Konferenca 20 vjet nga MSA: Marrëveshja është një dokument kryesor për rregullimin dhe avancimin e marrëdhënieve me BE-në
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis Maqedonisë dhe BE-së ofron një numër të madh mundësish që nuk u janë shpjeguar sistematikisht kompanive dhe industrisë në vend, tha sot profesoresha Silvana Mojsovska nga Instituti Ekonomik në konferencën “MK-EU MSA: Njëzet vjet më vonë”, organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane.
Ajo shtoi se Marrëveshja është dokumenti kryesor që rregullon marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Bashkimit Evropian.
“Që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, është arritur liberalizimi pothuajse i plotë për hyrjen e produkteve maqedonase në tregun evropian. Kjo do të thotë që ne mund të eksportojmë pa detyrime doganore, duke filluar nga viti 2001, dhe që nga viti 2011 ky proces kishte përfunduar, me faktin se tani edhe produktet evropiane hyjnë te ne pa detyrime doganore”, tha profesoresha Mojsovska.
Konferenca u mbajt me rastin e 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe për të shënuar 10-vjetorin e themelimit të EPI.
Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane (EPI), Simonida Kacarska tha se vendi ka arritur një nivel të lartë të harmonizimit me legjislacionin evropian, veçanërisht në lidhje me fazën që është në procesin e përafrimit, e cila njëherësh është rezultat i Marrëveshjes.
“Ne nuk do të ishim atje ku jemi në krahasim me vendet e tjera të rajonit nëse nuk do të ishte Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, pa marrë parasysh sa dëshironim që ajo të ishte vetëm një hap drejt negociatave,” tha Kacarska.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov tha se qëndrimi i tij ndaj jubileut të MSA-së është ambivalent, sepse nga njëra anë kjo kornizë ligjore na ka ndihmuar shumë, ndërsa nga ana tjetër ajo na përkujton kohën e humbur, brezat e humbur dhe mundësitë e humbura.
“Ne ishim të parët që e shfrytëzuam këtë mundësi por ende nuk kemi filluar negociatat e pranimit. Por, sado i madh të jetë tundimi për të rënë në atë kurth dhe për t’u ndjerë si një viktimë e padrejtë, unë preferoj të shoh se çfarë mund të bëjmë për të ecur në rrugën që s’ka alternativë, rrugën evropiane, në mënyrë që t’ia dalim”, shtoi Dimitrov.
Zëvendës-udhëheqësja e Njësisë për Maqedoninë e Veriut në Komisionin Evropian, Marie Teresa Moran, theksoi se përfitimi më i madh ekonomik nga Marrëveshja është se mbi 95% e produkteve të vendit mund të importohen në BE pa detyrime doganore. Ajo theksoi se BE-ja aktualisht është duke punuar në integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për atë qëllim është edhe propozimi për një Treg të përbashkët rajonal.
“Përveç planit për rimëkëmbjen ekonomike dhe luftës kundër KOVID-19 dhe pasojave të pandemisë, ne kemi propozuar që Tregu i përbashkët rajonal të integrohet në Tregun e vetëm evropian. “Kjo nuk është një alternativë, por një hapë drejt integrimit,” shtoi Moran.
Në panelin ku u diskutuan përfitimet, mundësitë dhe potencialet e pashfrytëzuara të Marrëveshjes, sekretari shtetëror në Sekretariatin për Çështje Evropiane Dragan Tilev tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është projekti më i rëndësishëm transformues për vendin tonë.
“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hapi rrugën, si ekonomikisht ashtu dhe politikisht, dhe vuri themelet për strukturën tonë aktuale administrative dhe institucionale,” tha Tilev.
Integrimi i suksesshëm në BE është i pamundur pa integrimin rajonal, theksoi profesori nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë”, Vanço Uzunov dhe shtoi se, megjithatë, ai proces nuk duhet të zëvendësojë integrimin në BE.
“Për vendet më të vogla, siç është Maqedona, bashkëpunimi rajonal ka kapacitetin për të përmirësuar performancën ekonomike dhe për ta çuar vendin drejt rritjes ekonomike në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme,” shtoi Uzunov.
Profesori i Universitetit “Nënë Tereza”, Agim Mamuti tha se duhet të forcohet besueshmëria dhe kapaciteti i institucioneve kryesore ekonomike.
Ai gjithashtu sugjeroi që trajtimi i sfidave ekonomike, ndër të tjera, kërkon një përmirësim cilësor të segmenteve kryesore të klimës së investimeve dhe politikave makroekonomike të përqendruara në stabilitetin makroekonomik, veçanërisht në konsolidimin fiskal, respektivisht uljen e borxhit dhe deficitin buxhetor.
Diskutantët dhe pjesëmarrësit në konferencë analizuan përfitimet, mundësitë dhe potencialet e pashfrytëzuara të MSA-së në marrëdhëniet e saj me BE-në dhe diskutuan për drejtimet e ardhshme sa i përket zbatimit të Marrëveshjes.