Pas Katarit – Katargate, skandal që do të nxjerrë mësime apo çudia do të mbarojë për “tri ditë”

“Çdo çudi zgjat tre ditë” ose shkon drejt zgjidhjeve sistemore –

Ish nënkryetarja e Parlamentit Evropian Eva Kaili mbetet në paraburgim. Ky është vendimi i fundit i Gjykatës belge. Kaili është e akuzuar kah mesi i këtij muaji për korrupsion, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash, së bashku me pesë të akuzuar të tjerë. Rasti është në lidhje me ndikimin ndaj vendimeve për mbajtjen e kampionatit botëror të futbollit në Katar. Janë konfiskuar gjithsej rreth 1 milion euro nga të gjithë të akuzuarit.

Parlamenti evropian në mënyrë eksprese pas aktakuzës dhe paraburgimit ia mori Kailit mandatin e eurodeputetes, me çka ajo pushoi së qeni edhe nënkryetare e institucionit të vetëm evropian me zgjedhje direkte. Grupacioni politik të cilit i përket eurodeputetja greke – grupi socialdemokrat në Parlamentin evropian reagoi me tërheqjen nga funksioni të katër eurodeputetëve të lidhur me këtë skandal, edhepse ato nuk janë formalisht të akuzuar. U pezullua nga anëtarësimi në grup edhe belgu Tarabela, e edhe tre eurodeputetë të tjerë Arena (Belgjikë), Bartolo dhe Kacolino (Itali) janë tërhequr nga pozicionet nga të cilat mund të kenë ndikim mbi rastin.

Në këtë rast, mbase “yll” edhe më i madh nga e akuzuara është gjykatësi hetues belg Mishel Klez, i cili e udhëheq lëndën. Ky gjykatës hetues në një gjykatë themelore në Bruksel, madje i quajtur edhe “sherif”, avokat i mëparshëm, specialist për hetime financiare, është shumë i njohur në opinionin belg pas disa lëndëve të mëdha, por edhe pas pohimeve/deklaratave të tij për përhapje të madhe të korrupsionit. Për këto pohime/deklarata ai ka hyrë në polemikë madje edhe me Kryeministrin belg Aleksandër De Kro. Në Belgjikë gjykatësi hetues ka shumë kompetenca. Për hetimin e lëndës konkrete, që ka zgjatur prej korrikut deri në dhjetor të këtij viti, “Le Soar”-i belg shkruan se nuk ka pasur dijeni as policia belge.

Skandali shkaktoi dëm të madh për institucionet evropiane – sigurisht, së pari për Parlamentin evropian, por edhe për Bashkimin Evropian si tërësi. Reputacioni i Unionit dhe legjitimiteti i tij para qytetarëve të tij është i lëkundur, ndërsa në goditje është edhe reputacioni ndërkombëtar i Unionit.

Reagimet e deritanishme të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian janë drejtuar drejt zvogëlimit të dëmit fillestar nga skandali. Mirëpo, edhe te ato fokusi është i ndryshëm. Disa u përpoqën që ta paraqesin si një rast të izoluar. Të tjerë u përpoqën që ta hedhin vëmendjen te shtetet e treta që përpiqen të ushtrojnë ndikim mbi institucionet evropiane. Përfaqësuesit e Partisë konservative evropiane nga ana tjetër, nuk i rezistuan tundimit që këtë skandal ta përdorin për sulme partiako-politike, duke e karakterizuar të gjithë grupin socialdemokrat si “skandal”.

Lloji i katërt i reagimeve thekson nevojën e zgjidhjeve sistemore. Niset nga vlerësimi se metodat e deritanishme për parandalim të korrupsionit në Parlamentin evropian, por edhe në përgjithësi nëpër institucionet evropiane, janë joefikase. Parlamenti Evropian në shtator të vitit 2021 miratoi një rezolutë për forcimin e transparencës dhe integritetit nëpërmjet themelimit të një trupi të pavarur për etikë, por përpjekjet nuk u realizuan. Marrëveshja ndërinstitucionale për një regjistër të detyrueshëm të transparencës ndërmjet tre institucioneve kryesore evropiane – Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit është ende vetëm draft.

Ka gjasa që ky skandal të përshpejtojë kërkimin e zgjidhjeve sistemore për parandalimin e korrupsionit nëpër institucionet evropiane. Pak njerëz vunë re se në 15 dhjetor të vitit 2022, me procedurë urgjente, Parlamenti evropian miratoi një rezolutë të re pas rastit të Katarit dhe për “përdorim më të gjerë të transparencës dhe përgjegjësisë nëpër institucionet evropiane”, në të cilën janë shënuar edhe shumica e propozimeve që deri tani ishin në tryezë, por nuk llogariteshin si urgjente. Në të janë edhe propozimet për zgjidhjen e problemit të “derës rrotulluese” – fenomeni i kalimit të funksionarëve në nivel të lartë nga dhe tek sektori privat; detyrueshmëria për mbajtjen e regjistrit për transparencë; zgjerimi i masave për parandalim të konfliktit të interesave; implementimi i rregullave për donacione nga shtete të treta e një sërë masash të tjera. Gjithashtu, Europarlamenti u obligua që të formojë një komision anketues, por edhe një trup të veçantë që do t’i “shkundë” të gjithë rregullat e tij që kanë të bëjnë me transparencën, integritetin dhe korrupsionin.

Për një afat të shkurtër Katargate do të jetë “një histori e nxehtë” nëpër medie dhe një temë politike gjerësisht e eksploatuar. Mirëpo, pyetja e vërtetë është se prej tij a do të nxirren mësime dhe zgjidhje reale, të cilat do të kontribuojnë për ngushtimin e hapësirës për korrupsion.

 

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Comments are closed.