOVA të variancës, për të kontrolluar çdo dallim statistikisht të rëndësishëm në mendimet e qytetarëve para dhe pas ngjarjes deliberative.
Ndërsa ka shumë aspekte të sistemeve zgjedhore dhe modeleve të ndryshme zgjedhore në të gjithë botën, për shkak të kufizimeve kohore, Debati Kombëtar për Reformat Zgjedhore u përqendrua në zgjedhjet parlamentare, duke mbuluar katër tema: (1) numri i njësive zgjedhore, (2) llojet e listave, (3) votimi jashtë vendit dhe (4) regjistrimi i votuesve. Tema e parë mbulonte dy skenarë të mundshëm reformash: i gjithë territori i vendit është një njësi zgjedhore ose status quo – vendi mbetet i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore. Tema e dytë mbulonte listat e hapura apo të mbyllura për kandidatët për deputetë. Tema e tretë mbulonte tre skenarë: status quo – jo-rezidentët votojnë dhe zgjedhin deri në tre deputetë, jo-rezidentët votojnë dhe zgjedhin një deputet dhe jo-rezidentët nuk votojnë fare. Së fundi, tema e fundit mbuloi dy skenarë: regjistrimin aktiv dhe pasiv të votuesve.
Në vijim, kjo përmbledhje e politikave përshkruan dhe diskuton gjetjet kryesore për secilën nga temat e diskutuara në Debatin Kombëtar, dhe paraqet rekomandimet e politikave për palët përkatëse të interesit.