Në përfundim të presidencës franceze, kryeministri gjerman zgjodhi të vizitojë Ballkanin. Dhe jo vetëm Ballkani “Perëndimor”, por edhe Bullgarinë, si dhe për të marrë pjesë në Samitin e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Selanik – Greqi. Përkujtojmë se – ky proces është nisma më e vjetër rajonale (që nga viti 1996), mbështetja institucionale e së cilës është Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i themeluar më vonë, me seli në Sarajevë.
Mesazhet kryesore të kancelarit Olaf Sholc ishin: Gjermania do të vazhdojë të jetë një lojtar kyç në rajon; perspektiva për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mbetet. Megjithatë, mbetet edhe qasja e pavendosur lidhur me kohën. Pavarësisht përmendjes së shpeshtë se procesi duhet të përshpejtohet, afate konkrete kohore nuk u përmendën.
Kjo vizitë solli më së shumti lëkundje lidhur me marrëdhëniet Beograd-Prishtinë. Është e qartë se presioni i Gjermanisë ndaj Serbisë po rritet në dy drejtime: harmonizimi me politikën e përbashkët të sigurisë të Bashkimit (sanksionet kundër Rusisë) dhe njohja reciproke me Kosovën. Reagimin dhe interesimin më të madh e shkaktoi deklarata e kancelarit Sholc, e dhënë në konferencën për media në Prishtinë se Serbia dhe Kosova do të duhet të njohin njëra-tjetrën para anëtarësimit në BE. Edhe pse ky qëndrim gjerman ka qenë në mënyrë implicite i qartë për një kohë të gjatë, presidenti serb ka reaguar ashpër ndaj tij, duke iu përmbajtur formulimit zyrtar të BE-së “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. Përkundër presioneve, Serbia për momentin mbetet në pozicionin e saj si në aspektin e sanksioneve ndaj Rusisë ashtu edhe në aspektin e njohjes me Kosovën. Risia e dytë është njoftimi se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE, që kryeministri Kurti e paralajmëroi për në fund të vitit.
Edhe pas kësaj vizite shpresat se do të zhbllokohet fillimi i negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë nuk u shtuan. Kancelari gjerman nuk premtoi asgjë më shumë se të bëjë gjithçka që është e mundur për të nisur bisedimet e anëtarësimit. Megjithatë, ishte mjaft e qartë se “komuniteti i ri politik” i Makronit nuk ështe opsion për ne. Ai, në këto kushte gjeopolitike, iu referua nevojës për unitet në BE, si në Shkup ashtu edhe në Sofje, se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet. Në Sofje kjo ishte vetëm mundësi për kryeministrin bullgar Petkov për të theksuar kushtet e Bullgarisë, që zgjerohen vazhdimisht– ato që përmban Pozicioni KornizëBullgar nga viti 2019, kërkesën shtesë për ndryshimin e Kushtetutës dhe për të theksuar si të tretën – përmbushjen e marrëveshje dypalëshe për miqësi dhe fqinjësi të mirë.
Vëmendje e madhe gjatë vizitës iu kushtua investimeve gjermane dhe marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë në përgjithësi, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit. Kancelari Sholce veçoi tranzicionin energjetik si subjekt të interesit gjerman për mbështetje dhe investime.
Berlini është këmbëngulës për të ringjallur Procesin e Berlinit dhe paralajmëron presion më të madh për realizimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Nuk fshehen ngurrimi në lidhje me nismën e Ballkanit të Hapur. Sholc gjithashtu e paralajmëroi mbajtjen e një konferencë në vjeshtë në Berlin.
Ndryshe, më 23 qershor në Bruksel është caktuar Konferenca e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor, kurse paralajmërohej edhe samit gjatë presidencës çeke në gjysmën e dytë të vitit, por nuk është konfirmuar.
Ndërkohë, Samiti i Procesit për të Bashkëpunim në Evropën Juglindore, që u mbajt më 10 qershor në Selanik, ishte shkas që kryeministri grek Mitsotakis të përpiqej të vendoste një objektiv kohor për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2033, duke e quajtur atë “ambicioz, por të realizueshëm”. Edhe pse viti 2033 tani duket si një e ardhme e afërt, është tridhjetë vjet pas agjendës së Selanikut. Fatkeqësisht, kjo deklaratë nuk fitoi shumë hapësirë publike në vendin tonë, as nuk u bë pjesë e deklaratës së Samitit.
Megjithatë publicitet të madh në publikun tonë, që tashmë është tupitur për humor, mori kryeministri shqiptar Edi Rama me deklaratën sarkastike, duke e quajtur Maqedoninë si “Bullgaria e ardhshme perëndimore”. Po, ai është sarkastik si gjithmonë, por është edhe i kthjellët dhe i saktë në vlerësimin e ambicieve bullgare.
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.