Raporti në hije për Kapitullin 23 për periudhën tetor 2023 – shtator 2024

Ky raport në hije bashkon në një tërësi të vetme koherente të gjitha gjetjet, konkluyionet dhe rekomandimet që dolën nga monitorimi i fushave të përfshira në Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Ky është raporti i nëntë i tillë i publikuar nga Instituti për Politika Evropiane – Shkup (EPI), duke marrë parasysh komentet dhe opinionet e institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare. Tetë periudhat e mëparshme mbulojnë periudhat në vijim: tetor 2014 – korrik 2015,korrik 2015 – prill 2016,maj 2016 – janar 2018, qershor 2018 – mars 2019, prill 2019 – mars 2020, prill 2020 – shtator 2021, tetor 2021 – shtator 2022 dhe tetor 2022 – shtator 2023.

Raporti mbulon periudhën nga fillimi i tetorit 2023 deri në fund të shtatorit 2024. Ai përfshin gjithashtu të dhëna relevante nga periudha para tetorit 2023, kur ato janë të nevojshme për kontekstualizimin ose sqarimin e risive të periudhës aktuale raportuese. Periudha e raportimit është e harmonizuar me periudhën raportuese të Komisionit Evropian (KE) për Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV). Ky draft-raport ndjek strukturën e Kapitullit 23 të raportit të KE-së, duke siguruar një qasje të sistemuar dhe të krahasueshme. Në fund të çdo fushe, brenda një kornize të veçantë, janë paraqitur rekomandimet përkatëse.

Periudha raportuese u shënua nga përgatitja e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që është një paketë gjithëpërfshirëse masash për arritjen e objektivave të parashikuara në fushat prioritare të dakordësuara me KE, përfshirë sundimin e ligjit. Në të njëjtën kohë, periudha u shënua nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, formimi i një qeverie të re, si dhe zgjedhjet evropiane dhe propozimi i një ekipi të ri komisionerësh, duke përfshirë një Komisioner të ri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin. Takimet paszgjedhore të strukturave të reja qeverisëse konfirmuan qëndrimet dhe kriteret e vendosura të të dyja palëve me të cilat procesi i anëtarsimit i Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar. 

Ky raport në hije është përgatitur në kuadër të projektit “Ndërtojmë ura për një të ardhme të përbashkët: Sundimi i ligjit në kontekst të anëtarësimit në BE”. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe synon të ndihmojë në krijimin e reformave të qëndrueshme për sundimin e ligjit në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.