Debatë: Politikat publike janë kyçe për zhvillimin e shtetit sipas qytetarëve, kurse ata nuk kanë besim në to
Secili shtet bazohet në institucionet shtetërore dhe funksionimin e tyre të duhur. Politikat publike luajnë një rol themelor në të gjitha fushat e zhvillimit të saj. Qytetarët konisderojnë se autoritetet publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut japin rezultate zhgënjyese, dhe niveli i besimit tek ata është i ulët. Informimi i qytetarëve për funksionimin e institucioneve është i një rëndësie thelbësore për një shoqëri demokratike.
Diskutimi “Institucionet në Maqedoninë e Veriut: Sfidat kyçe të degëve të qeverisjes “, i cili u mbajt më 22 mars, kishte për qëllim përfshirjen e qytetarëve në një debat diskutimi për njohjen me degët e qeverisjes; punën dhe funksionin e institucioneve kryesore në vend. Diskutimi u organizua në një format, kështu që në pjesën e parë të diskutimit qytetarët fillimisht diskutuan pikëpamjet dhe mendimet e tyre. Krahas zgjidhjeve dhe rekomandimeve të propozuara gjatë diskutimit, ata gjithashtu formuan pyetje në pjesën e dytë për të patur mundësinë për t’i bërë pyetje ekspertes të fushës.
Kur bëhet fjalë për besimin në institucione, sipas mendimit të qytetarëve, ky besim është në një nivel joadekuat. Vlerësimi i punës së tre autoriteteve (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) është përgjithësisht i ulët. Në ditët e sotme, institucionet nuk karakterizohen me komunikim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, por nga detyrimi dhe ndikimet negative të inkurajuara nga përkatësitë partiake. Parlamenti duhet të jetë ai që kontrollon qeverinë, por në të vërtetë është e kundërta. Qeveria është ajo që harton të gjitha ligjet, pa analizën e duhur të mëparshme, dhe parlamenti ndjek vetëm hapat e tij dhe pranon veprimtaritë e tij. Përveç parlamentit, gjykata gjindet nën “ombrellën” e qeverisë. Ajo që theksohet si e rëndësishme është se të punësuarit në institucione nuk mund të ndajnë prioritetet, gjegjësisht t’i vendosin nevojat e tyre para nevojave të publikut të gjerë.
Shërbimet e institucioneve mirren rrallë dhe në mënyrë të papërshtatshme. Si një problem i theksuar në diskutim ishte se shërbimet e ofruara nga institucionet nuk janë adekuate dhe proporcionale me ato që qytetarët presin të përmbushen. Gjithashtu u theksua se brenda administratës publike, ekziston një numër i madh i punonjësve që marrin paga pa kryer punën për të cilën janë caktuar.
Në diskutim u diskutua gjithashtu edhe për atë që gjykatat kanë një numër të pamjaftueshëm të procesverbaleve nga gjykimet. Për më tepër, gjyqtarët janë një problem në gjykata, me mungesë serioziteti bazuar në qasjen ndaj vetë punës. Faji transferohet vazhdimisht nga njëri tek tjetri, pa marrë përgjegjësinë e duhur. Këto mangësi në funksionim u theksuan gjithashtu si arsye pse qytetarët nuk u besojnë autoriteteve.
Në diskutim, si sfida me të cialt përballen institucionet u përmendën: mungesa e kapacitetit, prania e madhe e punonjësve të pakualifikuar, egoizmi bazuar në vendimmarrje dhe paaftësia e tyre për të përmbushur premtimet. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, mendojnë se nuk janë mjaft të njohur me mundësitë përmes të cilave ata mund të marrin pjesë ose të raportojnë pakënaqësinë me funksionimin e institucioneve. Për më tepër, ata besojnë se qytetarët në përgjithësi nuk janë mjaft të vetëdijshëm për të drejtat e tyre të garantuara, si dhe mënyrat në të cilat ata mund të reagojnë nëse zbulojnë se të drejtat e tyre nuk janë përmbushur. Në botën moderne, të gjitha të dhënat dhe informacionet mund të gjenden në faqet e internetit, por faqja në internet e vetë komunës, në këtë rast komuna e Tetovës, nuk është funksionale. Mosfunksionimi i mënyrave moderne të informimit tregon gjithashtu edhe për jo gatishmërinë e institucioneve në epokën moderne.
Për të kapërcyer sfidat e diskutuara, u dhanë rekomandime të caktuara. Edukimi i brezave të rinj është i një rëndësie thelbësore dhe reformat në sistemin arsimor konsiderohen si bazë për funksionimin dhe organizimin e mëtejshëm solid të autoriteteve supreme. Për më tepër, është e nevojshme të reformohet sistemi demokratik, me pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në proceset reformuese. Nevojitet një transparencë më e madhe në lidhje me punën e institucioneve, si dhe një shkallë e rritur e monitorimit të së njëjtës punë në mënyrë që të shmangen ndërlikimet shtesë. Si përfundim, të rinjtë duhet të luftojnë për reformat në sistemin e qeverisjes dhe respektimin më të madh të të drejtave të tyre themelore, siç është pjesëmarrja e tyre në proceset e vendimmarrjes.
Si pjesë e diskutimit, së bashku me 15 pjesëmarrës të moshave të ndryshme nga rajoni i Tetovës, e ftuar ishte edhe drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut të Republikës së Maqedonisë, Uranija Pirovska, e cila ju përgjigj pyetjeve direkte të qytetarëve në sesionin pyetje dhe përgjigje. Diskutimi u moderua nga Arlinda Iljazi nga organizata Multikultura nga Tetova.
Diskutimi u organizua si pjesë e projektit “ACT – Veprim Qytetar Aktiv 2.0″, zbatuar nga Instituti për Politikë Evropiane – Shkup me mbështetjen e Qendrës për Demokraci Deliberative në Universitetin Stanford nga ShBA. Projekti është financuar nga National Endowment for Democracy nga ShBA. Ky diskutim, së bashku me 4 diskutime të tjera me qytetarë për tema të ndryshme në të gjithë vendin, do të kontribuojnë në zhvillimin e Debatës Nacionale Demokratike që është planifikuar të mbahet në vitin 2022.