Për të ardhmen e Evropës në Ditën e Evropës
-
- Rezultatet e Konferencës për të Ardhmen e Evropës –
Ngjarja qendrore e Ditës së Evropës sivjet është promovimi i rezultateve të Konferencës për Ardhmërinë e Evropës. Draft propozimet, të cilat i ka miratuar Konferenca në seancë plenare, tashmë janë shpallur. Bëhet fjalë për 300 propozime në pesëdhjetë faqe. Janë sistemuar në nëntë nëntituj, sipas grupeve të punës të cilat kanë punuar gjatë Konferencës. Fundi i Konferencës mbeti nën hijen e braktisjes nga përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare të krahut të djathtë (gjithsej 129 nga 705 eurodeputetë).
Shumica e rrymave politike dhe qytetarëve, që morën pjesë në Konferencë, janë padyshim pro “më shumë BE”, sepse propozimet po shkojnë drejt integrimit më të thellë. Vëmendje e veçantë tërhoqën rekomandimet për krijimin e “forcave të armatosura të përbashkëta”, të drejtës së Parlamentit Evropian për të propozuar ligje, si dhe më shumë investime për të zbutur ndryshimet klimatike. Shenjë të qartë në përmbajtjen e propozimeve kanë lënë krizat e fundit – ajo e shkaktuar nga Pandemia KOVID-19, si dhe ajo e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë. Kjo u reflektua në propozimet për kompetenca më të mëdha në shëndetësi, si dhe për një tranzicion të përshpejtuar energjetik. Për të realizuar rekomandimet kryesore, është e nevojshme të ndryshohen marrëveshjet themeluese të Unionit, ndërsa kjo do të thotë – reformë e brendshme më e thellë.
Pyetja kryesore është se si institucionet e BE-së do të vazhdojnë më tutje propozimet e Konferencës. Parlamenti Evropian tashmë po “i shtyn” institucionet e tjera, me Rezolutën që e miratoi më 4 maj 2022. Në të, Parlamenti Evropian u bën thirrje institucioneve të tjera të BE-së që të ndjekin propozimet e Konferencës “në mënyrë konstruktive dhe ambicioze”. Më konkretisht, Oda e Qytetarëve të BE-së bën thirrje që menjëherë të fillojë procedura për ndryshimin e marrëveshjeve themeluese. Megjithatë, kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, duke pasur parasysh dallimet në pikëpamjet e shteteve anëtare për disa nga çështjet kryesore, sepse në fund të fundit të gjithë anëtarët aktualë duhet të bien dakord për ndryshimet. Deri tani, kompromisi zakonisht arrihej pas negociatave të gjata dhe të vështira, të cilat zakonisht përfundonin në orët e para të mëngjesit. e kjo do të jetë jashtëzakonisht e vështirë me 27 shtetet anëtare. Prandaj, konsiderohet të ketë më shumë lidership dhe një shkallë më të lartë të ambicies së institucioneve të BE-së.
Një nga propozimet “më revolucionare” është heqja e vetos kombëtare. Rekomandimet përfundimtare të Konferencës propozojnë futjen e një shumice të cilësuar për të gjithçka, përveç për dy çështje: pranimin e anëtarëve të rinj dhe ndryshimin e parimeve bazë mbi të cilat bazohet BE-ja, të përcaktuara në nenin 2 të Marrëveshjes së BE-së (që zakonisht e citojnë kur flasim për vlerat e Unionit). Prandaj, shpresat në rajon se rampa e zgjerimit do të ulet dhe do të parandalohen vetot e njëanshme për momentin janë shuar. Ndërsa formulimi konkret i qëndrimit për zgjerimin (përndryshe i fundit në kapitullin përkatës) mbetet në nivelin e deklaratave ekzistuese: “Të ofrohet perspektivë e besueshme për vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për të kultivuar paqen dhe stabilitetin në Evropë dhe për të siguruar prosperitet për miliona evropianë.” Kur merren parasysh rekomandimet përfundimtare të grupit përkatës “BE-ja në botë”, është e qartë se ambiciet për zgjerim nuk janë të larta dhe se ato padyshim lidhen me reformën e mëparshme institucionale, pra ndryshimin e marrëveshjeve themeluese të BE-së. Mospjesëmarrja e Ballkanit Perëndimor në Konferencën për të Ardhmen e Evropës, ndaj së cilës reaguan ashpër organizatat e shoqërisë civile në rajon, ishte tashmë tregues se si do të trajtohet zgjerimi.
Megjithatë, ajo që ne shpesh e neglizhojmë është se çfarë ndikimi do të ketë ndryshimi i politikave të tjera të BE-së – të brendshme dhe veçanërisht ato ndaj vendeve të treta tek ne. Propozimet në këtë drejtim janë shumë më ambicioze – jo vetëm në aspektin e forcimit të kushtëzimit me demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe kërkesa të rëndësishme për rregullimin e marrëdhënieve tregtare dhe ngritjen e mekanizmave të rinj, që synojnë kryesisht reduktimin e “importeve të ndotjes” në BE.
- Rezultatet e Konferencës për të Ardhmen e Evropës –