Mbi 140 qytetarë debatuan për dy ditë mbi rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në BE

Anketa e pestë Nacionale Debatuese, e organizuar nga Instituti për politikë evropiane (EPI) në bashkëpunim me Qendrën për demokraci deliberative pranë Universitetit Stanford nga SHBA, mblodhi bashkë mbi 140 qytetarë të cilët gjatë dy ditëve u informuan dhe debatuan për rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në BE. Ata i parashtruan pyetjet e tyre në panele të përbëra nga aktorë shoqëror dhe ekspertë, pikërisht në ambientet e Kuvendit.

Nga anketa fillestare e realizuar me një mostër përfaqësuese prej 1200 qytetarë nga mbarë vendi, mbi 140 qytetarë erdhën në Shkup për të përfaqësuar të gjithë shtetin në një dhomë të vetme. Të ndarë në 11 grupe, qytetarët u informuan dhe debatuan me njëri-tjetrin për dy ditë mbi këtë temë, e më pas u drejtuan në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku pyetjeve të dala nga debatet e tyre u dhanë përgjigje aktorët kryesorë shoqëror.

Ditën e parë u diskutua për modelin e përfshirjes së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit në BE. Pyetjeve të qytetarëve u  iu përgjigjën kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, nënkryetarja e LSDM-së, Fani Karanfillova-Panovska, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Kërkim dhe Krijim të Politikave, Marija Ristevska dhe ish-deputeti dhe kryetari i Forumit për Politika të Arsyeshme, Gordan Georgiev.

Tema e diskutimit në ditën e dytë iu kushtua trupave punues të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe procesit të aderimit në BE. Përgjigje dhanë deputeti dhe kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe, deputetja dhe anëtarja e Komisionit për Çështje Evropiane, Eli Panova, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ish-sekretarja e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova.

Anketa debatuese është një formë unike e konsultimit politik që kombinon teknikat e hulumtimit të opinionit publik dhe diskutimit publik. Ajo synon të paraqesë se si do të dukej opinioni publik për një temë të caktuar, nëse qytetarët do të kishin mundësinë të njiheshin më hollësisht me temën. Anketa debatuese shfaq preferencat dhe mendimet e qytetarëve si para, ashtu edhe pas njohjes së detajuar me temën.

Anketa debatuese mat rezultatet, por edhe ndryshimet në qëndrimet e qytetarëve para dhe pas ngjarjes debatuese.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Nxitja e pjesëmarrjes publike në dialog konstruktiv politik”, i zbatuar nga EPI dhe i financuar nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci i SHBA-së (NED).