Nevojitet sinjal pozitiv nga BE-ja, por Maqedonia e Veriut duhet të kryejë detyrat e shtëpisë për të zbatuar reformat
Edhe pse miratimi i kornizës negociuese nga Këshilli i BE-së dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut është një hap i rëndësishëm dhe një impuls pozitiv për qeverinë dhe institucionet, megjithatë, është e domosdoshme që vendi të ketë një vizion dhe strategji të qartë, pavarësisht nga vendimet e institucioneve evropiane, bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet institucioneve, në nivel politik dhe teknik, për zbatimin e reformave që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për vendin.
Analiza EPI e raportit të Komisionit Evropian u prezantua në konferencën “Mes raporteve, progresit dhe përputhshmërisë – si të arrijmë në një proces cilësor dhe thelbësor të miratimit të acquis të BE-së”, ku u diskutua mbi faktorët që ndikojnë në cilësinë dhe dinamikën e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE.
Maqedonia e Veriut ka një nivel relativisht të mirë të përputhshmërisë me acquis, por zbatimi i ligjeve dhe akteve nënligjore është i domosdoshëm. Në fusha të caktuara, si Kapitulli 12 – Siguria e ushqimit, politika e veterinarisë dhe fitosanitarisë dhe kapitulli 29 – Politika doganore ka progres të vazhdueshëm dhe është ruajtur një nivel i lartë i përputhshmërisë me acquis evropiane. Por në shumicën e kapitujve dhe kklasterëve, sipas metodologjisë së re, ka ngecje, madje edhe regres në drejtim të dinamikës së reformave.
Një nga problemet kryesore për këtë situatë ishte ikja e stafit nga administrata publike, por edhe problemi i jotërheqësisë së administratës publike për kuadrot cilësorë.
Folësit dhe pjesëmarrësit në konferencë vunë në dukje nevojën e një politike të përshtatshme për mbajtjen e kuadrove me përvojë dhe tërheqjen e kuadrit të ri të kualifikuar është një hap i domosdoshëm që do të sigurojë qëndrueshmëri dhe përmirësim të punës së institucioneve. Një politikë e tillë duhet të bazohet në kompensimin më të lartë financiar për punonjësit, përmirësimin e sistemit të avancimit të punonjësve dhe mekanizma të tjerë “të butë” që do të motivonin administratën, si p.sh. mundësia e rotacionit në institucione të tjera.
Krahas kuadrit teknik të mirë në administratë, nevojitet angazhim dhe vizion i fortë politik. Folësit theksuan se në fushat ku vendi ka nota të mira në raportin e KE-së, ka një angazhim të udhëheqjes dhe menaxhmentit të mesëm të institucioneve përkatëse në drejtim të programimit, planifikimit dhe zbatimit të programeve, siç është rasti i Drejtorisë së Doganave.
Më tej, të pranishmit diskutuan nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe respektimin e rregullave dhe procedurave në propozimin dhe miratimin e legjislacionit evropian. Roli i Sekretariatit për Çështje Evropiane duhet të forcohet në mënyrë që të përmirësohet koordinimi ndërmjet institucioneve. Nga ana tjetër, Sekretariati përballet me sfidën e monitorimit të proceseve për përgatitjen e akteve që hyjnë në procedurë ligjore. Sekretariati jo gjithmonë konsultohet siç duhet dhe institucionet nuk i ndjekin të gjitha fazat nëpër të cilat duhet të kalojë procedura.
Në këtë event u theksua se Sekretariati po punon për promovimin e Programit Kombëtar për Adoptimin e Acquis dhe krijimin e një platforme online që do të mundësojë digjitalizimin dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve. Gjithashtu, kjo platformë do t’i mundësojë publikut akses për të ndjekur zbatimin e programit që do të përmirësojë transparencën e institucioneve, por edhe do të ofrojë presion publik ndaj institucioneve.
Sekretariati për Legjislacion, i cili përballet me mungesë të burimeve njerëzore, nuk arrin të përmbushë kërkesat për miratimin e akteve ligjore.
Folësit theksuan se mosfillimi i negociatave ndikon në vullnetin politik për reforma dhe në motivimin për punën e strukturave teknike nëpër ministritë përkatëse. Vendimi për fillimin e negociatave në Këshillin e BE-së do të jepte shtysë, por nuk duhet parë si hap kyç dhe i vetëm në zbatimin e detyrimeve tona ndaj Bashkimit Evropian.
Niveli i harmonizimit të legjislacionit kombëtar me acquis evropiane është i mirë në krahasim me vendet që tashmë kanë filluar negociatat. Në konferencë u theksua se trajtimi që kanë vendet që kanë filluar negociatat për anëtarësim dhe vendet që ende nuk i kanë nisur negociatat marrin të njëjtin trajtim nga Komisioni Evropian.
Në këtë drejtim, u theksua se shteti duhet të përdorë më mirë qasjen e ndarjes së fondeve sipas parimit „i parë që vie, i pari shërbehet“ në raport me fondet IPA. Zbatimi i legjislacionit evropian bëhet një barrë e madhe financiare për shtetin, por edhe për sektorin privat, ndaj është e nevojshme të bëhen analiza dhe plane të duhura se si të menaxhohet ndihma e donatorëve që marrim nga BE-ja dhe asistenca dypalëshe e donatorëve, në drejtimin e zbatimit të legjislacionit evropian.
Folësit e konferencës kishin mendime të nadara sa i përket ndikimit të metodologjisë së re të negociatave për anëtarësim. Hapja e përbashkët, pra ndërvarësia e kapitujve negociues brenda një grupi, i ndërlikon negociatat për secilën nga fushat. Nga ana tjetër, u theksua se kjo ia shton barrën dhe mbingarkon administratën për të ecur paralelisht në disa fusha.
Përafrimi i legjislacionit kombëtar me atë të BE-së është me interes të veçantë për sektorin privat. Vonesat në miratimin e amendamenteve të ligjeve pengojnë aksesin në tregun e vetëm, por kufizojnë edhe aktivitetin inovativ të kompanive. Sektori privat duhet të jetë proaktiv në ndjekjen e rregulloreve të BE-së dhe të jetë nxitës i ndryshimeve. Ky sektor duhet të jetë korrigjuesi kryesor i institucioneve shtetërore.