Mentaliteti dhe jo informimi si arsye kryesore për shkak të cilave shteti nuk është anëtare e BE-së, konsiderojnë qytetarët
Integrimi i Republikës së Maqedonisë Veriore në strukturat ndërkombëtare nuk është një proces i ri, por një luftë afatgjate e reformave dhe premtimeve. Kushtet që rregullojnë aderimin tonë në Bashkimin Evropian ristrukturohen vazhdimisht duke e komplikuar procesin. Njëokohësisht, ato ndikojnë edhe në perceptimin dhe dëshirën e qytetarëve për integrimin e vendit. Qytetarët besojnë se mentaliteti i njerëzve tanë, si dhe mungesa e informacionit nga institucionet janë një nga arsyet kryesore pse vendi nuk mund të vazhdojë më tej dhe të bëhet pjesë e forcave ndërkombëtare.
Diskutimi “Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe integrimi në BE: Ku jemi dhe ku po shkojmë?” , I cili u organizua më 15 prill, kishte për qëllim përfshirjen e qytetarëve në një diskutim debati që do të zbulojë pikëpamjet e tyre mbi procesin e integrimit evropian dhe mundësitë e vendit. Ngjarja u zhvillua në format të ndarë në dy pjesë, kështu që në pjesën e parë të diskutimit qytetarët pjesëmarrës fillimisht diksutuan pikëpamjet dhe mendimet e tyre. Krahas zgjidhjeve dhe rekomandimeve të propozuara gjatë diskutimit, ata gjithashtu formuan pyetje në pjesën e dytë për të patur mundësinë për t’i bërë pyetje ekspertes të fushës.
Si pjesë e diskutimit, përveç pjesëmarrësve nga rajoni lindor dhe juglindor i vendit, ishte e ftuar si eksperte edhe anëtarja e bordit menaxhues të Institutit për Politikë Evropiane EPI-Shkup, Malinka Ristevska Jordanova, e cila dha drejtpërdrejt shpjegime shtesë të pyetjeve të qytetarëve. Diskutimi u moderua nga Sonja Stojadinoviç.
Pjesëmarrësit theksuan se nuk janë të informuar sa duhet për procesin e integrimit evropian dhe se si ai proces do të ndikojë tek ata dhe shteti. Për shkak të mungesës së komunikimit cilësor nga ana e institucioneve, të cilat selektojnë aktivitete dhe proceset që i komunikojnë në publik, shoqëria ka humbur besimin në punën e tyre. Ka shumë sektorë ku ka progres të konsiderueshëm në procesin integrues, por që nuk komunikohen mjaftueshëm për publikun. Parregullsia institucionale në nivel shtetëror ndryshon shumë nga institucionet evropiane dhe funksionaliteti i tyre. Gjithashtu, konsiderohet se mentaliteti i shoqërisë nuk është i përgatitur siç duhet për të qenë pjesë e BE-së.
Partizimi masiv në të gjithë sektorët shfaqet si një problem kryesor. Partizim ka në institucionet publike, veçanërisht në administratën publike, por partizimi nuk ka lënë anash as sektorin privat. Sipas pjesëmarrësve, nuk ka konsensus ose vetëdije minimale për çështjen e partizimit dhe një vendosmëri më e madhe është e nevojshme nga subjektet politike për të vendosur partizimin si një përparësi kryesore. Gjithashtu, vetë qytetarët duhet të bëjnë më shumë presion dhe të jenë të zëshëm për realizimin e të drejtave të tyre.
Për më tepër, në lidhje me të rinjtë, një temë e cila u diskutua gjerësisht gjatë ngjarjes, u theksua se atyre duhet t’ju sigurohen më shumë mundësi në mënyrë që të rifitojnë dëshirën për të qëndruar në vend. Niveli i migrimit i të rinjve për shkak të arsimimit, arsyeve ekonomike, por edhe partizimit të vendit po rritet çdo vit. Për t’u siguruar të rinjve një atmosferë të favorshme shoqërore, është e nevojshme të bëhet një analizë e institucioneve. Analiza do të tregojë se cilët sektorë punojnë, çfarë bëjnë mirë dhe ku ka mangësi, në mënyrë që t’i përmirësojmë ato, në vend që të premtojmë vetëm mundësi të reja.
Sa i përket integrimit evropian, përveç mangësive në nivelin shtetëror, si një arsye shtesë që ndikon në proces, është edhe vetë BE-ja. Ekziston euroskepticizëm dhe pakënaqësi sepse BE-ja vazhdimisht bën angazhime deklarative dhe ka kërkesa shtesë që duhet të plotësohen, kurse vendi, në të gjithë këtë proces, është relativisht pak i përkushtuar ndaj asaj që i nevojitet dhe ndaj përparësive të saja si shtet. Vendi është i gatshëm të bëjë të gjitha reformat e kërkuara nga BE-ja, por e njëjta përpjekje dhe përgjigje nuk është reciproke. Vendi duhet të ruajë integritetin e tij në kuadër të prioriteteve të veta për të qenë në gjendje të vazhdojë të përmbushë prioritetet ndërkombëtare. Lidhur me marrëdhëniet e mira fqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë, nga përvojat personale, pjesëmarrësit treguan bashkëpunimin dhe komunikimin midis qytetarëve, jashtë dokumenteve zyrtare. Qytetet ndërkufitare, të tilla si Gjevgjelia, kanë bashkëpunim ekonomik me qytete në Greqi, dhe para bllokadës Bullgare, për shembull në qytetin e Delçevës, kishte komunikim të favorshëm dhe bashkëpunim në projekte me shkolla në Bullgari. Pjesëmarrësit theksuan se politikat negative nuk duhet të ndikojnë në proceset e integrimit.
Gjatë diskutimit me Malinka Ristevska Jordanova u ngritën pyetje të shumta në lidhje me negociatat aderuese, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe progresin e vendit. U theksua se problemi aktual me Bullgarinë ishte një befasi për shumë dhe çoi në prishjen e marrëveshjeve bilaterale dhe prishjen e besimit, e cila do të ndikojë më tej edhe në sektorë të tjerë të bashkëpunimit. Shkalla e aderimit në BE po bëhet gjithnjë e më e komplikuar, prandaj si vend duhet të shikojmë të përmirësojmë të gjitha fushat në vend e jo vetëm ato që i konsiderojmë të rëndësishme. Мegjithatë, përveç mangësive kemi edhe rezultate të favorshme që shpesh neglizhohen. BE-ja po bën përpjekje për të kapërcyer bllokadën e vendosur nga Bullgaria, por mundësia e një kompromisi nuk është ende e sigurt. Vendi ka fusha në të cilat tregon përparim dhe zhvillim të madh, si dhe fusha ku duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje. Sidoqoftë, mbetet nevoja për angazhim më të madh, vullnet politik dhe vigjilencë për të punuar në progresin në shumë fushave të rëndësishme si demokracia, sundimi i ligjit dhe mjedisi.
Diskutimi u organizua si pjesë e projektit “ACT – Veprim Qytetar Aktiv 2.0″, zbatuar nga Instituti për Politikë Evropiane – Shkup me mbështetjen e Qendrës për Demokraci Deliberative në Universitetin Stanford nga ShBA. Projekti është financuar nga National Endowment for Democracy nga ShBA. Ky diskutim, së bashku me 4 diskutime të tjera me qytetarë për tema të ndryshme në të gjithë vendin, do të kontribuojnë në zhvillimin e Debatës Nacionale Demokratike që është planifikuar të mbahet në vitin 2022.