[Podcast] Demokracia debatuese në Maqedoninë e Veriut
Në këtë podkast, ne diskutojmë mbi demokracinë debatuese dhe metodën e anketës debatuese me Alice Siu, ndihmës drejtoreshë e Qendrës për demokraci debatuese. Anketa debatuese është një formë unike e konsultimit politik që kombinon teknikat e hulumtimit të opinionit publik dhe këshillimit publik për të zbuluar se cili do të ishte opinioni publik për një çështje të veçantë nëse qytetarëve do t’u jepej mundësia për t’u informuar më shumë rreth një çështjeje. Anketa debatuese, si një metodë e zhvilluar nga profesori James Fishkin nga Universiteti Stanford, është zbatuar në vende të ndryshme të botës, nga Kina, Uganda, Japonia, Teksasi për të përmendur disa. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor kjo metodë u zbatua për herë të parë në Maqedoninë e Veriut nga Instituti për politikë evropiane në Shkup në bashkëpunim me Qendrën për demokraci debatuese nga Universiteti Stanford në vitin 2017. Tani, EPI po përgatitet të organizojë dhe zbatojë, anketën e tretë debatuese në pranverë të vitit 2022, ku përsëri do të mbledhim qytetarë nga i gjithë vendi për të diskutuar tema të rëndësishme.
Alice Siu është ndihmës drejtoreshë e Qendrës për demokraci debatuese. Ajo përfundoi studimet e doktoraturës në Departamentin e komunikimit në Universitetin Stanford, me fokus komunikimin politik, demokracinë debatuese dhe opinionin publik. Interesat e saj kërkimore në demokracinë debatuese përfshijnë atë se çka ndodh brenda diskutimit, të tilla si shqyrtimi i efekteve të klasës socio-ekonomike në diskutim, cilësia e diskutimit dhe cilësia e argumenteve në diskutim.