Inkurajimi i të drejtave sociale: thelbësore për rimëkëmbjen e BE-së nga Covid-19
Pandemia nxiti një mbështetje të pashembullt financiare nga BE-ja si kundërveprim ndaj ndikimit social të Covid-19. Shumë njerëz në BE, veçanërisht njerëzit e kategorive vulnerabël, u përballën me qasje të reduktuar në kujdesin shëndetësor, kujdesin për fëmijët, arsimin dhe internetin. Kjo ka çuar në vdekshmëri, varfëri, papunësi dhe përjashtim social të lartë. Raporti i të Drejtave Themelore të FRA-së 2022 përshkruan ndikimin e gjerë të pandemisë në të drejtat sociale. Ai sugjeron gjithashtu se si të trajtohen pabarazitë në rritje dhe kërcënimet ndaj kohezionit shoqëror.
“Përgjigjja ndaj pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë tregon se si Bashkimi Evropian është i farkëtuar kur përballet me kriza”, thotë drejtori i FRA-së ,Michael O’Flaherty. “Masat dhe financimet e BE-së mund dhe po bëjnë një ndryshim të madh, veçanërisht në lidhje me detyrimet përkatëse ligjore dhe angazhimet politike për të mbrojtur të drejtat sociale të njerëzve. Qeveritë do të mund të mbështeten në sigurimin e një rimëkëmbjeje nga pandemia në respektim të të drejtave vetëm përmes monitorimit efektiv të përdorimit të fondeve. Kjo do t’i mbështesë ata në përshtatjen e masave financuese për të zgjidhur mjaftueshëm vështirësitë sociale të njerëzve, veçanërisht të atyre më të prekur, si fëmijet dhe të rinjtë.”
Raporti i të Drejtave Themelore të FRA-së 2022 reflekton mbi zhvillimet dhe mangësitë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në BE gjatë vitit të kaluar. Kapitulli i fokusit shqyrton ndikimin e pandemisë në të drejtat sociale të njerëzve, të tilla si arsimi, punësimi dhe kujdesi shëndetësor. Ai shqyrton përvojat e fëmijëve, të rinjve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe njerëzve të tjerë në situata të vulnerabël. Gjithashtu, hedh një vështrim në mënyrën si vendet e BE-së planifikojnë të përdorin fondin prej 724 miliardë € të caktuar për rimëkëmbjen nga pandemia për të inkurajuar të drejtat sociale.
Duke ecur përpara, qeveritë duhet të përfshijnë organizmat kombëtare të të drejtave të njeriut ose të barazisë në monitorimin që masat e rimëkëmbjes të financuara nga BE të ndjekin të drejtat
themelore. Këto veçanërisht duhet të synojnë të:
• të përmbushin të drejtat sociale të njerëzve më të prekur nga pandemia;
• të vlerësojnë dhe të përshtatin, nëse është e nevojshme, masat e financuara nga BEja për t’u siguruar që të respektojnë dhe të inkurajojnë të drejtat sociale;
• të sigurojnë përdorimin e fondeve të BE-së për rimëkëmbjen në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së ose me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD).
Çështje të tjera kryesore të të drejtave themelore në 2021 përfshijnë:
• Të drejtat e fëmijëve – pandemia vazhdoi të ndikojë në mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve. Shumë vuajtën, veçanërisht ata nga prejardhje të pafavorizuara, duke i lënë ata në rrezik më të madh të varfërisë dhe përjashtimit. Strategjia e parë e BE-së për të Drejtat e Fëmijëve së bashku me Garancinë Evropiane të Fëmijëve ishin arritje të rëndësishme që kërkonin të galvanizonin përpjekjet për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithë fëmijëve. Vendet e BE-së duhet të sigurojnë që planet e tyre kombëtare të veprimit të përmbushin qëllimet e strategjisë dhe garancisë.
• Migrimi – sfidat e të drejtave themelore kufitare vazhduan. Emigrantët u përballën me dhunë ose u zmbrapsën në kufijtë tokësorë të BE-së dhe mbi 2000 emigrantë vdiqën në det. Vendet e BE-së duhet të kryejnë mbikëqyrje efektive dhe të pavarur të kufirit për të luftuar abuzimet e të drejtave. Numri i fëmijëve azilkërkues, duke përfshirë fëmijët e pashoqëruar, u rrit, gjë që kërkon vëmendje të veçantë nga administratat kombëtare.
• Racizmi – pandemia nxiti më tej diskriminimin, krimin e urrejtjes dhe veçanërisht gjuhën e urrejtjes në internet ndaj emigrantëve dhe pakicave etnike. Duke u mbështetur në Planin e Veprimit Kundër Racizmit të BE-së në vitin 2020, shumica e vendeve të BE-së miratuan ose po zhvillojnë plane kombëtare veprimi për të trajtuar racizmin dhe diskriminimin etnik. Për të rritur përpjekjet e tyre, vendet e BE-së duhet të penalizojnë krimin e urrejtjes, të inkurajojnë raportimin dhe të mbështesin më mirë viktimat. Kjo gjithashtu përfshin realizimin e planeve dhe strategjive të veprimit përmes monitorimit të informuar.
Raporti përmbledh dhe analizon zhvillimet më të mëdha të të drejtave të njeriut në BE në vitin 2021. Ai përmban propozime për veprim, që mbulojnë Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së
dhe përdorimin e saj nga shtetet anëtare, barazinë dhe mosdiskriminimin, racizmin dhe intolerancën lidhur me të, përfshirjen dhe barazinë e romëve, azilin, kufijtë dhe migracionin, shoqërinë e informacionit, privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave, të drejtat e fëmijëve, aksesin në drejtësi dhe zbatimin e CRPD-së.
Instituti për politikë evropiane dhe këtë vit, së bashku me bashkëpunëtorët tanë të jashtëm, përpunoi raportin për Maqedoninë e Veriut.