Ndërmarrjet e ujit/ujësjellësit në Maqedoninë e Veriut: sfidat dhe përmirësimi i performancës

Jan 31, 2022

naum.lokoski

Blog

0

Autor: Dr. Inxh. Mohamed Sameh

 

Dr. Inxh. Mohamed Sameh është një inxhinier ndërtimi me një specializim në strukturat hidraulike. Ai mori diplomën master në Ekonomi nga Kolegji i Evropës në Bruges (Brizh) në Belgjikë dhe doktoraturën në Inxhinieri Industriale në Universitetin e Perugias në Itali. Ai ka punuar për shumë firma konsulente ndërkombëtare përpara se t’i bashkohej Bankës Evropiane për Investime për katër vjet nga viti 2014 deri në vitin 2018. Aktualisht punon si këshilltar i pavarur teknik për projekte të shumta evropiane në Ballkanin Perëndimor.

 

Shërbimet e ujit janë shërbime thelbësore dhe të domosdoshme. Ato mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive tona dhe janë thelbësore për realizimin e qëllimeve të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së dhe Objektivave të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm. Çdo pikë uji dhe menaxhimi efikas i integruar i ujit është një sfidë në të gjithë botën. Gjatë dy dekadave të fundit urbanizimi dhe rritja ekonomike kanë qenë në rritje e sipër, me përjashtim të periudhës së krizës së COVID-19, dhe bashkë me to një presion në rritje për nxjerrjen e ujit, presion në rrjetin e ujësjellësit, rritjen e sasive të ujërave të zeza dhe nevojat e konsiderueshme për investime në trajtimin e ujërave të zeza dhe ripërdorimin e ujit.

Ndërkohë që është arritur përparim në shumë fusha, me mbështetjen e plotë të BE-së dhe agjencive të shteteve anëtare për ndihmë dypalëshe, Maqedonia e Veriut ka ende një rrugë të vështirë për të bërë. Vetëm 15% e vendit është e mbuluar me impiante mekanike dhe biologjike të trajtimit të ujërave të zeza, kurse qytetet kryesore vazhdojnë të shkarkojnë ujërat e zeza të patrajtuara drejtpërdrejt në mjedis. Për më tepër, pavarësisht studimeve të mbështetura nga BE-ja dhe përpjekjeve për të krijuar një instrument ekonomik për mbulimin efektiv dhe të përballueshëm të kostos në sektorin e ujit, vendi vazhdon të ketë disa nga tarifat më të ulëta të ujit në Evropë dhe sfida reale sa i përket qëndrueshmërisë së furnizimit me ujë dhe sistemit të akumulimit dhe trajtimit të tij. Në vitin 2019, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në studimin e saj diagnostikues për Maqedoninë e Veriut  ka vërë në dukje  se “infrastruktura e ujit dhe ujërave të zeza është e vjetëruar dhe në gjendje të keqe dhe ka nevojë për rindërtim dhe zëvendësim urgjent. Efikasiteti i subjekteve të shërbimeve publike të ujit dhe kanalizimit është një çështje serioze me nivele humbjesh të ujit prej 63%, për shkak të humbjeve komerciale dhe teknike”. Niveli dukshëm i lartë i humbjeve të ujit është theksuar edhe në rekomandimin e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2021.

 

Tërheqja e investimeve në ndërtimin, rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e shërbimeve të ujit, si dhe përmirësimi i efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve të ujit janë thelbësore për fuqizimin e rritjes ekonomike duke ruajtur burimet ujore për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Ndërmarrjet e ujit/ujësjellësit dhe “grykat e ngushta”!

 

Ndërmarrjet e ujit/ujësjellësit luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëritë dhe ekonomitë tona moderne. Qytetet, fshatrat dhe bashkitë janë qendrat e aktiviteteve njerëzore. Ndërmarrjet funksionale të ujësjellësit synohen të jenë një instrument efikas për ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza për banorët dhe bizneset në zonat e tyre përkatëse. Por çfarë e bën efikase një ndërmarrje uji/ujësjellësi? Si do të mendonte dikush prej nesh për një “efikasitet” të tillë kur e dimë se pothuajse 50-70% e ujit që të njëjtat ndërmarrje mund të pompojnë në rrjetin e tyre humbet rrugës drejt klientëve?

 

Për të pasur një ide mbi përmasën e performancës së dobët dhe potencialin për përmirësim, ne mund të konsiderojmë një krahasim me realitetin në disa vende të ngjashme. Matjet në rrjetet e shpërndarjes në qytete si Benthuizen dhe Diemen-Noord në Holandë qysh në vitin 2008 rezultuan në identifikimin e niveleve të humbjeve deri në 2% , ndërsa humbjet e ujit në rrjetin e furnizimit me ujë të qytetit të Amsterdamit vlerësohen rreth 5%. Edhe nëse Holanda, si një nga performuesit më të mirë në Planetin Tokë, mund të jetë një përjashtim, por diapazoni prej 10-30% humbjesh në rrjetet urbane të ujit janë fakte të rëndomta në BE.

 

Shkurtimisht, në Maqedoninë e Veriut humbjet mund të përgjysmohen, nëse vullneti politik si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal janë pak më serioz në këtë drejtim. Vullneti politik dhe prioritizimi i nevojave të qytetarëve për ujë janë padyshim çështjet kryesore. A po mungojnë këto në Maqedoninë e Veriut? Apo ndoshta ka humbur në përkthim mes interesave të shumta të palëve të interesuara, qofshin ato politike, institucionale apo personale?

 

Në shumë vende anembanë globit, ndërmarrjet publike të ujësjellësit zakonisht strategjinë e tyre, planifikimin e punës dhe rekrutimin e burimeve njerëzore e bëjnë të ndikuara shumë nga agjenda politike e administratës së bashkisë së tyre, larg efikasitetit, stimujve për përmirësimin dhe orientimin e shërbimimeve ndaj klientëve. E gjithë kjo zakonisht bëhet duke ia faturuar kostot buxhetit të shtetit, rajonit ose komunës.

 

Nëse bëjmë një vështrim të shpejtë në strukturën e këtyre ndërmarrjeve publike për ujin dhe ujërat e zeza nuk duhet të habitemi kur të mësojmë mbi organizimin e tyre institucional, mënyrën e funksionimit, llojin e burimeve njerëzore të disponueshme dhe shkallën e inovacionit. Në mënyrë tipike, numri i punonjësve në këto ndërmarrje është i fryrë, me shumë pak ose asnjë vlerësim ose krahasim të produktivitetit të tyre. Ata zakonisht nuk arrijnë të rinovojnë forcën e tyre të punës dhe janë ndër mjediset më pak tërheqëse të punës për të rinjtë, sidomos për teknikët më të mirë të diplomuar në vend. Opusi i aftësive të tyre drejtuese vështirë se përputhet më shumë se mandati politik i administratës komunale. Është një rreth vicioz i trishtuar ku një ndërmarrje joefikase ujësjellësi dhe shumë e politizuar e humb perceptimin e besueshmërisë në sytë e klientëve të saj. Me një shërbim të dobët dhe imazh publik tashmë të përkeqësuar, do të mungojë gatishmëria për të paguar, do të ketë tarifa të ulëta, rikuperim të kufizuar të kostos, mungesë riinvestimi dhe humbje të larta të ujit. Të ardhurat e ulëta e bëjnë të pamundur që këto ndërmarrje të marrin në konsideratë mobilizimin e më shumë fondeve për investimin në trajtimin e ujërave të zeza dhe të ekspozojnë ndërmarrjet ndaj rreziqeve nga korniza rregullatore mjedisore. Kjo, edhe në rastin më të keq, mund ta bëjë kornizën rregullatore asgjë më shumë se një listë teorike dëshirash, për të cilat të gjithë në vend besojnë se janë të pamundura të respektohen. Është e domosdoshme që ky cikël të shmanget ose pamundësohet kudo dhe kurdo të materializohet nëse Maqedonia e Veriut do të arrijë të përafrohet me legjislacionin mjedisor të BE-së.

 

Duke përdorur bazën e të dhënave të DANUBIS.org për të parë tabelën e rezultateve të performancës së shërbimeve, potenciali për përmirësim është i qartë. Natyrisht, është e rëndësishme të merret në konsideratë që baza e të dhënave mund të jetë shumë e vjetër nga viti 2014 ose 2016 dhe shumë përmirësime mund të ishin kryer ndërkohë nga këto ndërmarrje. Performanca e përgjithshme përcaktohet duke krahasuar gjendjen e ndërmarrjes për 10 tregues kryesorë që matin mbulimin e shërbimit, cilësinë, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë financiare, kundrejt praktikave më të mira rajonale. Tabela e rezultateve të shërbimeve për Ndërmarrjen Komunale të Ujësjellësit dhe Kanalizimit të Shkupit për vitin 2016 – Vodovod, tregon një performancë relativisht të dobët të përgjithshme dhe ndryshime të ulëta të përgjithshme të shërbimit në krahasim me ndërmarrjet e ngjashme standarde. Këto tregues përfshijnë, ndër të tjera, mbulimin e ujit dhe kanalizimeve, trajtimin e ujërave të zeza, humbjet e ujit dhe mbulimin e kostove operative. Dy aspektet e fundit kanë një rezultat veçanërisht të ulët. Ky model është specifik për Shkupin. Marjan Nikolov nga Qendra për Analiza Ekonomike në vlerësimin e projektit të komunës së Negotinës për rindërtimin e ujësjellësit ka vënë në dukje se nga 2.433.168 m3 ujë të prodhuar në vitin 2013, 1.446.883 m3 janë humbje. Kjo është afërsisht 60%. E njëjta gjë vlen edhe për ndërmarrjen e përbashkët publike të ujësjellës-kanalizimit në Ohër “Proaqua”. Humbjet e ujit, mbulimi i kostove operative dhe ujërat e zeza janë çështje që përsëriten dhe një shqetësim serioz.

A mund të ndihmojë pjesëmarrja e sektorit privat?

 

A mund të ndihmojë pjesëmarrja e sektorit privat në përmirësimin e performancës së ndërmarrjeve të ujësjellësit? A mund të sjellë sektori privat një vlerë të shtuar në menaxhimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë? Kjo është një pyetje e vjetër për të cilën literatura e disponueshme ofron një analizë të plotë.  Qysh në vitin 2007, Këshilli i OECD-së miratoi  Parimet e OECD-së për Pjesëmarrjen e Sektorit Privat në Infrastrukturë për të ndihmuar qeveritë të punojnë me partnerët e sektorit privat për të financuar dhe realizuar projekte në fusha jetike me rëndësi ekonomike, si transporti, uji dhe furnizimi me energji elektrike dhe telekomunikacioni. Këto përfshijnë 24 parime që mbulojnë mënyrën se si autoritetet publike duhet të vendosin për përfshirjen e sektorit privat, nevojën për një organizim modern institucional, përcaktimin e qëllimeve dhe strategjive, ndarjen e përgjegjësive, kujdesin e duhur dhe llogaridhënien, ndër të tjera. Dy vjet më vonë, duke njohur natyrën e veçantë të shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të zeza dhe infrastrukturës përkatëse, OECD-ja publikoi në vitin 2009 listën e saj të veprimit publik: Pjesëmarrja e Sektorit Privat në Infrastrukturën Ujore.

 

Dymbëdhjetë vjet më vonë, debati është ende një temë aktuale. Ndërsa uji është njëkohësisht një e mirë private dhe publike, çdo diskutim rreth mbulimit të kostos dhe pjesëmarrjes private është shumë i instrumentalizuar politikisht. Normalisht, debati do të përfshijë çështjet se si duhet të vendosen tarifat dhe si ato mund të tërheqin investime në infrastrukturën e ujit. Nëse pjesëmarrja e sektorit privat është tashmë një çështje e ndjeshme, tarifat e ujit janë edhe më emocionale.

 

Për t’u përafruar me legjislacionin mjedisor të BE-së, Maqedonia e Veriut do të duhet të investojë shumë për zbatimin e Direktivës për Trajtimin e Ujërave të Zeza Urbane (UWWTD). Kjo e fundit ndikohet ndjeshëm nga neni 9 i Direktivës 2000/60/KE që ndërton një kornizë për masat e Komunitetit në fushën e politikës së ujit.  Direktiva (UWWTD) kërkon që politika e çmimit të ujit të ndjekë parimin e rikuperimit të kostove të shërbimeve të ujit. I ndikuar nga sistemet holandeze të menaxhimit të ujit, Giel Verbeeck, gjatë kryerjes së Studimit për zhvillimin e tarifave kombëtare të ujit të mbështetur nga BE në Maqedoninë e Veriut, arriti në përfundimin se “vetë tarifa nuk mund të adresojë sfidën financiare dhe mjedisore: një tarifë e ridizajnuar për prodhimin e ujit mund të ofrojë nxitje të fortë për të reduktuar humbjet e ujit në të gjithë sektorin e ujit, një tarifë e ridizajnuar e ndotjes së ujit mund të sigurojë nevojat e kërkuara për bashkëfinancim, kurse marrëveshjet vullnetare mund të mbështesin zhvillimin e një strukture të përmirësuar sektoriale”.

 

Pjesëmarrja e sektorit privat në ofrimin e shërbimeve komunale, dhe në veçanti shërbimet në lidhje me furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, mund të sjellë kulturën e nevojshme të biznesit dhe të orientuar drejt klientit. Shembujt pozitivë janë të shumtë, por edhe përvojat e këqija janë gjithashtu të shumta. Një autoritet rregullator i pavarur që krijon stimujt e duhur, një sistem tarifor adekuat që respekton parimin e mbulimit të kostos dhe përballueshmërinë, një mjedis konkurrues transparent dhe një Marrëveshje shërbimi e mirëpërcaktuar midis ndërmarrjeve të ujit dhe bashkisë janë më se të domosdoshme, por disa të kushtëzuara në realizimin e përfitimeve.

 

Sidoqoftë, në çdo rast, kurimi mund të zbutë simptomat e diagnostikuar. Vlerësimi i performancës së ndërmarrjeve të ujësjellësit është thelbësor për një vend serioz për të përmirësuar sistemin e tij të menaxhimit të ujit. Siç thotë Peter Drucker, një pionier modern i menaxhimit të biznesit, thotë “ajo që nuk matet vështirë se mund të menaxhohet dhe as të përmirësohet”. Në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe teknologjitë e ujit në zhvillim të vazhdueshëm dhe mjetet inovative të menaxhimit, ekziston një nevojë reale për institucionalizimin e praktikave më të mira në krahasimin dhe përmirësimin e performancës financiare dhe operacionale në ndërmarrjet e ujësjellësit në Maqedoninë e Veriut. Përderisa këto janë shpesh një kërkesë nga agjencitë financiare ndërkombëtare dhe bilaterale për të siguruar qëndrueshmërinë e përfituesve maqedonas, ndikimi i tyre në transformimin kulturor të ndërmarrjeve të ujësjellësit nuk duhet të nënvlerësohet. Bazuar në diagnozën e ndërmarrjeve të shërbimeve të ujit, një plan veprimi mund të fokusohet në fushat prioritare të ndërtimit institucional dhe zbatimin e tij. Prandaj, është me rëndësi të madhe që të ekzistojë një kornizë adekuate rregullatore dhe të ruhet vërtet pavarësia e autoritetit rregullator. Politikëbërësit duhet të zhvendosin fokusin e tyre në mbështetjen e transformimit kulturor të ndërmarrjeve të ujit. Ata duhet të jenë në një pozicion jo vetëm për të tërhequr investime, por edhe për të vendosur kushtet për tërheqjen e burimeve më të mira teknike në dispozicion në Maqedoninë e Veriut për një gjeneratë të re inxhinierësh të ujit, ekonomistëve, ekspertëve të TI-së, marrëdhënieve me klientët dhe menaxherëve financiarë. Pa këto, çdo investim i thjeshtë në infrastrukturë vështirë se do të kontribuonte në qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë në Maqedoninë e Veriut.

 

Dr. Inxh. Mohamed Sameh është një inxhinier ndërtimi me një specializim në strukturat hidraulike. Ai mori diplomën master në Ekonomi nga Kolegji i Evropës në Bruges (Brizh) në Belgjikë dhe doktoraturën në Inxhinieri Industriale në Universitetin e Perugias në Itali. Ai ka punuar për shumë firma konsulente ndërkombëtare përpara se t’i bashkohej Bankës Evropiane për Investime për katër vjet nga viti 2014 deri në vitin 2018. Aktualisht punon si këshilltar i pavarur teknik për projekte të shumta evropiane në Ballkanin Perëndimor.

 

This blog is prepared by the European Policy Institute (EPI) as part of the campaign “Clear it all”, implemented by the Institute for communication studies, financed by the British Embassy in Skopje.

Photo: Fela

Comments are closed.