Dialog për politika: Maqedonia e Veriut ka më shumë gjyqtarë sesa mesatarja evropiane, por gjyqtarët tanë gjithashtu kanë më shumë raste për të zgjidhur
Edhe pse sipas Strategjisë për reforma në sektorin gjyqësor, por edhe në dokumente të tjera, theksohet se numri i gjyqtarëve është më i lartë se mesatarja evropiane, nëse matet me numrin e popullsisë, prapë gjyqtarët tanë, statistikisht, kanë më shumë raste për të zgjidhur. Çdo ulje e numrit të tyre do të ketë një efekt të dëmshëm në funksionimin e sistemit gjyqësor.
Ky ishte një nga përfundimet nga dialogu i sotëm për politika “Zbatimi i Strategjisë për reforma në sektorin gjyqësor 2017-2022 – ku jemi dhe çfarë pastaj?” organizuar nga Instituti për politikë evropiane – EPI.
U theksua në këtë ngjarje se qëllimi me reformën e sektorit gjyqësor do të arrihet kur të kemi kënaqur qytetarët me funksionalitetin dhe paanësinë e sistemit gjyqësor. Sidoqoftë, u shpreh kujdes që çdo reformë kërkon kohë dhe vazhdimësi dhe se e jona nuk është aspak e thjeshtë, por tregon përkushtim dhe vendosmëri për ndryshim.
Rezultatet e deritanishme janë karakterizuar si solide, me 130 nga 227 aktivitetet e përfunduara, dhe Ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq njoftoi se ai do të kërkojë vazhdimësi të Strategjisë aktuale për 4 vitet e ardhshme.
Në panelin që diskutoi rezultatet e arritura në proceset e reformës dhe sfidat kryesore në të ardhmen, mungesa e prokurorëve publik u theksua si problem, pra fakti që disa zyra të prokurorëve publik funksionojnë me më pak prokurorë publik sesa mesatarja evropiane.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu se Ligji për buxhetin gjyqësoe nuk respektohet, domethënë se realiteti tregon se fondet e ndara për gjyqësorin janë 0.3%, që është dy herë më pak se 0.8% e parashikuar. U theksua se është e nevojshme të shqyrtohet niveli optimal i fondeve për gjyqësorin.
Folësit dhe pjesëmarrësit ranë dakord që sondazhet e opinionit publik dhe sondazhet e pavarura për gjyqësorin duhen të merren parasysh për të rikthyer besimin dhe për të mundësuar sundimin e ligjit. Niveli i lartë i mosbesimit në gjyqësor u theksua si një alarm për përfshirjen proaktive të të gjithëve – si qytetarëve ashtu edhe sektorit gjyqësor në reforma.
Si rrugëdalje nga kjo situatë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve, u theksua procesi i dixhitalizimit, i cili është i dobishëm për efikasitetin e gjyqësorit dhe mund të ndryshojë perceptimet e publikut të gjerë.
Ngjarja u hap nga drejtoresha e Institutit për politikë evropiane, Simonida Kacarska, dhe Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Pavlina Crvenkovska, Kryetare e Këshillit Gjyqësor, Antonio Jolevski, Prokuror Publik dhe anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik nga zona e Prokurorisë Publike në Manastir, Betim Jahja, Gjyqtar i Gjykatës Themelore në Tetovë, Maksim Acevski, Kryeuditues i Shtetit dhe Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhanë pikëpamjet e tyre në panelin e parë mbi proceset e reformës gjyqësore, rezultatet e arritura dhe sfidat kryesore.
Në pjesën e dytë të ngjarjes, profesoresha dhe kryetarja e grupit të punës që hartoi Strategjinë dhe Planin e Veprimit për reformën në drejtësi, Ana Pavlovska Daneva, Këshilltarja shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë Frosina Tasevska, koordinatori i projekteve të grupës Blueprint Goce Kocevski, Iva Conevska Vangelova nga EPI dhe Aleksandar Petkovski nga Zenith folën për statusin e zbatimit të Strategjisë dhe cilat janë hapat që duhet të ndërmerren më tej.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Partneriteti Justitia: Kthimi i besimit të qytetarëve” i zbatuar nga Instituti për politikë evropiane – EPI dhe Shoqata Zenit, dhe financuar nga Bashkimi Evropian.