Berlin via Sofje

Ja, erdhi dhe kaloi edhe ajo ditë e shumëpritur për samitin vjetor të Procesit të Berlinit, këtë vit në Sofje. Një nga shtyllat kryesore të Procesit të Berlinit është zgjidhja e çështjeve të hapura bilaterale. Prandaj ky samit duhej të ishte një triumf simbolik i miqësisë midis bashkë-kryesuesve Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, shembull se si zgjidhja e çështjeve bilaterale dhe bashkëpunimi rajonal çojnë në një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian. Doli që kjo ishte ende pritje shumë rozë. Fatkeqësisht, samiti i Procesit të Berlinit në Sofje këtë vit do të mbahet mend për të kundërtën – si hijet e historisë të imponuara nga një vend anëtar i BE (tani Bullgaria) mund të lënë në hije të ardhmen evropiane të fqinjit të saj, në këtë rast – tonën.

Le t’i kthehemi rezultateve të samitit të këtij viti të Procesit të Berlinit. U miratuan dy deklarata – për tregun e përbashkët dhe për agjendën e gjelbër. Asnjë nga këto iniciativa nuk është e re, por janë vazhdim të iniciativave që kanë filluar shumë më herët dhe të zbatuara.

Me Deklaratën për tregun e përbashkët rajonal (më parë i quajtur si “zona ekonomike rajonale”), udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor bien dakord të promovojnë bashkëpunimin ekonomik, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së. Liderët e miratuan edhe Planin aksionar për tregun e përbashkët rajonal për katër vitet e ardhshme. Plani përmban katër zona: zonë tregtare rajonale (bazuar në katër liritë e tregut të vetëm të BE – liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve), zonë investimesh, zonë digjitale dhe një zonë industriale dhe inovacioni.

Pyetja e parë kryesore mbetet se sa realisht ndihmon bashkëpunimi rajonal që vendet të integrohen në BE.

Sipas Deklaratës, hapat për krijimin e tregut të përbashkët rajonal do të jenë “paralelë” me “integrimin e përshpejtuar” dhe “integrimin gradual” në tregun e vetëm të BE (i famshmi „phasing-in“). Megjithatë, analiza e planit tregon se aktivitetet dhe qëllimet lidhen kryesisht me rajonin, ndërsa ato për integrim në tregun e vetëm evropian janë shumë më pak të dukshme dhe më pak ambicioze. Për shembull, pas vendosjes së lavdëruar shumë të zonës pa roaming në vendet e rajonit, qëllimi tjetër për katër vitet e ardhshme do të ishte vetëm “ulja e çmimeve të roamingut midis BP dhe BE-së”. Prandaj, pyetja e madhe është nëse dhe si do të ndodhin këto procese “paralelisht” apo parimi është: së pari një treg rajonal e pastaj përfshirja në tregun e vetëm të BE-së.

Çështja e dytë kryesore është potenciali real i kësaj iniciative për të kontribuar në zhvillimin ekonomik. Sipas një studimi para pak kohësh nga Instituti i mirënjohur i Vjenës për Studime ekonomike ndërkombëtare, bashkëpunimi i rritur rajonal deri më tani, megjithëse pozitiv, nuk ka ndonjë efekt të fortë në zhvillimin ekonomik dhe konvergjencën ekonomike me BE. Vendet në rajon janë ende të vogla dhe të varfra, kështu që fitimet e mundshme janë të kufizuara. Analiza tregon se efekti material në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kërkon nivel më të lartë të integrimit në BE dhe fluks më të rëndësishëm nga Buxheti i BE-së. Sipas vlerësimeve të BERZH, nëse normat e rritjes janë të njëjta si në periudhën 2001-2016, rajoni do të arrinte 50% të PBB-së së BE-së në më pak se gjashtëdhjetë vjet – në 2078. Kujtojmë që nëntë miliardët e përmendura në takimin e Sofjes janë të njëjtat fonde nga Plani ekonomik dhe i investimeve, të shpallura zëshëm nga Komisioni ekonomik muajin e kaluar, pra të njëjtat 9 miliardë nga IPA III tërësisht për rajonin për shtatë vitet e ardhshme, dhe janë në të njëjtin nivel me IPA II për periudhën e mëparshme shtatë-vjeçare.

Agjenda e gjelbër është padyshim një prioritet për rajonin tonë. Deklarata e miratuar (e cila nuk shoqërohet me një plan aksionar), përcakton qëllime shumë ambicioze në disa fusha: 1. klima, energjia, lëvizshmëria; 2. ekonomi rrethore; 3. çndotja; 4. bujqësia e qëndrueshme dhe prodhimi i ushqimit; 5. biodiversiteti. Ajo i referohet zbatimit të dokumenteve tashmë të miratuara, por edhe zhvillimit të strategjive, planeve dhe iniciativave të reja. Megjithatë, nuk ka vlerësim se sa do të kushtojë implementimi. Për shembull, vendet në rajon marrin përsipër që të harmonizohen me legjislacionin e BE-së për klimën, me një vizion për të arritur neutralitetin e klimës deri në vitin 2050. Sa do që të duket larg viti 2050, është një qëllim ambicioz, i cili kushton shumë para. BE parashikon 25% të buxhetit të saj të ardhshëm shtatë-vjeçar të kontribuojë në veprime klimatike. Vendet në rajon nuk kanë projeksione të tilla.

LENë kushte kur ka mungesë të dukshme fondesh për investime të shtrenjta që janë të nevojshme për të zbatuar një Agjendë serioze të gjelbër, ne ndoshta duhet të fillojmë me atë që mund të bëhet me të njëjtat fonde që po japim tani, por t’i shpenzojmë ato në mënyrë më efikase. Për shembull – për të rritur efikasitetin e qeverisjes në vendet e rajonit, dhe duke e zbatuar vetëm atë që kemi miratuar tashmë të arrihet efekti. Kjo nuk do të mjaftojë  as për së afërmi, por do të jetë një kthesë dhe sinjal i rëndësishëm.

Dhe për në fund – pasi i uroi Zaevin dhe Borisovin për presidencën e suksesshme me procesin, kancelarja gjermane njoftoi se vitin e ardhshëm ajo do ta kthejë procesin atje ku ka filluar – në Berlin.

 

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Comments are closed.