Strehimi, shfrytëzimi i krahut të punës dhe kërcënimet në internet

Strehimi, rritja e numrit të personave të pastrehë, shfrytëzimi i krahut të punës dhe kërcënimet ndaj të drejtave të njeriut në internet. Këto janë disa prej sfidave të theksuara në Raportin e të Drejtave Themelore të FRA-së. Raporti analizon kërcënimet ndaj të drejtave dhe vlerave themelore të BE-së në fusha të tilla si ligjbërja demokratike, qeverisja dixhitale, siguria e brendshme dhe trajtimi i emigrantëve. Në një kohë paqëndrueshmërie politike globale dhe kërcënimesh ndaj sigurisë, ky raport shërben si një thirrje drejtuar Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe forcimin e demokracisë.

Raporti i të Drejtave Themelore – Sfidat dhe arritjet në vitin 2025 fokusohet te zhvillimet dhe mangësitë lidhur me të drejtat themelore në BE në vitin 2025. Këtu përfshihen:

  • Kriza e strehimit në Evropë: Rritja e kostove të strehimit dhe mungesa e strehimit social dhe të përballueshëm kanë shkaktuar një krizë strehimi nëpër BE, pasi gjithnjë e më shumë njerëz e kanë të pamundur të përballojnë kostot e banesave të tyre dhe rrezikojnë të mbeten të pastrehë. Ndërkohë, masat mbrojtëse kundër dëbimit nga banesa dhe mbetjes pa strehë vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme në shumë shtete anëtare, duke rezultuar në situata që cenojnë dinjitetin njerëzor.

  • Sfidat lidhur me punësimin dhe shfrytëzimi i krahut të punës: Punëtorët emigrantë po përdoren gjithmonë e më shumë për të adresuar pamjaftueshmërinë e krahut të punës në BE. Megjithatë, ekzistojnë sfida serioze që lidhen me punësimin e punëtorëve nga vendet e treta në BE, duke përfshirë mbikualifikimin, diskriminimin dhe shfrytëzimin e krahut të punës. Personat e shfrytëzuar nuk kanë pothuajse asnjë mundësi reale për drejtësi ose kompensim.

  • Kërcënimet ndaj të drejtave themelore në internet: Njerëzit anembanë BE-së po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj gjuhës së urrejtjes në internet, ndërkohë që pikëpamjet legjitime shpeshherë bllokohen në mënyrë të padrejtë ose hiqen nga platformat në internet. Ligjet e BE-së për rregullimin dhe mbrojtjen e hapësirave në internet janë përballur me rezistencë politike dhe korporative, kryesisht nga jashtë BE-së, gjë që cenon demokracinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve të BE-së është vështirësuar gjithashtu edhe nga mungesa e transparencës nga platformat në internet.

  • Vlerat themelore të BE-së kanë ndikuar gjithnjë e më shumë në hartimin e ligjeve dhe politikave të BE-së dhe, në praktikën gjyqësore të kohëve të fundit, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka konfirmuar rëndësinë e tyre operacionale. Ndërkohë, zhvillimet e vitit 2025 nxorën në pah një hendek midis shpalljes së këtyre vlerave dhe mbrojtjes reale të të drejtave në praktikë, ndër të tjera edhe në kontekstin e ligjbërjes, qeverisjes dixhitale, sigurisë e brendshme dhe trajtimit të emigrantëve dhe azilkërkuesve në pikat kufitare.

Për adresimin e këtyre sfidave, FRA-ja i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare për:

  • Adresimin e strehimit si një e drejtë themelore dhe mbështetjen e politikave të strehimit në të drejtën e BE-së për të drejtat themelore dhe në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në përputhje me detyrimet e shteteve anëtare. Për të adresuar në mënyrë efektive rastet e personave të pastrehë, nevojitet mbrojtje gjithëpërfshirëse ndaj dëbimeve me forcë dhe masa mbrojtëse për grupet e cenueshme, duke përfshirë garanci gjyqësore, strehim alternativ, streha për të pastrehët dhe mbështetje sociale dhe financiare.

  • Adresimin e mungesës së krahut të punës duke parandaluar shfrytëzimin: ofrimin e mundësive të drejta dhe të barabarta për punëtorët nga jashtë BE-së për të punuar në tregjet e punës. Kjo mund të arrihet duke njohur kualifikimet e huaja, duke nxitur aksesin e hershëm në tregjet e punës dhe në trajnim dhe duke trajtuar diskriminimin dhe rastet e agjencive shfrytëzuese të punësimit.

  • Garantimin e hapësirave më të sigurta në internet: kërkesa e llogaridhënies nga platformat në internet për të trajtuar numrin në rritje të kërcënimeve në internet ndaj të drejtave themelore dhe demokracisë. Zbatimi i Ligjit për Shërbimet Dixhitale është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet.

Raporti i të Drejtave Themelore trajton gjendjen e disa të drejtave themelore në BE në vitin 2025 – vit i cili shënoi përvjetorin e 25-të të Kartës së të Drejtave Themelore. Ndonëse ajo përbën një instrument kyç për zbatimin e vlerave themelore të BE-së, zbatimi i Kartës anembanë BE-së dhe në shtetet anëtare mbetet jo i njëtrajtshëm. FRA-ja i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare që ta zbatojnë atë si standard ligjor, duke kryer njëkohësisht vlerësime sistematike të ndikimit tek të drejtat e njeriut.

Citim nga Drejtorja e FRA-së, Sirpa Rautio:

„Të drejtat themelore vazhdojnë të jenë të kërcënuara anembanë Evropës, ndërsa tensionet globale dhe sulmet ndaj rendit kërcënojnë shoqëritë tona demokratike dhe të drejtat që ato synojnë të mbrojnë. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të denoncojnë presionin në rritje ndaj garancive ligjore dhe procedurale që përkthejnë vlerat tona themelore në garanci praktike. Për të arritur këtë, të drejtat themelore duhet të vazhdojnë të vihen në qendër të të gjitha politikave dhe veprimeve të BE-së, ndërsa vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për garantimin e gëzimit të plotë të të drejtave nga të gjithë.“

EPI si partner kërkimor i FRA-së edhe këtë vit mori pjesë në hartimin e raportit për të drejtat themelore, si dhe në studimin shtetëror për Maqedoninë e Veriut.