Diskutim: Nëse nuk ndërmarrim masa për të mbrojtur burimet ujore, shumë lehtë mund t’i humbasim ato në mënyrë të pakthyeshme
Rreth 1.7 miliardë euro në investime janë të nevojshme për të trajtuar ujërat e zeza urbane, të cilat tani derdhen drejtpërdrejt në lumenj, liqene dhe toka dhe për të siguruar uj të pijshëm sipas legjislacionit të BE-së. Uji është një burim që konsumohet për një kohë të pacaktuar, dhe prej vitesh institucionet kompetente nuk kanë pasur një pasqyrë reale të cilësisë dhe sasisë së ujit në Maqedoninë e Veriut.
Këto janë disa nga temat e diskutuara në konferencën virtuale “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor si nxitje për mbrojtjen e ujërave në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Instituti për politikë evropiane në bashkëpunim me Institutin për studime të komunikimit në kuadër të fushatës “Kthjellohu“.
Në hapje të konferencës, drejtoresha e Institutit për politikë evropiane, Simonida Kacarska theksoi se mjedisi është një nga fushat e procesit të anëtarësimit në BE, në të cilin nuk mund të vërehet ndonjë përparim i mëtejshëm dhe theksoi se qëllimi i konferencës është të krijon hapësirë në të cilën lidhen politikat kombëtare dhe të BE-së në këtë fushë.
Drejtoresha e Institutit për studime të komunikimit, Zhaneta Trajkoska tha se vetëm me të dhëna të hapura dhe institucione transparente mund të kemi politika cilësore në mjedis.
“Kthjellohu” si një aleancë do të kërkojë të përfshihet në avancimin e ligjeve të mbrojtjes së ujit, burimeve minerale dhe inspektimeve,” tha Trajkoska.
“Vendi ynë është një nga rajonet më të ndjeshme ndaj klimës në botë. Nëse nuk marrim masa për të mbrojtur burimet ujore, shumë lehtë mund t’i humbasim ato në mënyrë të pakthyeshme. Mbrojtja e ujit nuk është vetëm një çështje e brendshme ekonomike dhe mjedisore, por edhe një çështje evropiane. Le të mbrojmë burimet tona ujore në plan afatgjatë, në mënyrë që të mos i humbasim ato në mënyrë të pakthyeshme,” tha Presidenti Stevo Pendarovski në fjalën e tij përshëndetëse për konferencën.
Ambasadorja e Britanisë, Rachel Galloway tha se monitorimi aktual i cilësisë dhe sasisë së ujit është i papërshtatshëm për të dhënë një pamje realiste të gjendjes aktuale të burimeve ujore.
“Nuk ka monitorim dhe vlerësim sistematik dhe të vazhdueshëm, dhe autoritetet nuk mund të marrin të dhëna adekuate të menaxhimit të ujit. Mungesa e të dhënave të sakta mbi statusin e trupave ujorë do të thotë se vihet në pyetje qëndrueshmëria, racionaliteti dhe efektiviteti i masave administrative dhe politike për përdorim dhe mbrojtje të ujit” tha Galloway në fillim të konferencës.
Sipas të dhënave, në Maqedoninë e Veriut pastrohen vetëm rreth 3-4 përqind e sasisë totale të ujërave të ndotura. Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini gjithashtu adresoi këtë problem.
“Ne jemi duke investuar në impiantin më të madh të pastrimit të ujërave të ndotur në Shkup dhe kemi filluar projekte për Manastirin, Kërçovën dhe Tetovën. Ne jemi të përkushtuar që të kemi ujë të pijshëm e të pastër për qytetarët tanë. Ju bëjmë thirrje të punoni me ne, për të krijuar ndërgjegjësim për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha ministri Nuredini.
Profesori nga Institutit të Biologjisë, Svetoslav Krstiç tha se megjithëse ujërat janë rrjedha në vend, ato helmohen me substanca të dëmshme. “Disa kanë idenë se ajo që lëshohet në lumenj do të zhduket, por kjo nuk është e vërtetë. Sistemet tona lumore, në pjesën më të madhe, janë regjistruar si ekosisteme ‘të vdekura’” tha profesori Krstiç.
Sipas Jadranka Ivanova, eksperte prej kohësh në fushën e burimeve ujore, për të përmbushur standardet e BE-së, 1.7 miliardë euro duhen për pastrimin e ujit urban dhe 87 impiante të pastrimit, dhe direktivat e BE-së duhet të përmbushen deri në vitin 2041.
Orhideja Kaljoshevska nga Korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor tha se ndërhyrjet në impiantet e pastrimit janë investimet më të shtrenjta që nuk mund të mbulohen nga vetëm një donator ose vetëm nga buxheti i shtetit dhe se projektet mjedisore mund të zbatohen përmes IPA programit për bashkëpunimit kufitar. Prandaj, sipas Davor Perçan nga Drejtoria për mjedis të Komisionit Evropian, është shumë e rëndësishme që qëllimet e burimeve ujore të integrohen në politikat e tjera të BE-së në lidhje me ndryshimet klimatike, në veçanti me ato të energjisë dhe bujqësisë.
Kampanja “Kthellohu” zbatohet nga Instituti për studime komunikimi, dhe mbështetet nga Ambasada e Britanisë në Shkup.