EPI prezantoi deklaratë në parasesionin e 46-të të ciklit të katërt të UPR-it dhe mbajti takime avokuese me misione të përhershme në OKB

Feb 21, 2024

naum.lokoski

Lajme

0

Javën e kaluar, EPI mori pjesë në parasesionin e 46-të të ciklit të katërt të Rishikimit periodik universal (UPR) në zyrat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Zvicër. Hulumtuesja jonë Angela Delevska në parasesion e prezantoi deklaratën e EPI-t që trajton dy çështje urgjente, sfidat dhe pengesat për pavarësinë dhe pluralizmin e organit kombëtar për barazi, gjegjësisht, Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi; si dhe sfidat dhe cënimi i të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore të personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht të drejtës për arsim inkluziv.

Sa i përket çështjes së parë, edhe përkundër themelimit të Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi (KPMD), ai ende përballet me pengesa të mëdha. Lufton me kufizimet financiare, mungesën e pavarësisë në burimet njerëzore dhe presionin e partive politike gjatë përzgjedhjes së anëtarëve, duke rrezikuar kështu pavarësinë dhe efektivitetin e tij. Sa i përket çështjes së dytë, përderisa është bërë një përparim me miratimin e ligjeve dhe koncepteve për arsimin inkluziv, zbatimi i tyre ka ngecur. Çështjet kryesore përfshijnë pamjaftueshmërinë e stafit mbështetës, dispozitat e pamjaftueshme për studimin e shkrimit Braille dhe gjuhës së shenjave, si dhe pengesat për akses në objektet arsimore.

 

Para parasesionit të 46-të, EPI dorëzoi kontributin e përbashkët me shtatë organizata të tjera, si pjesë e një skeme rigrantuese në kuadër të projektit “Veprim i përbashkët për të drejtat e njeriut”. Përveç hulumtimit dhe monitorimit, kontributi i përbashkët ka përfituar edhe nga dy konsultime jozyrtare mbi raportin kombëtar me deputetë dhe shoqata civile, njëra e organizuar nga Koordinatorja e përhershme dhe këshilltarja për të drejtat e njeriut në OKB/OHCHR në Maqedoninë e Veriut dhe tjetri nga EPI, në të cilin mori pjesë shefi i njësisë për të drejtat e njeriut nga Ministria e punëve të jashtme.

Paralelisht me parasesionin, hulumtueset tona Angela Delevska dhe Ardita Vejseli zhvilluan takime të shumta avokuese me përfaqësues të misioneve të përhershme në Kombet e Bashkuara të Gjermanisë, Belgjikës, Suedisë dhe Kroacisë. Gjithashtu, ato patën edhe një takim avokues me delegacionin e BE-së në Gjenevë, me ftesë zyrtare nga delegacioni, ku prezantuan në detaje deklaratën si dhe punën e EPI-t.

UPR-i është një mekanizëm unik dhe i vetëm ndërkombëtar i Këshillit të të drejtave të njeriut që kërkon që çdo shtet anëtar i OKB-së t’i nënshtrohet një rishikimi nga kolegët për situatat ne lidhje me të drejtat e njeriut çdo 4.5 vjet. Në vitin 2006, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me një rezolutë krijoi Këshillin e të drejtave të njeriut (KDNJ) dhe mandatoi KDNJ-në të “ndërmerrte një rishikim periodik universal, bazuar në informacione objektive dhe të besueshme, të përmbushjes nga çdo shtet të detyrimeve dhe angazhimeve të tyre për të drejtat e njeriut, në një mënyrë që siguron universalitetin e trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve” ku “rishikimi do të jetë mekanizëm bashkëpunues, i bazuar në dialog ndërveprues, me përfshirjen e plotë të vendit në fjalë dhe duke marrë parasysh nevojat për ndërtim kapaciteti”. UPR u themelua në vitin 2007, ndërsa sesioni i parë u mbajt në vitin 2008. Meqenëse UPR është një mekanizëm gjithëpërfshirës, konsultimet me palët e tjera të interesuara siç janë shoqatat civile kombëtare dhe ndërkombëtare, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, dhe aktorë të tjerë vendorë, mbahen në seanca të organizuara një muaj përpara shqyrtimit të grupit punues. Ato ofrojnë mundësinë që përfaqësuesit e misioneve të përhershme të mbledhin informacione të plota dhe të përditësuara në një periudhë të shkurtër kohore, përmes takimeve me shumë shoqata civile në të njëjtën kohë.

Comments are closed.