EPI: Me anë të ndërmjetësimit, më pak procese gjyqësore dhe më pak shpenzime për qytetarët
Ndërmjetësimi e zvogëlon ndjeshëm nevojën për procese/konteste gjyqësore, dhe në të njëjtën kohë paraqet një kosto më të ulët për qytetarët – është mesazhi kryesor i eventit të sotëm “Përfitimet e ndërmjetësimit si një mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve” të organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane (EPI) – Shkup.
Në këtë e event u diskutua mbi zhvillimin e ndërmjetësimit në Maqedoninë e Veriut, posaçërisht përmes përvojave pozitive, siç është numri në rritje i marrëveshjeve, në veçanti i mosmarrëveshjeve nga sfera e marrëdhënieve të punës. Megjithatë, qytetarët dhe subjektet afariste në Maqedoni nuk përdorin sa duhet ndërmjetësimin. Përvojat e BE-së, përmes shembullit të Holandës si një vend që ka shkallën më të lartë të përdorimit të ndërmjetësimit në nivel evropian, tregojnë se përmes këtij mekanizmi gjykatat lirohen në masë të madhe nga çështjet/rastet dhe se qytetarët, por edhe gjykatat e preferojnë atë si një metodë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Në këtë konferencë folën ministri i drejtësisë – Bojan Mariçiq, zëvendës ambasadori i Mbretërisë së Holandës – E.T. Robert Deker, drejtoresha e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë – Natasha Gaber Damjanovska, kryetari i Odës së Ndërmjetësve – Sllave Mlladenovski, kryetari i Federatës Holandeze të Ndërmjetësve – Jan van den Zvieten, këshilltarja shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë – Radica Llazarevska Gerovska, si dhe kryetari i Bordit për sigurimin, monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së ndërmjetësimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Marko Andonov.
Konferenca u zhvillua në kuadër të projektit „Ndërmjetësoni, mos dyshoni“, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup, të cilin EPI është duke e zbatuar në bashkëpunim me Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë ,,Pavell Shatev’’, Odën e Ndërmjetësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federatën Holandeze të Ndërmjetësve. Projekti ka për qëllim të kontribuojë në promovimin dhe rritjen e përdorimit të ndërmjetësimit përmes veprimeve të përbashkëta, dialogut dhe përfaqësimit të bazuar në prova/dëshmi. Përmes bashkëpunimit me Federatën Holandeze të Ndërmjetësve, projekti do të forcojë kapacitetet e ndërmjetësuesve, gjykatësve, prokurorëve dhe do t’i transferojë përvojat e atjeshme.
Materiali me video nga eventi i sotëm është në dispozicion në lidhjen e mëposhtme: https://www.facebook.com/EPI.Skopje/videos/187089329759652/