Raporti i Sundimit të Ligjit (RSL) është një instrument thelbësor i Bashkimit Evropian (BE), që shërben si një mjet diagnostikues por edhe si një mekanizëm parandalues për të monitoruar gjendjen e sundimit të ligjit në të gjitha Shtetet Anëtare. Duke vlerësuar fushat kryesore, përfshirë sistemin e drejtësisë, masat anti-korrupsion, pluralizmin mediatik dhe kontrollet dhe balancat institucionale, Raporti ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të pikave të forta dhe sfidave brenda fushës së sundimit të ligjit.
Pika fillestare është se sundimi i ligjit është baza mbi të cilën qëndron fort BE-ja, ndërsa në botën e sotme “rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, respekti për të drejtat themelore dhe sistemet demokratike janë nën presion të shtuar.”.
Një element kyç i këtij instrumenti është dialogu – si metodë pune poashtu dhe si mjet për promovimin e kulturës së dialogut të hapur.
Raporti i këtij viti për sundimin e ligjit është raporti i pestë i tillë për Shtetet Anëtare të BE-së dhe i dyti, në të cilin përfshihen vendet kandidate Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me mundësinë e përfshirjes së shteteve të tjera kandidate “kur ato të jenë gati”.
Rëndësia e këtij raporti për shtetet kandidate rritet me forcimin e Grupit “Themelet”, duke mbuluar sundimin e ligjit dhe duke vepruar si katalizator për procesin e anëtarësimit.