Bashkësia e re gjeopolitike evropiane – propozime të reja, interesa dhe koncepte të vjetra
Më pak se një muaj më parë, shkruanim për ide për lloje të ndryshme të integrimit në BE, duke theksuar se diskutimi për këto çështje po ringjallet. Ndërkohë, më 9 maj, presidenti francez Macron doli me idenë e një bashkësie të re politike evropiane, të cilën më pas e mori Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. Për ta bërë skenën më interesante, disa burime (Corriere della Sera nga Italia) pohojnë se kryeministri britanik Johnson ka propozuar Komonuelthin e Kombeve si alternativë apo pandan të BE-së.
Në propozimi i Macron-it dhe Michel-it flitet për “bashkësi politike evropiane” ose “bashkësi gjeopolitike evropiane”. Shumë gjëra të rëndësishme nuk janë të dukshme në këtë propozim. Fillimisht nuk është e qartë se për cilat shtete ka të bëjë ai propozim. Përmendet mundësia e përfshirjes së atyre që duan të anëtarësohen në BE në të ardhmen, edhe për ata që nuk duan ose tashmë janë larguar nga BE-ja. Tipari i parë dhe tani më i rëndësishëm i kësaj bashkësie është se, të paktën tani për tani, nuk garanton anëtarësim në BE. Të parat që njihen në këtë iniciativë janë vendet e Partneritetit Lindor – natyrisht, para së gjithash Ukraina, dhe sigurisht edhe Gjeorgjia e Moldavia. Është mjaft e qartë se qëllimi më i rëndësishëm i propozimit është amortizimi i ambicieve të shfaqura rishtazi për anëtarësim në BE të vendeve të Partneritetit Lindor, duke i dhënë një përgjigje të përshtatshme politike krizës aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë.
Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, gjërat bëhen të mjegulluara. Propozuesit janë përpjekur që ta ndajnë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor si çështje më vete, duke i përsëritur sloganet tashmë të njohura kur u promovua metodologjia e re për zgjerimin – se BP duhet ta përshpejtojë procesin, ta bëjë më meritokratik, etj...
Megjithatë, ende mbeti pezull dilema më e madhe – nëse këto vende do të hyjnë në bashkësinë e re politike dhe si do të ndikonte kjo në perspektivat e tyre për anëtarësim, të cilat BE-ja i premtoi njëzet vjet më parë. Akoma më e ndjeshme është çështja nëse të gjitha vendet që tashmë janë në këtë grup, apo vetëm disa prej tyre do të qëndronin në dhomën e pritjes. Këto dyshime janë shtuar sepse në fjalimin e Macron-it, më 9 maj, por edhe më tepër në konferencat për shtyp pas kësaj, ai bëri një dallim midis atyre vendeve që e kanë filluar procesin e anëtarësimit dhe atyre që nuk e kanë bërë.
Deri tani askush nuk e ka përmendur Zonën Ekonomike Evropiane apo Zonën e Tregtisë së Lirë. Në ofertën aktuale nuk është e dukshme se çfarë do të ishte tërheqëse për ta.
Nuk është e qartë se çfarë forme institucionale do të merrte bashkësia e re. Presidenti francez Macron flet për “organizim të ri politik”, që tashmë do të nënkuptonte institucionalizimin. Hapësira institucionale evropiane, për ta thënë më butë, është shumë e zhvilluar, shtrohet pyetja e mbivendosjes me kornizën ekzistuese të bashkëpunimit, siç është Këshilli i Evropës. Tani për tani nuk shtrohet pyetja se çfarë aranzhime – marrëveshje etj., përveç atyre ekzistuese, do të propozoheshin dhe çfarë harmonizimesh do të nevojiteshin për këtë.
Ajo që është pak më e qartë janë prioritetet e bashkësisë së re politike. Kjo do të ishte së pari politika e përbashkët e sigurisë dhe ajo e jashtme. Fusha të tjera të bashkëpunimit më të zhvilluar përfshijnë programet socio-ekonomike që nuk kërkojnë shumë rregullim, transporti dhe energjetika, por edhe lëvizja e lirë e njerëzve. Kjo ndryshon nga prioritetet e më shumë se dy dekadave të stabilizimit dhe shoqërimit të procesit “të vjetër”, të cilat po ndryshojnë edh më tej “në lëvizje”, duke shkaktuar kështu konfuzion plotësues.
Është gjithashtu mjaft e qartë se prej nga vijnë prioritetet e tilla. Prioritetet e Francës për pavarësinë e sigurisë së BE-së nuk janë aspak të reja dhe rëndësia e Francës për infrastrukturën në vendet jashtë BE-së është e njohur mirë. Nëse informacioni për propozimin britanik është i saktë – ai kujton përkushtimin britanik për një formë alternative të asociimit që nga koha e formimit të BE-së.
Megjithatë, është e qartë se propozimet e reja duhet të interpretohen në kontekstin e riorganizimit të aktorëve në kontinentin evropian në kushtet e reja gjeopolitike.
Dhe – sidoqoftë, pavarësisht pritshmërive, zyrtarët e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor (Rama dhe Vuçiq) tashmë e mirëpritën bashkësinë e re gjeopolitike, edhe për nga rëndësia e tij për rajonin. Fatkeqësisht, zëri dhe presioni rajonal i harmonizuar aq shumë i nevojshëm mungoi, të paktën për çështjet kyçe të ngritura nga propozimi për perspektivën e anëtarësimit në BE.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.