Analiza e cilësisë dhe barazimit të vendimeve gjyqësore në fushën juridike penale
Në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), garancitë e parashikuara në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) përfshijnë obligimin që gjykata të mundësojë dhe të prodhojë arsyetime përkatëse dhe të mjaftueshme në vendimet e saj gjyqësore. E drejta për vendimet e arsyetuara është komponenti kryesor i drejtësisë së diskutimit që bazohet në praktikën e GJEDNJ-së dhe kjo bazohet pikërisht në disa parime të përgjithshme të përfshira në KEDNJ, të cilat në këtë mënyrë mbrojnë individin nga arbitrariteti i institucioneve.[1] Bazuar në këtë, vendimet është e domosdoshme të përmbajnë arsye që do të ishin të kënaqshme në mënyrë që vendimi gjyqësor të bazohet në to, por edhe t’u përgjigjet aspekteve thelbësore që palët në procedurë i vendosin si argumente të tyre juridike. Kjo e drejtë nuk është formuluar në mënyrë eksplicite në tekstin e nenit 6 të Konventës, por paraqet të drejtën hetimore që në thelb i garanton të gjitha të drejtat materiale. Vendimet e arsyetuara lënë përshtypje, por edhe fusin siguri tek palët se rasti i tyre vërtet ishte shqyrtuar, analizuar dhe procesuar në mënyrë përkatëse. Sidoqoftë, ato kontribuojnë edhe në avancimin e besimit publik në vendimmarrjen gjyqësore, ndërsa në mënyrë plotësuese ofrojnë edhe bazë të qëndrueshme për sundimin e së drejtës. Arsyetimi i vendimeve gjyqësore është me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se kontribuon edhe në fitimin e besimit publik në drejtësinë e drejtë, objektive dhe transparente si shtylla të shoqërisë demokratike. [2]
Megjithëse gjykatat kanë mundësinë, bazuar në bindjen[3] e tyre të lirë gjyqësore, t’i zgjedhin provat dhe argumentet mbi të cilat e mbështesin vendimin e tyre, ato janë të detyruar të japin arsyetim përkatës për (pa)zbatueshmërinë e tyre. Si rrjedhojë, dispozitat nga neni 6 të KEDNJ-së nuk mund të kuptohen si të detyrueshme, dhe as GJEDNJ-ja nuk tregon se është e domosdoshme të argumentohet secili qëndrim individual, përkatësisht provë në procedurë.[4] Thellësia dhe shtrirja e arsyetimit të tyre mund të ndryshojë nga lloji i vendimit, nga lloji i kompetencës së gjykatës, por edhe nga rasti në rast. Në bazë të kësaj, gjykatat është e domosdoshme t’i shqyrtojnë pretendimet kryesore të pjesëmarrësve në procedurën që hasen si në të drejtën e brendshme materiale dhe hetimore, ashtu edhe me të drejtat dhe liritë e garantuara nga KEDNJ-ja. Arsyetimet në asnjë rast nuk nënkuptojnë ritregimin e ngjarjes juridike-penale, si dhe të të gjitha veprimeve të ndërmarra në procedurë, që padyshim do të çonin në atë që vendimet gjyqësore të jenë shumë të gjata. Si rrjedhojë, është plotësisht e gabuar praktika e disa gjykatave për të krijuar kompilime nga procesverbalet gjyqësore nga seancat e mbajtura gjyqësore për diskutimin kryesor. Vendimet gjyqësore janë të domosdoshme, por edhe sugjerohen nga GJEDNJ-ja, për të qenë sa më konsistentë të jetë e mundur dhe të liruar nga detajet e panevojshme dhe eksplikimet akademike.
Në teorinë juridike, arsyetimet përshkruhen si arsyetime të teorisë juridike dhe arsyetime për transparencë. Kur bëhet fjalë për procedurat para gjykatave të shkallës së dytë, arsyetimet e dhëna duhet të jenë në përputhje, por edhe të mundësojnë përdorimin efikas të konceptit të garantuar me Kushtetutë të “së drejtës së ankesës”[5], që teorikisht përshkruhet si orientim funksional. Gjykatat e shkallës së dytë mund të kenë edhe arsyetime më të shkurtra sesa gjykatat e shkallës së parë, por ato duhet t’i adresojnë, përkatësisht t’u përgjigjen argumenteve kryesore të ngritura nga palët në procedurë.
Vendimet gjyqësore duhet të hartohen në gjuhë të arritshme, të thjeshtë dhe të qartë, ato duhet të argumentohen, të bëhen publike brenda afatit të arsyeshëm dhe të bazohen në diskutim të drejtë dhe publik.[6] Në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së, arsyetimet duhet të përmbajnë argumente në lidhje me pohimet vendimtare dhe kryesore, aspektet dhe pretendimet që ishin thelbësore për miratimin e vendimit në drejtim të caktuar.[7] Si rrjedhojë, kjo gjykatë do të konstatonte shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, gjithnjë kur gjykatat vendase në arsyetimin e vendimit do të injoronin çështje apo argument konkret, relevant dhe të rëndësishëm të ngritur nga kërkuesi gjatë procedurës.[8] Aktgjykimet e arsyetuara u përgjigjen pyetjeve me rëndësi vendimtare për lëndën (Mugoša kundër Malit të Zi), japin arsyetim të hollësishëm në lëndët ku ligji nuk është mjaft i qartë (Milojević kundër Serbisë) dhe aty ku gjendja faktike nuk është e qartë ose konsekuente (Hirvisaari kundër Finlandës, Atanasovski kundër R.P. e Maqedonisë), mbajnë konsideratë për specifikat e sistemit juridik (Taxquet kundër Belgjikës), por edhe kërkojnë arsyetime më pak të hollësishme të gjykatave të apelit kur aktgjykimet e gjykatave themelore janë proceduar mirë (Garcia Ruiz kundër Spanjës).[9]
[1] Lënda Roche kundër Britanisë së Madhe, nr. 32555/96, § 116, tetor 2005, GJEDNJ.
[2] Lënda Suominen kundër Francës, nr. 37801/97, § 37, 1 korrik 2003; Tatishvili kundër Rusisë, nr. 1509/02, § 58, janar 2007, GJEDNJ.
[3] Neni 16 i LPP-së.
[4] Lënda Van de Hurk kundër Holandës, § 61, nr. 16034/90; 19 prill 1994, GJEDNJ.
[5] Lënda Hadjianastassiou kundër Greqisë, nr. 12945/87, 16 dhjetor 1992, GJEDNJ.
[6] Magna Carta of Judges, Fundamental Principles, Strasburg, nëntor 2010.
[7] Lënda Boldea kundër Rumanisë, § 30, nr. 19997/02, 15 shkurt 2007; Moreira Ferreira kundër Portugalisë, § 84, nr. 19867/12, 11 korrik 2017; Papon kundër Francës, nr. 54210/00, 25 korrik 2002; Hadjianastassiou kundër Greqisë, nr. 12945/87, 16 dhjetor 1992, GJEDNJ.
[8] Lënda Nechiporuk and Yonkalo kundër Ukrainës, § 280, nr. 42310/04, 21 prill 2011; Rostomashvili kundër Gjeorgjisë, § 59, nr. 13185/07, 8 nëntor 2018, Zhang kundër Ukrainës, § 73, nr. 6970/15, 13 nëntor 2018, GJEDNJ.
[9] Mirjana Llazarova Trajkovska, “Argumentimi juridik dhe arsyetimi i aktgjykimeve“, Shkup, nëntor 2019.