REpowerEU – plan i ri për furnizim të sigurt të BE-së me energji
REpowerEU – plan i ri për furnizim të sigurt të BE-së me energji
Kur , rreth një vit më parë, u ndez kriza e energjisë të paktë ishin ata që parashikuan se do të ishte afatgjatë. Agresioni rus ndaj Ukrainës i ndryshoi plotësisht parashikimet dhe planet, ndërsa energjetika u lidh edhe më ngushtë me gjeopolitikën.
Varësia nga lëndët energjetike ruse (gazi – 45,3%, nafta – 27%, qymyri – 46%) pamundësoi sanksione më të ashpra të BE-së ndaj Rusisë. Pavarësisht që kompanitë ruse me lëndë energjetike po udhëtojnë ende drejt BE-së, planet për zëvendësimin e tyre po përgatiten intensivisht. Plani REpower, të cilin e paraqiti Komisioni Evropian në fillim të marsit, parashikon masa në tre fusha:
- Ndërhyrje për kontroll të çmimeve;
- Mbushja e rezervave të gazit për dimrin e ardhshëm;
- Ulja e varësisë nga gazi rus.
Komisioni Evropian propozon që çmimet, tashmë jashtëzakonisht të larta të lëndëve energjetike, të kontrollohen duke e zgjeruar mundësinë e rregullimit të tyre, ndihmën shtetërore, si dhe tatimin e fitimeve dhe të ardhurave shtesë nga skemat e tregtimit të emetimeve të karbonit.
Masa afatshkurtër është mbushja e rezervave të gazit për dimrin e ardhshëm, që ka qenë një nga grykat e ngushta deri tani.
Fusha kryesore e ndërhyrjeve, e cila e ka tërhequr vëmendjen më të madhe për shkak të efektit të saj afatgjatë, por edhe për pasojat që do të shkaktojë është ulja e varësisë nga gazi rus. Angazhimi kryesor është përshpejtimi i realizimit të objektivave të Planit “Fit for Europe 55” (deri në vitin 2030), me synime ambicioze që propozohen për fund të vitit.
Masat kryesore të propozuara deri tani përfshijnë:
- Masa të efikasitetit energjetik (pompat e nxehtësisë, çatitë diellore, etj.);
- Përshpejtimi i lejeve dhe projekteve për energjinë e rinovueshme;
- Diversifikimi i furnizimit me gaz;
- Përshpejtimi i de-karbonizimit, duke përfshirë kalimin në hidrogjen të rinovueshëm (rritja e prodhimit dhe forcimi i infrastrukturës së importit);
- Dyfishimi i objektivave për prodhimin e bio-metanit (prodhimi bujqësor, etj.)
Këto orientime kryesore u konfirmuan në samitin joformal të krerëve të shteteve dhe qeverive që më 11 mars u mbajt në Versajë, si dhe në Këshillin e Evropës më 24 dhe 25 mars të këtij viti. Këshillit Evropian iu bashkëngjit edhe Presidenti i SHBA-së Bajden, ndërsa në deklaratën e përbashkët është theksuar bashkëpunimi BE-SHBA për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile ruse dhe kalimin në energji të rinovueshme.
Megjithatë, masat e propozuara nga Komisioni Evropian ende nuk janë përcaktuar plotësisht, si dhe nuk janë miratuar nga Këshilli i BE-së. Prandaj, jepet hapësirë që shtetet anëtare dhe palët e interesuara të deklarohen, që Plani të miratohet deri në maj të këtij viti.
Kjo kohë është e vlefshme edhe për vendet e rajonit që të përfshihen në krijimin e masave politike, veçanërisht pasi tashmë ekziston një kornizë e përbashkët në këtë fushë – Komuniteti i Energjisë, i cili përfshin vendet e rajonit, por edhe Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Në dokumentet ekzistuese të BE-së parashikohet që këto shtete mund të marrin pjesë në prokurimin e përbashkët vullnetar, me vendet anëtare të BE-së, të gazit, të gazit natyror të lëngshëm dhe hidrogjenit. Kjo u mirëprit nga përfaqësuesit e vendeve të rajonit, përfshirë edhe qeverinë tonë. Megjithatë, deri më tani përfshirja e tyre domethënëse në krijimin e politikave të reja apo vlerësimet e ndikimit të tyre në rajon (as në nivel të Komunitetit të Energjisë apo të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal) nuk është e dukshme.
Rirreshtimi energjetik i BE-së nuk do të jetë aspak i thjeshtë dhe i lehtë. Siç paralajmëron think-tanku ekonomik Brojgel, vendimet e vështira do të duhet të merren brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, ndaj nuk mund të priten zgjidhje të përsosura. Zëvendësimi i gazit rus, sipas këtij Instituti, sjell tre sfida kryesore: 1) të sillet sa më shumë gaz në Evropë dhe të mos paguhet më shumë; 2) shpërndarja e gazit në Evropë dhe 3) shpërndarja e kostove për këtë operacion. Sa për ilustrim – çmimet e gazit natyror të lëngshëm janë dyfishuar vitin e kaluar.
Dhe në fund, do të jetë vështirë të parashikohen zhvillimet rreth krizës së shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës, ndërsa në lidhje me këtë – flukset globale dhe tregjet e energjisë, po rirreshtohen intensivisht. Ekspertët, ndër të tjera, paralajmërojnë pasoja të mundshme më të mëdha për vendet më të varfra – si në aspektin e çmimeve të lëndëve energjetike ashtu edhe nëpërmjet të të ashtuquajturave efekte anësore.