Kriza e re – mesazhe të zbehta për Ballkanin Perëndimor
Nuk ka integrim të përshpejtuar si përgjigje ndaj sfidave gjeostrategjike – Gjatë turneut të fundit në Ballkanin Perëndimor, Nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Xhosep Borrell zgjodhi t’i vizitojë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnje e Hercegovinën. Përzgjedhja ishte të vizitohen më të bindurit dhe aktualisht vendi më i rrezikshmin. Duket se në këtë vizitë Serbia dhe Kosova do të ishin një kafshatë tepër e madh për këtë vizitë, ndërsa Mali i Zi do të ishte komplikim i panevojshëm, që me sa duket, duhej të ishte me rrezikun më të vogël.
Mesazhi kryesor që Borrell do të duhej ta dërgonte ishte se Unioni nuk e shpërfill Ballkanin Perëndimor në kushte të krizës, por përkundrazi, se është i nevojshëm “zgjimi” dhe ringjallja e agjendës evropiane. Nga ana tjetër, Unioni pret që rajoni të solidarizohet me të në politikën e përbashkët të jashtme unike, sepse kjo gjë pritet nga anëtarët me përgjegjësi të bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare.
Mesazhet që iu dërguan Maqedonisë dhe Shqipërisë sigurisht që ishin të sinkronizuara. Nuk munguan lëvdatat dhe mirënjohjet për solidaritetin e shprehur në pikëpamjet për Ukrainën dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Gjithashtu u shpreh gatishmëria për të ndihmuar në përballimin e pasojave të krizës, por pa paralajmëruar fonde të reja.
Aty ku Unioni mund të bëjë hap përpara – në hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë, mesazhi ishte zhgënjyes. Për dallim nga premtimet e paplotësuara të vjeshtës, të cilat i bëri Kryetarja e Komisionit Evropian Von der Layen, tani munguan premtime të çfarëdo lloji – kurse e vetmja gjë që u përsërit ishte se në BE ka vullnet dhe përkushtim. Kurse qëndrimi i përsëritur i dykuptimtë – se Unioni nuk do të fusë mosmarrëveshje dypalëshe në zgjerim, por se pret një zgjidhje të pranueshme reciprokisht nga të dyja palët (e pabarabarta) – Bullgaria dhe Maqedonia, vetëm sa e frustroi edhe më shumë opinionin maqedonas. Prandaj mesazhet e zbehta dhe deklarative, për qytetarët e rajonit, dukeshin jo bindëse.
Ajo që ishte e ndryshme ishin përgjigjet e vendeve të rajonit. Pasi e pranoi topin në oborrin e saj, Maqedonia vazhdoi me premtimin se do të kërkonte zgjidhje me Bullgarinë, me konstruktivitet të ri dhe me shtysë të qeverive të reja, duke kërkuar integrimin e përshpejtuar të vendit dhe rajonit si investim në stabilitet. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar e ripërsëriti mesazhin se Shqipëria do të presë me durim dasmën e shumëpritur me BE-në, që po shtyhet pa fajin e saj dhe se do të punojë në reformat e brendshme, duke e zhvendosur topin në oborrin e BE-së. Ndryshe nga Shkupi, në Tiranë pritshmëritë për përshpejtim dhe rritje të mbështetjes për projekte konkrete ishin shumë më të theksuara.
Sipas parimit “po të them bijë, që të të kujtohet oj nuse”, mesazhet sigurisht që duhet të arrijnë në veshët e atyre që u anashkaluan në këtë turne – Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë. Për Serbinë duhet të jetë paralajmërim për mosrespektimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Mirëpo, mesazhet paralele nga Franca për miqësi dhe mbështetje personale të presidentit francez për Serbinë (sipas deklaratës zyrtare franceze) gjegjësisht se Serbia mbetet prioritet vendimtar dhe vendi i parë për t’iu bashkuar BE-së (sipas komunikatës zyrtare serbe) e prenë këtë sinjal. Mali i Zi, që gjendet në mes të një krize qeveritare, pas humbjes së besimit në këtë raund dhe mosrealizimin e sanksioneve ndaj Rusisë në këtë rreth, nuk ishte destinacion i parapëlqyer.
Ndërkohë, kryesuesi i Bosnje-Hercegovinës, Zheljko Komshiq, mbase për të mos e humbur hapin me aplikimet e reja, rreth dy javë më parë i dërgoi BE-së kërkesë që t’ia jep statusin e kandidatit, duke e argumentuar kërkesën me arsye gjeopolitike. Ai e mori përgjigjen më të qartë nga Borrell – se pa u plotësuar 14 kushtet e vendosura tashmë nga BE për statusin e kandidatit, kjo nuk do të ndodhë. Fokusi në BeH ka qenë vizita e misionit paqeruajtës të BE-së Altea, që u rrit me 500 anëtarë të rinj, pavarësisht vlerësimit të Borrelit se aktualisht nuk ka kërcënime serioze të sigurisë ndaj BeH.
Tashmë është e sigurt se Unioni nuk planifikon integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor si përgjigje ndaj sfidave gjeostrategjike. Nuk ka përgjigje të re, por vetëm mesazhe të zbehura – diçka që realisht i dobëson pozitat e BE-së dhe që pak mund të shërbejë si stimul për liderët dhe qytetarët e vendeve ballkanike të cilët janë vazhdimisht në pritje. Dhe pikërisht mesazhi zhgënjyes për Maqedoninë dhe Shqipërinë mund të ketë kundër-efekt në rajon, në formën e vazhdimit dhe forcimit të lojës me më shumë letra.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.