Kandidaturat e shpejta lindore
Pika qendrore e Këshillit Evropian përfundimtar nën presidencën franceze javën e kaluar ishte dhënia e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë. Veç kësaj, ndonëse mjaft përgjithshëm, u inaugurua komuniteti politik evropian, të cilit presidenca franceze i kushtoi vëmendje të konsiderueshme.
Rezultatet për Ballkanin Perëndimor, duke e përfshirë edhe takimin, që më parë ishte paralajmëruar në mënyrë shumë më ambicioze si konferencë për Ballkanin Perëndimor, ishin debakli i plotë. Që ironia të jetë më e madhe, një vend ballkanik që tashmë është në BE – Kroacia do t’i bashkohet euros vitin e ardhshëm.
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ishte faktori kyç në vendimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së për t’i dhënë shpejt statusin e kandidatit – diçka që ishte e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë. Nuk është për t’u habitur që konkluzionet e Këshillit Evropian janë më të gjera në pjesën që ka të bëjë me Ukrainën, edhe atë pa kandidaturën. Shumica e përcaktimeve përsëriten, por disa janë vendimtare. Mbi të gjitha, është dënimi i Rusisë si agresor, i përforcuar nga një kërkesë për përgjegjësi për krimet e luftës. Për sa i përket sanksioneve, fokusi është te zbatimi.
Premtohet rritje e ndihmave ushtarake, ekonomike dhe humanitare. Konkretisht për vitin 2022, BE i premton Ukrainës deri në 9 miliardë euro ndihmë ekonomike makro-financiare. Për krahasim, e njëjta shumë është paraparë si grante për Planin Ekonomik dhe Investues për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën shtatëvjeçare 2021-2027. Një pjesë e konsiderueshme iu kushtua edhe përballjes me krizën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe sigurimit të mënyrave për të eksportuar ushqime nga Ukraina.
Sa i përket kandidaturave të tre vendeve të Partneritetit Lindor – Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, ky është vendimi më i shpejtë për Bashkimin Evropian që nga vendosja e statusit – pas vendosjes së kritereve të Kopenhagës në vitin 1993.
Analiza fillestare e konkluzioneve të Këshillit Evropian dhe e opinioneve të kandidatëve nga Partneriteti Lindor tregon dallime të mëdha, si në procedurë ashtu edhe në përmbajtje në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht pretendimin e Komisionit Evropian se ka përdorur metodologji të ngjashme me mendimet e mëparshme. Vetë pyetësori, i cili iu dha aplikuesve të rinj në dy raste – së pari për kriteret politike dhe ekonomike dhe më pas për respektimin e acquis, ishte shumë më i thjeshtë – të paktën ai për kriteret politike dhe ekonomike, te i cili kishim qasje.
Pyetësori (dhe vetëm pjesa e parë) u publikua në Gjeorgji, por jo përgjigjet. I gjithë procesi nga aplikimi për anëtarësim e deri te publikimi i opinionit të Komisionit zgjati vetëm tre muaj e gjysmë, krahasuar me të paktën një vit e gjysmë për shtetet e Ballkanit Perëndimor (madje mbi tre vjet për Bosnje e Hercegovinën).
Mendimet për vendet e Ballkanit Perëndimor u shoqëruan me një raport të gjerë analitik, gjë që nuk ndodh me aplikuesit nga fqinjësia. Komisioni ka paralajmëruar një raport të detajuar deri në fund të vitit së bashku me vlerësimin për përmbushje të prioriteteve të përcaktuara.
Dallim i rëndësishëm në kriteret sipas të cilave është përgatitur opinioni për vendet e Ballkanit Perëndimor është se për vendet e Partneritetit Lindor nuk përmendet kriteri i fqinjësisë së mirë, i cili për Ballkanin Perëndimor në periudhën e krahasueshme zinte një vend të rëndësishëm – në kuadër të procesi i stabilizimit dhe asocimit. Megjithatë, në konkluzionet e Këshillit Evropian thuhet se kandidatët/aplikuesit e rinj do të vlerësohen për meritat e tyre, por edhe duke pasur parasysh kapacitetin integrues të Bashkimit.
Sa i përket konstatimeve të vetë opinioneve, këtu po i theksojmë ato më të rëndësishmet – për kriteret politike. Ata janë më pozitivët për Ukrainën, duke arritur në përfundimin se ajo është “përparuar mirë në arritjen e stabilitetit në garantimin e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së pakicave dhe kritereve politike”, ndërsa për Moldavinë thuhet se “ka krijuar një themel të fortë” për të gjitha këto nën-kritere.
Nga ana tjetër, për Gjeorgjinë, së cilës nuk i është dhënë statusi i kandidatit, është arritur në përfundimin se ajo ka “krijuar bazën” për nën-kriteret e njëjta. Arsyet kryesore për mosdhënien e statusit të kandidatit janë polarizimi politik dhe mungesa e mbikëqyrjes demokratike, duke shënuar regres në këto çështje.
Të gjitha rekomandimet e Komisionit për të gjithë aplikuesit kanë të bëjnë me institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit (me theks të veçantë te “deoligarkizim”), të drejtat e njeriut, pavarësia e medias, reforma e administratës publike dhe shoqëria civile. Megjithëse ato janë specifike për vendin dhe janë të ndryshëm në numër (7 për Ukrainën, 9 për Moldavinë, 12 për Gjeorgjinë), qëllimi i tyre është i ngjashëm.
Shumë analistë po shtrojnë pyetjen e ekuilibrit, përkatësisht dallimet në kritere dhe ashpërsi të kushteve, veçanërisht në krahasim me 14 kushtet për Bosnje-Hercegovinën, të cilat janë shumë më komplekse. Ndoshta për këtë arsye konkluzionet e Këshillit Evropian paralajmërojnë zbutje në relacion me këtë vend, duke e lidhur dhënien e statusit kandidat me një raport të posaçëm të Komisionit për zbatimin e 14 prioriteteve, por me theks të veçantë në ato që përfaqësojnë “reformën thelbësore”.
Sidoqoftë, nga viti i ardhshëm “paketa e zgjerimit” do të jetë shumë më e gjerë – me më shumë kandidatë dhe raporte, ndërsa se si do të jetë ndryshe dhe si do të vendoset një “ekuilibër” (frazë që përdoret gjithnjë e më shpesh), tashmë po mendohet në BE-së.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.