Rishikimi Periodik Universal (RPU) është një proces i veçantë që vlerëson rregullisht situatën e të drejtave të njeriut në të gjitha 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm, si risi e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, bazohet në qasje të barabartë për të gjitha shtetet. Përmes saj, vendet kanë mundësi të tregojnë se çfarë hapash kanë ndërmarrë për të promovuar të drejtat e njeriut dhe si i adresojnë sfidat ekzistuese në këtë fushë. Përveç kësaj, RPU mundëson shkëmbimin e shembujve dhe përvojave të suksesshme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në nivel global. Qëllimi përfundimtar i Rishikimit Periodik Universal (RPU) është përmirësimi i situatës së të drejtave të njeriut në secilin vend, i cili ka një ndikim të rëndësishëm tek njerëzit në mbarë botën. RPU është krijuar për të inkurajuar, mbështetur dhe zgjeruar përpjekjet për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në terren. Për të arritur këtë, RPU vlerëson raportet e të drejtave të njeriut në vend dhe adreson shkeljet e të drejtave të njeriut kudo që ato ndodhin. Ky proces gjithashtu ofron asistencë teknike për vendet, forcon kapacitetin e tyre për t›u marrë me sfidat në këtë fushë dhe mundëson shkëmbimin e praktikave të mira midis vendeve dhe palëve të tjera të interesuara.