Ndërmjetësuesit dhe trajnerët nga AGjPP avansojnë shkathtësitë e tyre me ndihmën e partnerëve holandez
Instituti për politikë evropiane dhe Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publikë “Pavell Shatev” organizojnë trajnime për trajnerë për ndërmjetësim, me qëllim që trajnerët maqedonas të ndërmjetësimit, aktual dhe të ardhshëm, të trajnohen me metoda dhe shkathtësi moderne nga sfera.
Në fjalën hyrëse të trajnimit, drejtoresha e Akademisë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, dr. Natasha Gaber Damjanovska theksoi se gjeneratat e reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë duhet të njihen me ndërmjetësimin që nga fillimi dhe ndërmjetësimi të përfshihet në edukimin e tyre. Ajo shtoi se ky trajnim është i rëndësishëm që ndërmjetësimi të bëhet më i pranishëm në vend, që më shumë mosmarrëveshje të zgjidhen me ndërmjetësim.
Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu tha se Ligji i ri për ndërmjetësim ka në fokus forcimin e integritetit të ndërmjetësuesit. Vetëm personi me integritet dhe teknika të veçanta të ndërmjetësimit, është në gjendje të ndërmjetësojë në tejkalimin e një situate specifike kontestuese, por edhe në promovimin dhe pranimin e gjerë të konceptit të ndërmjetësimit në shoqëri.
Ky trajnim mbahet në bashkëpunim me Federatën Hollandeze të Ndërmjetësuesve, nga ekspertë holandezë për tema dhe aftësi specifike që lidhen me ndërmjetësimin. Lektor kryesor i trajnimit është z. Jan van Zwitten, President i Regjistrit Ndërkombëtar të Ndërmjetësimit dhe President i Federatës Hollandeze të Ndërmjetësuesve. Në fjalimin e tij hyrës, ai tha se ndërmjetësimin nuk e sheh si zgjidhje alternative të mosmarrëveshjeve, por si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve paralelisht me procedurat gjyqësore. Sipas tij, një ndërmjetës duhet të jetë i trajnuar mirë dhe profesional dhe për këtë është e nevojshme të zotërohen teknikat bazë të ndërmjetësimit, të cilat janë qëllimi i këtij trajnimi pesëditor.
Me qëllim të promovimit të ndërmjetësimit, kemi përgatitur një sërë infografike me informacione për perceptimin e administratës publike dhe sektorit privat për ndërmjetësimin si mënyrë për zgjidhjen e kontesteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Infografikët mund të gjenden në faqen tonë të internetit: https://bit.ly/infografici-matra.
Trajnimi do të zgjasë deri më datën 3 mars (e Premte), dhe organizohet në kuadër të projektit “Ndërmjetësoni, mos dyshoni!”, të cilin e implementon Instituti për politikë evropiane (EPI) – Shkup në bashkëpunim me Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë “Pavell Shatev”, Oda e Ndërmjetësuesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federata Holandeze e Ndërmjetësuesve. Projekti financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup.