Rruga e Maqedonisë drejt Brukselit: Thyerja e rrethit magjepsës

Autore: Malinka Ristevska Jordanova

Më në fund duhet të pranojmë se BE-ja nuk mund të krijojë një recetë për jetën tonë dhe të na dhurojë një jetë të mirë. Ne duhet të kemi vizionin dhe planin tonë.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në një bisedë me një veterane tjetër të procesit të integrimit në BE nga rajoni, iu ankova saj duke i thënë: “Ne e morëm karrotën e copëtuar”. Pastaj, ajo komentoi: “Kurse ne, në rende”. Nëse do të takoheshim tani, me shumë gjasë do t’i thoja: “Ne e morëm shkopin. Kurse merituam një karrotë të madhe dhe të ëmbël”. Për dikë jashtë “rrethit të integrimit evropian”, nuk do të ishte shumë e qartë se për çfarë po flisnim. Si nxënës/studentë të mirë të integrimit evropian, ne kemi mësuar rrëfimin kryesor: që politika e kushtëzimit do të thotë të marrësh një shpërblim (“karrotë”), nëse i plotëson kushtet, dhe nëse jo – merr një ndëshkim (“shkop”).

Rasti i Maqedonisë i vitit 2020 tregoi (ose konfirmoi) se mund të jetë e kundërta. Nëse i plotësoni kushtet, mund të mos merrni karrotën, por shkopin.

Bllokime të reja të qasjeve të reja

Kur Maqedonia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2004, Brukseli na dërgoi një mesazh – “Rruga për në Bruksel është përmes Ohrit”. Dhe kështu zbatuam Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund krizës ndëretnike të vitit 2001. Dy vjet më parë morëm mesazhin – “Rruga për në Bruksel është përmes Prespës”. Dhe kështu ndryshuam emrin (Maqedonia e Veriut), sepse atë e kërkoi Greqia, pavarësisht një vendimi të kundërt të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, vitin e kaluar rruga për në Bruksel u mbyll përsëri. Tani Bullgaria synon të ndryshojë trasenë (itinerarin) e Maqedonisë drejt Brukselit – këtë herë përmes Sofjes. E dini çka? Në asnjë mënyrë. E dini pse? Sepse Bullgaria dëshiron të ndryshojë identitetin maqedonas, duke abuzuar me procesin e anëtarësimit në BE dhe duke imponuar versionin e saj të shtrembëruar të historisë.

Ky version prek jo vetëm historinë maqedonase, por edhe historinë e Bashkimit, përfshirë edhe rrënjët e tij antifashiste. Kërkesat e pabazuara të Bullgarisë kanë pasoja të mëdha në procesin e aderimit të Maqedonisë në BE, por edhe në procesin e zgjerimit në përgjithësi. Ato ndikojnë në rajon dhe BE, duke injektuar helm – ndezje nacionalizmi dhe konflikte, dhe kështu minojnë edhe stabilitetin.

Vendet e tjera anëtare të BE-së, deri më tani kanë arritur të parandalojnë Bullgarinë që ta imponojë këtë “qasje të re” në procesin e aderimit, por nuk arritën ta parandalojnë që të bllokojë, që na solli deri në një rrugë qorre. Aktualisht, politika e kushtëzimit është komprometuar, kredibiliteti i BE-së është humbur, dhe kështu është kërcënuar që në fillim edhe metodologjia e re e rishikuar e zgjerimit. Për të qenë i besueshëm, procesi i aderimit duhet të ketë një perspektivë reale, kurse politika e tij e kushtëzimit – e bazuar në merita. Si rrjedhojë, pyetja kryesore është se si Bashkimi Evropian përdor dy instrumentet themelore të pranimit që janë në duart e tij – kontrollin e dinamikës dhe agjendën e tij.

BE-ja nuk është e gatshme për zgjerim

Aktualisht, procesi është i ngadaltë dhe anëtarësimi nuk duket i arritshëm. BE-ja thjesht nuk është e gatshme për një zgjerim të ri. E tillë siç është, funksionon me vështirësi dhe nuk dëshiron anëtare të reja, në veçanti jo – anëtare “problematike”.

Sa i përket agjendës, ajo ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve për vendet e rajonit. Në vitet e fundit, BE-ja me të drejtë ka vendosur sundimin e ligjit në plan të parë. Megjithatë, një qasje e tillë minohet nga çështje që nuk kanë lidhje dhe madje janë në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës (sundimit të ligjit) – të tilla si vetoja bullgare, e cila tani është në krye të agjendës së pranimit. Kështu, një nga kushtet kryesore në procesin e stabilizimim-asocimit – bashkëpunimi rajonal, në vend të një mjeti pajtimi në rajon, është bërë një instrument presioni nga vendet në rajonin e gjerë që janë në një pozitë më të favorshme – anëtare të BE-së, mbi vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë.

Megjithëse nuk është tani e gatshme për zgjerim, BE-ja megjithatë dëshiron të ketë një ndikim në Ballkanin Perëndimor – për arsye gjeostrategjike dhe për të ruajtur stabilitetin. Strategjia e re e zgjerimit vë në pah “konkurrencën e fortë gjeopolitike”, e cila ka të bëjë kryesisht në ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon, por edhe Turqisë dhe vendeve të Gjirit. Më tej, Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të ketë rol vendimtar sa i përket menaxhimit me migracionin. Në konkurrencë me çështjet gjeopolitike dhe çështjet e stabilitetit në lojë është e ashtuquajtura “stabilokraci“, në krahasim me meritokracinë, e cila do të ishte në dobi të sundimit të ligjit.

Një efekt tjetër anësor i ndryshimit të agjendave është fakti që janë lënë anash çështje të tilla si mjedisi, energjia, tregu, arsimi, shëndetësia… që janë me interes jetësor për qytetarët e rajonit. Fakti është që këto çështje janë në krye të agjendës rajonale, por ato nuk dominojnë në diskurset kombëtare. Ajo që dominojnë janë pjesë të agjendës së BE-së, por të reflektuara përmes prizmit të politikës kombëtare – siç janë konkurrenca e pafund e subjekteve politike mbi atë se kush është (gjoja) më i korruptuar dhe, në mënyrë të pashmangshme, kush është patrioti më i madh.

Një prapavajtje e Ballkanit Perëndimor

Politika e brishtë e kushtëzimit e BE-së ka kontribuar në ngecje apo prapavajtje (regres) demokratike të shteteve të rajonit. Elitat politike në Ballkan janë bërë mjaft të afta për partizim politik. Kufijtë ishin shumë më porozë për demokracinë dhe populizmin joliberal sesa për importin e standardeve evropiane për efikasitetin energjetik, ndotjen… Reformat zyrtare pa përmbajtje ose zbatim (“kore/lëvore të zbrazëta“) janë të zakonshme. Elitat konkurrojnë për të kënaqur Brukselin (ose disave nga kryeqytetet e tij) për të fituar një favor ose më shumë para nga portofoli i saj i kufizuar i para-aderimit, në vend që të jenë të përgjegjshëm para qytetarëve të vet.

Në vend të një hapi pozitiv përpara, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor hynë në një rreth magjepsës të mosbesimit reciprok.

Maqedonia e Veriut mund të ishte një shembull pozitiv – si në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ashtu edhe sa i përket prioritetizimit të agjendës në lidhje me BE-në. Megjithatë, me bllokadën e re nga Bullgaria, pikërisht shembulli maqedonas u bë një ilustrim i shkallës së arritur të hipokrizisë në procesin e përfarimit, e cila domosdo duhet të kapërcehet.

Hapat e ndërmjetëm dhe alternativat

Në mungesë të një perspektive të arritshme të anëtarësimit, megjithëse dëshirës për të pasur një ndikim në rajon, kryesisht për të ruajtur stabilitetin, për vite me rradhë BE-ja është përpjekur të shpikë “karrota” të reja dhe t’i copëtojë ato ekzistuese: shpërblime të vogla për lëvizje të vogla. Në këtë përpjekje, BE-ja ka dhënë gjithashtu përparësi edhe bashkëpunimin rajonal, duke mbështetur Këshillin Rajonal dhe duke stimuluar forma sektoriale të integrimit rajonal. Bashkëpunimi rajonal është i mirë, por jo i mjaftueshëm. Bashkëpunimi ekonomik rajonal thjesht nuk mund të sigurojë konvergjencë me BE-në. Rajoni është i lidhur me BE-në në çdo aspekt, atij i duhet BE-ja.

Gjetja e hapave plotësues, lehtësues, alternativë dhe të ndërmjetëm për anëtarësimin në BE ka çuar në veprime komplekse dhe diskurse konfuze. Përveç marrëveshjeve bilaterale të stabilizimi-asocimit, ekzistojnë edhe marrëveshje rajonale (zona ekonomike rajonale, bashkësia energjetike, bashkësia e transportit, etj). Negociatat e anëtarësimit po ndahen në gjithnjë e më shumë faza. Po shtohen planet e veprimit, udhërrëfyesit, deklaratat, raportet… Mekanizmat e procesit (sidomos pas metodologjisë së re të zgjerimit) janë bërë tepër komplekse dhe të vështira për t’u prezantuar para qytetarëve, të cilët duan të besojnë se po afrohet anëtarësimi në BE dhe do të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Procesi i zgjatur dhe i brishtë ka rezultuar në fshehjen e thelbit të tij dhe humbjen e fuqisë së tij transformuese, aq shumë i nevojshëm dhe mirëpritur nga qytetarët e rajonit. Dhe të mos harrojmë – thelbi ishte të ndajmë vlerat dhe standardet e BE-së.

Marrëveshjet e stabilizim-asocimit (MSA) tani janë në plan të dytë – dhe kryesisht të harruara si një mundësi. Në ndërkohë, po jepen sugjerime dhe ide për korniza të reja, siç është Zona Ekonomike Evropiane (mendohet për një zonë të re – jo atë ekzistuese). Askush as nuk u përpoq të mendonte se cilat do të ishin negociatat për një propozim të tillë të ri (përfshirë bllokadat e reja të mundshme për çfarëdo arsye), cilat do të ishin përfitimet shtesë të tyre që MSA-të aktuale dhe marrëveshjet rajonale që nuk mund të ofrojnë, por edhe kur ato do të bëheshin të disponueshme. Më në fund, pse dhe kur BE-ja do të ishte e gatshme të ofronte përfitime shtesë, nëse p.sh. aktualisht nuk është e gatshme të lejojë madje as thirrjet telefonike pa roaming midis rajonit dhe BE-së, as ta rrisë ndjeshëm ndihmën e para-aderimit?

Për fat të keq, diskutimi në rajon rreth marrëveshjeve (aranzhimeve) të reja është gjithmonë shumë më i gjallë se debati, bazuar në analizën, mbi mënyrën se si zbatohen marrëveshjet ekzistuese (nga të dy palët) dhe cilat janë mundësitë e tyre të pashfrytëzuara. Ajo që mungon edhe më shumë është një debat më thelbësor për zgjidhjet afatgjata. Kohëzgjatja e hapave të ndërmjetëm dhe diskutimet mbi alternativat duket se përputhen në mënyrë të përkryer me kohën e cikleve të zgjedhjeve të brendshme dhe agjendat politike afatshkurtra. Kjo logjikë politike është e kundërta e asaj që i duhet BE-së dhe rajonit – një qasje afatgjatë dhe e qëndrueshme. Jemi thellë në grackën e miopisë së imponuar të pragmatizmit politik.

Nga ana tjetër, përkundër “pronësisë” më të madhe të bashkëpunimit rajonal të subjekteve në rajon, ajo në shkallë të madhe është e ndarë teknikisht sipas sektorëve dhe nuk tërheq shumë vëmendje midis elitave politike të Ballkanit. Për çështjet e rëndësishme politike nuk ka qëndrim dhe zë të përbashkët politik nga rajoni, as lobim të rëndësishëm në BE për definimin e prioriteteve të përbashkëta.

Traseja (rruga) e shkurtër – sfidë më e madhe

Impulsi i parë pas zhgënjimit të vitit të kaluar në procesin e aderimit të Maqedonisë mund të përmblidhet në thënien e famshme nga rajoni “besoi vetes dhe kalit tënd “. Në vendin tonë po lind një tezë e re: “Ne do t’i zbatojmë reformat vetë, pavarësisht nga BE-ja”. Krejt kundërthënëse, mesazhet kryesore politike paralele janë se ne nuk mund ta “bëjmë atë” pa negociata me BE-në ose do ta bënim pa BE-në, por “si një kërmill“. Edhe shkurajimi i qytetarëve maqedonas është i ngjashëm – sondazhet e reja tregojnë se 56.1% përgjithësisht ose në një farë mase nuk pajtohen që reformat mund të zbatohen pa presion të jashtëm, ndërsa 42.1% plotësisht ose pjesërisht pajtohen se autoritetet kanë kapacitet për të zbatuar reformat edhe pa presion të jashtëm.

E ardhmja e shoqërisë maqedonase varet kryesisht nga fakti se sa rezistent do të jetë vendi ndaj “goditjeve” të reja të imponuara nga jashtë. Nga ana tjetër, kjo “rezistencë e jashtme” do të varet kryesisht nga fakti se sa rezistente do të jetë Maqedonia ndaj sfidave të saj të brendshme. Vendi ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike, të cilën po e pengon ekonomia jo mjaft konkurruese dhe inovative, si dhe investimet e pakta në kapitalin njerëzor, në një situatë kur një fuqi e kualifikuar punëtore vazhdon të ik përtej kufijve të vendit. I ngadaltë është edhe zhvillimi i korridoreve (infrastruktura e rrugëve, energjia, telekomunikacioni…), të cilat janë thelbësore për një vend të vogël pa dalje në det, ndërsa me fondet e BE-së me shpejtësi të madhe po zhvilloheshin korridoret në fqinjësi që i përkasin BE-së.

Balanca në marrëdhëniet ndëretnike mbahet kryesisht përmes ndarjes së pushtetit midis elitave politike, i cili, nga ana tjetër, lidhet me partizimin dhe klientelizmin, dhe ato vazhdimisht bëjnë presion dhe shkatërrojnë institucionet. Pavarësisht mbajtjes së një ekuilibri delikat politik dhe etnik, shoqëria është subjekt i ndarjeve në baza sociale, etnike dhe politike. Në vend të një vizioni dhe prioritizimi afatgjatë, si dhe një procesi cilësor të miratimit (dhe zbatimit) të politikave dhe vlerësimit të tyre, qeveria maqedonase është në një luftë të furishme për të hequr pengesat e jashtme dhe për të përmbushur prioritetet më të mëdha, kryesisht të planeve afatshurtra. Ata zakonisht i referohen zbatimit të shpejtë të rekomandimeve gjithashtu afatshkurtra nga Brukseli – deri në raportin tjetër të Komisionit Evropian dhe në konkluzionet e ardhshme të Këshillit të BE-së, por, paralelisht – për të treguar rezultate nga premtimet e dhëna zgjedhore.

Nevojitet një qasje e freskët

Për të qenë në gjendje të zgjidhë sfidat e shumta, shoqërisë maqedonase i duhet një rrëfim i ri, një qasje e re, krejtësisht e kundërt me shkurajimin.

Më në fund duhet të pranojmë se BE-ja nuk mund të krijojë një recetë për jetën tonë dhe të na dhurojë mirëqenie. Ne duhet të kemi vizionin tonë. Në zhvillimin dhe zbatimin e tij, duhet të mbështetemi më shumë në përdorimin dhe mbështetjen e asaj që kemi në dispozicion sesa të ankohemi për atë që nuk e kemi, sepse rrezikojmë të humbim edhe atë kapital që kemi – veçanërisht njerëzor, i cili po lufton për rritje, këtu dhe tani. Për të forcuar shtetin e së drejtës, kemi nevojë për qytetarë me fuqi dhe institucione të fuqishme. Na duhet BE-ja, por jo si një zëvendësim për qeverinë tonë, për institucionet tona, as si një zgjidhje për ndonjë nga problemet tona. Ne duhet të tregojmë kapacitetin e një partneri, e jo të një “konsumatori”. Ky është një rol që do ta vlerësonin shumë aktorë të BE-së.

Prandaj, rruga drejt Brukselit çon vetëm përmes nesh, por jo të vetëm. Ky mesazh kyç është i vlefshëm për vendet e tjera në rajon, pavarësisht konstatimit se “nuk ka asnjë rrugë për në Bruksel”.

Pas përvojës me Maqedoninë, ka shumë pak gjasa që Bashkimi Evropian të jetë i gatshëm të “importojë” mosmarrëveshjet bilaterale. Për të thyer rrethin magjepsës, oferta e Ballkanit për anëtarësim në BE duhet të jetë shumë më e besueshme, bazuar në fuqinë e qytetarëve dhe institucioneve, sesa në fuqinë e elitave politike. Për ndryshime në këtë drejtim kemi nevojë edhe për një presion të vazhdueshëm nga sektori civil – një presion burimor, të qëndrueshëm dhe parimor.

Comments are closed.