Raport për vitin 2019 për rezultatet nga realizimi i strategjisë për reformë në sektorin e drejtësisë 2017 – 2022
Plani veprimi për realizimin e Strategjisë për reforma në drejtësi 2017-2022 (Strategjia) përmban tregues që duhet të përcaktojnë shkallën në të cilën masat e Strategjisë zbatohen me sukses. Sidoqoftë, këta tregues janë kryesisht të orientuar drejt monitorimit të produkteve të aktiviteteve të parashikuara dhe u kushtojnë pak vëmendje rezultateve dhe ndikimit të Strategjisë. Për më tepër, treguesit përqendrohen kryesisht në punën e institucioneve të drejtësisë, pa marrë në konsideratë mjaftueshëm ndikimin që Strategjia ka tek qytetarët.
Ky raport bazohet në planin për monitorimin e zbatimit dhe vlerësimit të rezultateve të Strategjisë për reformë në sektorin e drejtësisë 2017-2022, e cila përmban tregues të orientuar drejt qytetarëve dhe bashkëveprimin e tyre me gjyqësorin, për qëllimet strategjike, drejtimet, masat dhe aktivitetet e Strategjisë. Me futjen e treguesve për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Strategjisë, të orientuar drejt qytetarëve, projekti “Partneriteti Justicia: Kthimi i besimit të qytetarëve“ synon të promovojë sundimin e së drejtës dhe të nxisë një fokus më të madh në të drejtat e njeriut në institucionet e drejtësisë. Treguesit matin rezultatet përmes prizmit të të drejtave të njeriut dhe efekteve mbi qytetarët, kundrejt funksionimit të përgjithshëm të sektorit.
Ky raport përfshin qëllimet e mëposhtme strategjike të Strategjisë: cilësia, efikasiteti, transparenca, planifikimi strategjik dhe politikëbërja, institucionet e drejtësisë, fusha ndëshkimore-korrigjuese, fusha juridike dhe e kundërvajtjes dhe fusha juridike-civile. Treguesit nuk i përfshijnë qëllimet e mëposhtme strategjike të Strategjisë: pavarësia dhe paanësia,1 përgjegjësia, qasja në drejtësi (me përjashtim të noterisë, përmbarimit dhe ndërmjetësimit), Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve, fusha administrative-juridike.