Fondi i Rindërtimit dhe Rezistencës – injeksion i ri financiar në BE

Fondi i Rindërtimit dhe Rezistencës është pjesa më e madhe e Instrumentit “Gjenerata e Re BE”, me vlerë prej rreth 800 miliardë euro, i krijuar për të nxitur zhvillimin pas pandemisë. Ky fond përfshin 672,5 miliardë euro, nga të cilat 312,5 miliardë janë grante, ndërsa 320 miliardë euro janë për hua (kredi). Fondi do të mbështet gjashtë të ashtuquajturat shtylla: 1) tranzicioni i gjelbër; 2) transformimi digjital; 3) kohezioni ekonomik, produktiviteti dhe aftësia konkurruese; 4) kohezioni social dhe territorial; 5) qëndrueshmëria shëndetësore, ekonomike, sociale dhe institucionale; 6) politikat për gjeneratën e ardhshme. E theksojmë se bëhet fjalë për instrument të ri, krahas fondeve strukturore ekzistuese të Unionit.

Kriteret për shpërndarjen e granteve, sipas shteteve, bazohen kryesisht në numrin e popullsisë, PBB-në e kundërt për kokë banori, si dhe papunësinë, por edhe rritjen e PBB-së në periudhën 2020-2021. Shuma maksimale e kredisë është deri në 6,8% e të ardhurave të brendshme bruto. Shtetet Anëtare do t’i përdorin fondet në bazë të planeve kombëtare të rimëkëmbjes dhe rezistencës, pasi ata të miratohen nga Komisioni Evropian dhe pasi Këshilli i BE-së ta ketë miratuar vendimin për zbatimin e tyre.

Spanja dhe Italia do ta kenë të drejtën për më së shumti grante – rreth 69 miliardë euro secili shtet, kurse shtetet më të vogla – Luksemburgu dhe Malta, deri në 300 milionë euro. Në Tabelën më poshtë janë të dhënat për grantet dhe kreditë maksimale të mundshme sipas shteteve.[1]

Shteti Maksimum grante(miliarda euro) Maksimum kredi(miliarda euro)
Spanja 69,5 84,8
Italia 68,9 112,8
Franca 39,4 168,4
Gjermania 25,6 240,9
Polonia 23,9 34,8
Greqia 17,8 12,4
Rumania 14,2 15,0
Portugalia 13,9 14,2
Hungaria 7,2 9,7
Çekia 7,0 14,3
Sllovakia 6,3 6,3
Kroacia 6,3 3,7
Bullgaria 6,3 4,2
Holanda 6,0 55,3
Belgjika 5,9 32,8
Austria 3,5 27,2
Suedia 3,3 33,2
Finlanda 2,1 16,4
Lituania 2,2 3,2
Latvia 2,0 2,0
Sllovenia 1,8 3,2
Danimarka 1,6 21,9
Qipro 1,0 1,5
Irlanda 1,0 18,7
Estonia 1,0 1,9
Malta 0,3 0,8
Luksemburgu 0,1 2,7

[1]Sipas të dhënave të publikuara zyrtarisht nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Minimum 37% e fondeve, nga çdo plan kombëtar, duhet të dedikohen për qëllime që kanë të bëjnë me klimën, ndërsa minimum  20% – për qëllime që kanë të bëjnë me transformimin digjital. Pas miratimit, Shtetet Anëtare mund të përdorin 13% të fondeve totale të ndara për secilin shtet si financim paraprak. Fondi do të përdoret deri në vitin 2026.

Njëzet e pesë shtete anëtare kanë paraqitur planet e tyre në korrik të vitit 2021. Holanda ende nuk e ka dorëzuar planin. Plani i fundit i miratuar është ai i Bullgarisë – që është dorëzuar në tetor të vitit 2021, kurse është miratuar më 7 prill të këtij viti. Planet për Hungarinë dhe Poloninë nuk janë miratuar – sepse për këto shtete Komisioni po e shqyrton fillimin e procedurës së kushtëzimit në bazë të mosrespektimit të sundimit të ligjit. Edhe pse tashmë është paralajmëruar për Hungarinë, nuk ka ende informacione nëse procedura ka nisur zyrtarisht.

Masat e parashikuara në planet kombëtare janë nga më të ndryshmet, si për shembull: rinovimi i objekteve të banimit për rritjen e efikasitetit energjetik; zvogëlimi i ndotjes nga automjetet; përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe kanalizimeve; përmirësimi i aksesit në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; platforma digjitale të shërbimit të qytetarëve; stimulimi i inovacioneve të gjelbra; investime në institucione për mbrojtjen e fëmijëve; investime në arsim dhe hulumtime etj.

Sipas dokumentit për diskutim, të cilin në korrik të vitit 2021 e publikoi Komisioni Evropian, vlerësohet se Instrumenti “Gjenerata e Re BE” do të kishte efekt të madh kombëtar, por edhe efekt që do të derdhej edhe në shtetet e tjera anëtare si pjesë e Tregut Unik të Unionit. Në skenarin e shpenzimeve të shpejta, deri në vitin 2024, vlerësohet se Instrumenti do të kontribuonte në rritjen e PBB-së në Union me 1,5%. Sipas skenarit të dytë të shpenzimeve të ngadalta, deri në vitin 2026,  PBB-ja në nivel të BE-së do të rritej për 1,2%. Megjithatë, për momentin nuk ka vlerësime për atë se si do të ndikojë më tej kriza e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian, deri më tani janë paguar 63 miliardë euro për financim paraprak, ndërsa 42 miliardë të tjera janë paguar për grante të miratuara. Injeksionet financiare në vendet anëtare të BE-së po injektohen me shpejtësi dhe sigurisht priten rezultate pozitive – kryesisht për ata që do t’i përdorin fondet në mënyrën më efektive.

Përveç efektit të përhapjes mbi Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjes së tij me tregun e Bashkimit Evropian, në rajon nuk mund të pritet ndonjë efekt tjetër. Krejt e kundërta, ekziston rrezik real që të rriten dallimet, përkatësisht të divergjencat ndërmjet BE-së dhe rajonit, të cilit i mbeten në dispozicion vetëm fondet nga Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit, i cili arrin në gjithsej 9 miliardë euro për periudhën 2021-2027.

 

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. 

Comments are closed.