Evropa e “rrathëve koncentrike” përsëri në skenë

– Debatet mbi integrimin e diferencuar në BE po ngjallen –

Që nga themelimi i Bashkimit Evropian jetojnë idetë për të ashtuquajturin “Integrim i diferencuar”. Ky term nënkupton forma të ndryshme të integrimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare dhe atyre jo anëtare të BE-së. Zakonisht bëhet dallimi ndërmjet aspektit të brendshëm të kësaj çështjeje, që vlen për anëtarët e BE-së, dhe aspektit të jashtëm – të atyre që nuk janë anëtarë.

Arsyet që çuan në zhvillimin e koncepteve të ndryshme të integrimit të diferencuar janë kryesisht diversiteti në rritje midis anëtarëve të BE-së, por edhe interesat dhe preferencat e ndryshme të shteteve anëtare. Debati rreth tyre zakonisht përshkallëzohet para ndryshimeve të legjislacionit primar të Unionit – të marrëveshjeve të tij themeluese. Këto ide kanë ardhur nga protagonistë të ndryshëm nga shtete të ndryshme anëtare – nga De Goli me propozimin e tij për një Drejtori të disa shteteve anëtare midis disa anëtarëve të komunitetit ekonomik, nëpërmjet Vili Brandit me idenë e tij për të bërë shkallëzimin e integrimit, e deri te Miterani e Spineli me përpjekjen për të vendosur “bërthamën evropiane” në legjislacionin themelor të Unionit.

Sipas modelit të gjeometrisë variabile, shtete të ndryshme anëtare marrin pjesë në politika të ndryshme, brenda një koncepti të përbashkët të integrimit. Sipas modelit të Evropës “me më tepër shpejtësi”, të gjitha shtetet anëtare marrin pjesë në të gjitha politikat, por në kohë të ndryshme, varësisht nga aftësisë e tyre për zbatim. Modeli i Evropës à la carte (ose “Evropa e klubeve”) është paraqitur si një meny restoranti – çdo vend merr pjesë në ato politika dhe metoda bashkëpunimi ose integrimi që do t’i zgjedh vetë.

Siç ndodh zakonisht, modelet teorike nuk realizohen plotësisht në praktikë. Megjithatë, ata kanë qenë frymëzim për vendosjen e themeleve për forma të ndryshme të integrimit dhe bashkëpunimit, në mënyrë që integrimi i diferencuar brenda Unionit të jetë realitet. Kështu, jo të gjitha shtetet anëtare marrin pjesë në Unionin Unik Monetar – disa sepse nuk duan, të tjerët sepse nuk i përmbushin kushtet. Danimarka dhe Malta nuk marrin pjesë në bashkëpunimin e strukturuar të përhershëm për siguri dhe mbrojtje. Përveç kësaj, Danimarka dhe Irlanda e kanë përjashtuar veten nga një formë bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Komisioni Evropian në vitin 2017 prezantoi një Libër të Bardhë me pesë skenarë për BE-në, i cili përfshin gjithashtu opsione për gjeometri variabile.

Ideja e një Evrope të rrathëve koncentrike, që lidhet me Presidentin më të suksesshëm të Komisionit Evropian Zhak Delor, paraqitet në formën më të thjeshtë si mundësi për të organizuar BE-në në rrathë të ndryshme, bërthama e të cilave do të ishin anëtaret në të gjitha fushat e integrimit, ndërsa periferia – rrathët e tjera me shkallë të ndryshme integrimi. Konkretisht, koncepti i Delorit përbëhej prej katër rrathëve: bërthama federale ose rrethi i brendshëm, rrethi i dytë që përbëhet nga Zona Ekonomike Evropiane, i treti që përbëhet nga një rrjet marrëveshjesh bashkëpunimi dhe i katërti që përbëhet nga marrëveshje me natyrë gjeometrike të ndryshueshme. Ky koncept deri diku është duke u realizuar. Aspekti i jashtëm i integrimit të diferencuar reflektohet më fuqishëm në zonën ekonomike evropiane, por edhe në SHENGEN, në të cilin nuk marrin pjesë të gjitha vendet anëtare të BE-së, por marrin pjesë shtetet anëtare të Zonave Evropiane Ekonomike të EFTA-s.

Qysh në vitin 2018 presidenti francez Makron, që sapo zgjedhur për herë të dytë, e inauguroi vizionin e tij të autonomisë strategjike për BE-në, i cili e përfshin konceptin e rrathëve koncentrike. Ai flet për tre rrathë koncentrike: bërthama e bashkëpunimit të forcuar dhe një shkallë më të lartë të integrimit; tregu i përbashkët dhe “Evropa më e gjerë”. Sipas tij, realizimi i këtij vizioni nënkupton rishikim të marrëveshjeve të BE-së, natyrisht duke përfshirë edhe ndryshimet institucionale, si p.sh. zvogëlimin e numrit të anëtarëve të Komisionit Evropian.

Nuk është për t’u habitur që euro-deputeti Gati, nga grupi politik i Makronit, në diskutimin e tij para pak kohësh në Komisionin për Punët e Jashtme e aktualizoi sërish konceptin e rrathëve koncentrike, të cilin ai e konfirmoi edhe në intervistën për AIM, këtë herë në kontekstin e aplikimit të Ukrainës (dhe Gjeorgjisë dhe Moldavisë) dhe implikimeve të saj për perspektivat e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Paralelisht, në metodologjinë ekzistuese të zgjerimit po paraqiten edhe ide për përfshirje të “aderimit në faza”, si përpjekje për të thyer ngecjen në procesin e anëtarësimit – si në nivel idesh ashtu edhe në nivel të praktikës.

Reagimi i qeverive të vendeve të rajonit ndaj ideve të ndryshme të tilla (të vjetra apo të reja) ka gjasa të jetë negativ, duke parë në to alternativa për anëtarësim. Sidoqoftë, nuk është opsion që ato të injorohen.

Comments are closed.